Presidenti Nishani përkujton Betejën e Lopsit dhe luftëtarët tepelenas

Presidenti Nishani përkujton Betejën e Lopsit dhe luftëtarët tepelenas

178
0
Shares

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani zhvilloi një vizitë në Dhëmblan të Tepelenës ku u prit nga autoritetet vendore, përfaqësues të shoqatave të ish-të përndjekurve politikë, studiues dhe banorë të zonës. Pasi u mikprit ngrohtësisht nga të pranishmit, Kreu i Shtetit çmoi gjatë një ceremonie të veçantë me Dekoratën “Nderi i Kombit” Betejën e Lopsit 1914: “Për kontributin e lopsiotëve në luftën heroike me vlera kombëtare, të pagëzuar si “Rezistenca e Gribës (1914), si dhe sakrificat sublime të luftëtarëve që ranë dëshmorë në këtë betejë historike. Për vetëmohimin e burrave dhe grave të Dhëmblanit, Salarisë, Matohasanajt e Sinanajt të udhëhequr nga patriotët Ismail Kaso dhe Mersin Meçe, të cilët luftuan me atdhedashuri dhe mbrojtën të pacënuar kufijtë e atdheut”.
Kreu i Shtetit nderoi gjithashtu me të njëjtën dekoratë Baba Ahmet Turanin (pas vdekjes) “Si një ndër prelatët e shquar të bektashizmit në Shqipëri, personalitet e shtetar me influencë dhe kontribute të spikatura në realizimin e aspiratës sonë kombëtare, shembull i madh atdhedashurie, frymëzuesi dhe drejtuesi i “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” pas shpalljes së pavarësisë dhe i “Këshillit drejtues” të Luftës së Vlorës (1920)” si dhe luftëtarët e shquar për liri, në mbrojtje të interesave të kombit dhe vendosjes së demokracisë në Shqipëri: Mustafa Sadikajn, Jaho Islamin, Xhemal Asllanin si dhe Bajram Hamatajn.
Presidenti Nishani në fjalën e rastit shprehu mirënjohjen dhe vlerësimet për krahinën e Lopsit e Tepelenës me emër të shquar, me njerëzve të virtytshëm, me kontribute patriotike të spikatura dhe histori të lavdishme. “Jemi mbledhur këtu të nderojmë luftëtarët e Salarisë, Dhëmblanit, Matohasanaj, Sinanaj, Dorëz, që shkruan epopenë e lavdisë ndër shekuj që nga kryengritjet për liri e pavarësi kombëtare, nga beteja historike e Lopsit, e më pas të luftës së Vlorës në 1920 e më vonë. Po, kështu dhe në luftën për liri ndaj pushtuesve të të gjithë kohëve, të cilët donin të tjetërsonin identitetin tonë kombëtar, të gjithë banorët trima e atdhetarë të këtyre trevave u bashkuan me besë dhe kontribuuan ashtu siç dinë dhe bëjnë lopsiotët, si vëllezër, pa dallim bindjesh politike, fetare dhe sociale. Ata përdorën mendjet, zemrat dhe shpirtin e tyre të gërshetuar me krenarinë e papërkulur labe, duke bërë edhe sakrificat më sublime e duke shkrirë shtëpi e katandi e pasuri jo vetëm për t’u treguar të gjithë pushtuesve e shtypësve se ky vend ka zot, por edhe se e ardhmja do të ishte akoma edhe më e ndritur. Ata bënë historinë dhe Shqipërinë, duke nderuar Tepelenën e Labërinë. Ideali i tyre, i juaji dhe i yni i përbashkët, i patjetërsueshëm, historik e i pamohueshëm ka qenë dhe mbetet liria.”
“Në pothuaj pesë vjet, përgjatë ushtrimit të funksionit të Presidentit, në raste të panumërta kam qenë i privilegjuar të marr pjesë në nderimin e krahinave, ngjarjeve dhe personaliteteve. Për shumë arsye, shtetërore dhe rrethanave njerëzore që shpreha, Dhëmblanin, e çmova si vendin e duhur, të përsëris nderimin tim të palëkundur për apostujt e fesë, patriotët e mendjes, të pushkës dhe të penës që meritojnë të skaliten në memorien e nderit të historinë sonë kombëtare.
‘Të bashkuar për çështjet kombëtare dhe të mos harrojmë’ që nga Vermoshi e deri në Konispol kanë qenë dhe do të mbeten deviza dhe bindjet e mia të palëkundura deri në ditën e fundit si Presidenti i Republikës. Prandaj, edhe këtu nga Lopsi, e përsëris se e kemi detyrim dhe përgjegjësi që të mos harrojmë bëmat atdhetare, sakrificat sublime të parardhësve tanë, vizionin e tyre se e ardhmja e Shqipërisë dhe e kombit tonë do të ishte edhe më e mirë, pavarësisht të shkuarës së hidhur e të vështirë, për t’ua lënë ato si trashëgim dhe vlera historike brezave të rinj, të cilët duhet të jenë jo vetëm krenarë, por edhe t’i pasurojnë më tej ato!
E kemi përgjegjësi të përulemi emër për emër ndaj të gjithë atdhetarëve, personaliteteve të ndritura të mendjes dhe luftëtarëve të pushkës të Tepelenës, Labërisë, Lopsit dhe të mbarë shqiptarësisë që kanë sakrifikuar gjithçka për aspiratat kombëtare, për një Shqipëri të pavarur, të lirë, në paqe dhe të begatë.” – theksoi Presidenti Nishani.

Në përfundim të ceremonisë së dekorimeve dhe koncertit festiv me këngë labe, Presidenti i Republikës vendosi një buqetë me lule në Memorialin e Luftës së Lopsit të vitit 1914, duke bërë homazhe e duke u përulur me respekt e nderim ndaj kujtimit të luftëtarëve dhe atdhetarëve, të cilët janë gdhendur përjetësisht në kujtesën historike e të lavdishme të popullit shqiptar.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY