Kontrata PPP e sterilizimit i kushton shëndetësisë përtej parashikimeve

Kontrata PPP e sterilizimit i kushton shëndetësisë përtej parashikimeve

69
0
Shares

Nga Anila Hoxha

Pesë vjet pasi u nënshkrua kontrata e seteve kirurgjikale po i kushton gjithnjë e më shtrenjtë financave të shëndetësisë, ndërkohë që mjekët dhe kirurgët kanë filluar të përdorin autoklavat e vjetra për të bërë detyrën dhe për të pasur kostot nën kontroll.

Kontrata e Partneritetit Publik Privat për sterilizimin e instrumenteve kirurgjikale është në vitin e pestë të operimit dhe ka shënuar rritje të kostove që parashikohet të jetë me gati 30%. Nga 9.6 miliardë lekë që kushtonte në vitin 2015, sterilizimi pritet tashmë të kushtojë 12.3 miliardë lekë në total.

Pagesat realizohen sipas skemës “përdor-paguaj”, ndaj rritja e numrit të ndërhyrjeve sjell rritje “pa tavan” të pagesave. Megjithatë, numri i operacioneve nuk është kalkulimi i vetëm i gabuar që rëndon sot mbi financat e sektorit të shëndetësisë.

Sipas raportimeve të BIRN mjekë dhe kirurgë të spitaleve të ndryshme të Tiranës pohuan se formula e zgjedhur shpesh herë i rrit kostot edhe fiktivisht. Mjekët pranuan se kishin përdorur sete të shtrenjta për mikrokirurgjitë dhe ishin detyruar shpeshherë që të hapnin dy ose tre sete gjatë një operacioni, për të gjetur instrumentin kirurgjikal që u nevojitej.

Një vlerësim i bërë nga Kontrollit të Lartë të Shtetit konstaton që kontrata e sterilizimit është hartuar në kushte favorizuese vetëm për koncesionarin dhe në vazhdimësi mund të sjellë probleme për financimin e saj.

Kontrata PPP është një nga dosjet e para të bujshme që përfundoi në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe prej 11 muajsh po hetohet për tre vepra penale të lidhura me korrupsionin.

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, e mbrojti kontratën me një përgjigje me shkrim për BIRN, pavarësisht kostove të rritura dhe akuzave të regjistruara nga Prokuroria.

“Kanë kaluar tashmë më shumë se 4 vjet nga ndërhyrja e parë kirurgjikale e realizuar me këtë shërbim të ri, por në dijeninë time asgjë nuk ka shkuar keq.

Përkundrazi, tashmë është e provuar se shërbimi kirurgjikal në çdo sallë operacioni të Shqipërisë është ndryshuar radikalisht dhe se çdo kirurg apo obstretër në Shqipëri operon në kushte shumë më të mira steriliteti me instrumenta kirurgjikale të gjeneratës së fundit,” tha Beqja.

Ndërsa kompania koncesionare ‘SaniService’ nuk ka pasur një reagim.

Dhurimi i stacionit të sterilizimit

Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale është një nga 4 projektet e Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, që nisi te programi i qeverisjes së kryeministrit Edi Rama pas ngjitjes së tij në në pushtet në vitin 2013.

Kontrata u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.

Dokumentet të siguruara nga BIRN, tregojnë që nëpërmjet një hetimi të zhvilluar në 2016 nga Prokuroria e Tiranës kompania koncesionare e nisi punën nga një stacion modern sterilizimi i ndërtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me kredi të qeverisë shqiptare, por që nuk ishte vënë për asnjë ditë në punë.

Një raport i KLSH tregon që pajisje me vlerë mbi 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.

Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion.

Dokumentet e hetimit tregojnë gjithashtu se Ministria e Shëndetësisë e paracaktoi dhënien e shërbimit me koncesion dhe u përball me hezitimin e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për ta miratuar pasi paralajmëroi rritjen e kostove përtej tavaneve buxhetore, por e miratoi kontratën me kushtin që financimi i projektit të respektonte rigorozishtlimitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime.

Ndryshe nga parashikimi në studimin e fizibilitetit, Ministria e Shëndetësisë paguan çdo vit një faturë edhe më të shtrenjtë sesa investimi fillestar prej 11 milionë eurosh –me kosto që luhaten në një mesatare vjetore prej 1.6 miliardë lekësh ose gati 13 milionë euro.

Fryrja e kostove

Në dy maternitetet e Tiranës, Koço Gliozheni dhe Mbretëresha Geraldinë, janë rikthyer instrumentet tradicionale për një pjesë të madhe të lindjeve natyrale.

Sipas një mjeku gjinekolog setet kirurgjikale janë të panevojshme për lindjet natyrale “Ndryshe nga operacionet, një lindje natyrale ka nevojë për dy-tre instrumente ndaj na është kërkuar verbalisht, nën rekomandimin e Ministrisë së Shëndetësisë, që në këto raste të minimizohet përdorimi i paketave me instrumenta të sterilizuar.

Ne realizojmë mesatarisht 30 ndërhyrje dhe lindje në ditë. Të blesh një set kirugjikal kushton mesatarisht 40 mijë lekë të reja…E kuptoni se sa shumë është rritur kostoja e një ndërhyrjeje kirugjikale?”

Dy maternitetet e Tiranës u fajësuan pjesërisht për rritjen e kostove në vitin 2018, pasi një grup kontrolli nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor verifikoi se për lindjet natyrale ishin përdorur paketa të kompleksitetit të ulët dhe mjekët u këshilluan që për lindjet normale të përdornin sete të sterilizimit me avull, të cilat kushtojnë 319 lekë copa.

Pjesa tjetër i faturohet mikrokirurgjive, të cilat nuk numëroheshin si ndërhyrje përpara dhënies së shërbimit me koncesion.

Problematike është edhe grupimi i instrumenteve brenda një seti apo mungesat e shpeshta të paketës së vogël prej 319 lekësh, që i detyron ata të shpërdorojnë setet kirurgjikale.

“Problemi qëndron se për një ndërhyrje, ne mund të hapim edhe deri në tre sete, sepse nuk gjejmë dot të gjitha instrumentet që na duhen në njërin set,” thotë një kirurg. “Unë në sallë operacioni mendoj se si të shpëtoj jetën e pacientit dhe jo sa lekë po harxhoj,” shtoi ai, duke pohuar se presioni mbi kostot rëndon vazhdimisht mbi punën e tyre.

Ulje çmimesh apo ulje ndërhyrjesh

Në vitin 2018, numri i ndërhyrjeve të raportuara nga të gjitha spitalet e vendit kapërceu në 90 mijë, nga 63 mijë të parashikuara në kontratë. Nga 1.6 miliardë lekë të planifikuara për t’u paguar në vitin 2018, vlera u rrit në 2.1 miliardë, përfshirë një pjesë të detyrimeve edhe për vitin 2019.

Tejkalimi i tavanit të miratuar buxhetor e detyroi Ministrinë e Shëndetësisë të urdhëronte një “moratorium” të shkurtër për ndërhyrjet e planifikuara si dhe të rinegocionte termat e kontratës me kompaninë koncesionare.

Negociatat me kompaninë SaniService u mbyllën në janar 2020. Ministria arriti të reduktonte me 25% çmimet vetëm për setet që tejkalojnë tavanin e parashikuar në kontratë prej 63 mijë ndërhyrjesh. Ministria tha gjithashtu se kjo zbritje shtrihet edhe për paketimet në avull mbi limitin prej 63 mijë setesh. Reporter.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY