Si kryhet tranzicioni i pushtetit ne SHBA, Biden nis zyrtarisht procedurat

Si kryhet tranzicioni i pushtetit ne SHBA, Biden nis zyrtarisht procedurat

42
0
Shares

Duke filluar nga tani e deri në inaugurimin e tij më 20 janar, Presidenti i zgjedhur Joe Biden do të fillojë të ndërtojë administratën e re, e cila do të nisë punën për realizimin e vizionit të tij politik si dhe për të trajtuar menjëherë çështjet e sigurisë kombëtare.

Zoti Biden tani mund të marrë fonde të caktuara nga Agjencia e Shërbimeve Qevertare (GSA) dhe të ketë qasje në informacionet e inteligjencës, në bazë të një ligji të vitit 1964, që ka si qëllim realizimin e një tranzicioni të rregullt të pushtetit ekzekutiv.

Ekipi i tranzicionit fitoi qasje në një domen qeveritar interneti dhe emaili, duke krijuar pa humbur kohë një faqe të quajtur buildbackbetter.gov.

Zoti Biden do të marrë informacion sekret në lidhje me kërcënimet e sigurisë kombëtare, operacionet e fshehta ushtarake dhe vendimet në pritje që mund të ketë administrata Trump për një përdorim të forcës ushtarake.

Anëtarëve të ekipit tranzicionit dhe njerëzve të zgjedhur për postet e sigurisë kombëtare do të fillojnë t’u jepen lejet e sigurisë, të nevojshme për kryerjen e detyrave të tyre. Të emëruarit kryesorë mund të marrin pjesë gjithashtu në seanca orientuese për t’i njohur ata me punën dhe praktikat e agjencive qeveritare.

Administrata Trump do të kryejë me stafin e zotit Biden ushtrime për të provuar gatishmërinë për situata emergjente.

Krerët e agjencive qeveritare do të fillojnë të punojnë me zyrtarët e tranzicionit në mënyrë që të sigurojnë një kalim të qetë dhe ekzekutim të pandërprerë të operacioneve qeveritare. Kjo përfshin fusha të tilla si komunikimi me ekspertët e shëndetit publik në lidhje me planet e shpërndarjes së vaksinave të koronavirusit.

Ekipi i presidentit të zgjedhur do të ketë në dispozicion deri në 6.3 milion dollarë për operacionet e tij të tranzicionit. Ai do të ketë qasje në hapësirat federale, duke përfshirë zyrat ku zotit Biden do t’i bëhen raportimet për çështjet e ndjeshme të inteligjencës.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden nisi sot një fazë të re në tranzicionin e tij drejt Shtëpisë së Bardhë pasi administrata Trump i lejoi atij qasje në fonde dhe burime të tjera që do t’i mundësojnë të marrë frenat e pushtetit në janar.

Njoftimi i Administratës së Shërbimeve Qeveritare të hënën mbrëma se do të njihte zyrtarisht tranzicionin e zotit Biden erdhi pas pretendimeve të pambështetura në fakte, të bëra nga Presidenti Trump, se në zgjedhjet e 3 nëntorit kishte patur mashtrim në shkallë të gjerë.

Në një postim në Twitter, Presidenti Trump ofroi mbështetje për fillimin e tranzicionit të pushtetit.

Kritikët kanë thënë se refuzimi i tij për të pranuar rezultatet minon demokracinë si dhe aftësinë e administratës së re për të luftuar kundër pandemisë së koronavirusit.

Dy zyrtarë të administratës Trump thanë se ekipet e zotit Biden mund të fillojnë të komunikojnë me zyrtarët e agjencive qeveritare, duke filluar që nga e marta.

Një zëdhënëse e Pentagonit, tha se Departamenti i Mbrojtjes ishte kontaktuar nga ekipi Biden-Harris.

Në zgjedhjet e 3 nëntorit, zoti Biden mori 306 vota elektorale kundrejt 232 të marra nga Presidenti Trump. Ai siguroi gjithashtu një epërsi prej më shumë se 6 milion votash popullore në shkallë vendi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY