Apartamenti 110 mijë euro i Donika Prelës, ende asnjë verifikim në dosjen...

Apartamenti 110 mijë euro i Donika Prelës, ende asnjë verifikim në dosjen e KPK-së

69
0
Shares
Donika Prela - Arta Marku

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk ka kryer asnjë hetim për apartamentin 110 mijë euro të drejtueses së Krimeve të Rënda, Donika Prelës, pavarësisht se blerja është kryer në Korrik 2018, kohë kur prokurorja ishte në proces rivlerësimi.

Ky element u bë i ditur gjatë seancës dëgjimore, të zhvilluar të Martën, ku relatorja e çështjes, Valbona Sanxhaktari pyeti Prelën për këtë apartament, nisur nga një denoncim që kishte mbërritur në adresë të KPK-së vetëm në ditët e fundit.

Siç rezultoi në seancën dëgjimore, Komisioni i Vetingut i ka dërguar prokurores Prela një formular shtesë, për të shënuar nëse nëse kishte pasur ndryshime të pasurisë pas datës së plotësimit të deklaratës “veting”. Zonja Prela, sipas relatores së çështjes ka deklaruar se e kishte shitur apartamentin në rrugën “Bajram Curri” të blerë në vitin 2007 për 80 mijë euro dhe kishte blerë një apartament banimi në rrugën “Tefta Tashko Koço” për 110 mijë euro.

Duke u nisur nga përgjigja e Donika Prelës në seancë, kuptohet qartë që diskutimi mbi këtë apartament është ngritur pas një denoncimi publik, i cili është dorëzuar “pas mbylljes së procesit të verifikimit”. Komisioni deklaroi të premten e kaluar se ka përfunduar procesin administrativ për Donika Prelën, e, për këtë arsye, denoncimi ka mbërritur në KPK në harkun kohor nga e premtja e deri të hënën, pra, në tre ditët e fundit para se prokurorja të dilte në seancë dëgjimore.

Për këtë denoncim, Prela u shpreh se “informacioni që ka mbërritur pas mbylljes së hetimit administrativ është dashakeq dhe dizinformues…”. Pra, prokurorja deklaron se denoncimi për këtë apartament ka mbërritur pas mbylljes së hetimit administrativ, duke konfirmuar në këtë mënyrë se Komisioni i Vetingut nuk e ka përfshirë në verifikimin e tij.

Në denoncimin e mbërritur së fundmi në KPK ngrihen dyshime se prokurorja kishte hyrë në transaksione me kompaninë LIM-EM në kushtet e konfliktit të interesit, për shkak se ajo është në proces hetimi për marrëdhëniet tregtare me ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Prokurorja Donika Prela e mohoi këtë fakt, duke deklaruar në seancë se apartamentin e kishte blerë nga shtetasi me inicialet F.H, rreth 4 vjet pasi ky i fundit i kishte shlyer të gjitha detyrimet ndaj kompanisë së ndërtimit.

“F.H ka blerë pesë apartamente dhe 3 vendparkime makinash, të cilat janë likujduar të gjitha në vitet 2014-2015. Ne e kemi blerë apartamentin 4 vjet pasi pronari i kishte shlyer çdo detyrim firmës së ndërtimit,” tha Prela në seancë.

Komisioni deklaroi se do të shprehet për vendimin ndaj Donika Prelës në datë 29 janar, kohë në të cilën pritet të shqyrtojë disa materiale shtesë të dorëzuara nga prokurorja. Por, në deklarimin e Komisionit nuk u dha asnjë shpjegim nëse do të kryejë verifikime për apartamentin 110 mijë euro, për të cilin nuk ka realizuar asnjë kontroll deri në mbylljen e hetimit administrativ. / Boldnews

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY