“Dosjet janë bërë pirg”, Meta i ashpër me drejtësinë: Nuk ka ende Gjykatë Kushtetuese

Ndaje

Teksa të gjithë flasin për sistemin e drejtësisë, dhe Presidenti Ilir Meta ka reaguar së fundmi, duke bërë dhe një apel të rëndësishëm.

Presidenti flet kryesisht  lidhur me dosjet e patrajtuara në Gjykatën e Lartë, si pasojë e largimit të shumicës së anëtarëve nga procesi i Vetingut. Meta shprehet se po shkelen të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë për të patur një shqyrtim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm dhe nga një gjykatë e caktuar me ligj.

Meta apelon se duhen marrë të gjitha masat që të garantohet sa më shpejt për qytetarët akses i plotë në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Postimi i plotë i Metës: 

Të dashur miq,

Të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë për të patur një shqyrtim gjyqësor brenda një afati të arsyeshëm dhe nga një gjykatë e caktuar me ligj, po cenohen haptazi nga grumbullimi i çështjeve të mbartura në Gjykatën e Lartë, për të cilat askush sot nuk mban përgjegjësi publike dhe askush nuk mundet t’u thotë qytetarëve se kur do të përfundojë shqyrtimi i tyre.

Sot askush nuk mban përgjegjësi publike edhe pse vendi nuk ka ende Gjykatë Kushtetuese, ku dosjet që presin radhën për shqyrtim janë bërë pirg!

Reforma u bë për qytetarët dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë duhet t’i shërbejë vetëm qytetarëve.

Duhen marrë të gjitha masat që të garantohet sa më shpejt për qytetarët akses i plotë në të gjitha shkallët e gjyqësorit, dhe brenda një afati të arsyeshëm, si dhe të garantohen të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve që të mos cënohen nga mosfunksionimi i Gjykatës së Lartë.

Ju ftoj të lexoni dhe shqetësimin e drejtë që ngre për këtë çështje raporti i INFOÇIP!

Loading...

Leni një përgjigje