Sulmohet ambasada e Malit të Zi në Beograd, reagon PD: Heshtja e qeverisë e papranueshme

Ndaje

Partia Demokratike ka reaguar pas sulmeve mbi ambasadën e Malit të Zi në Beograd. Në një deklaratë zyrtare, PD shprehet se në përbërje të turmave dhe në drejtim të tyre kanë qenë grupe dhe eksponentë radikalë me të shkuar kriminale, shumë prej tyre pjesë e forcave paramilitare serbe, që kanë kryer masakra gjatë luftrave në ish-Jugosllavi.

PD thekson se etja e pashuar e qarqeve në Beograd për dominim kërcënon seriozisht stabilitetin e Ballkanit dhe se kjo veprimtari tejkalon konfliktet ballkanike dhe përbën një akt të hapur provokimi ndaj NATO-s, BE-së dhe paqes e stabilitetit në rajonin tonë.

Ndërkaq PD e cilëson të papranueshme heshtjen e qeverisë së Tiranës lidhur me përpjekjet e përsëritura për të destabilizuar Malin e Zi.

DEKLARATA E PARTISË DEMOKRATIKE

Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është vënë në epiqendër të sulmeve ambasada e Malit të Zi në Beograd. Përveçse një akt i rëndë, shqetësim sjellin raportimet se në përbërje të turmave dhe në drejtim të tyre kanë qenë grupe dhe eksponentë radikalë me të shkuar kriminale, shumë prej tyre pjesë e forcave paramilitare serbe, që kanë kryer masakra gjatë luftrave në ish-Jugosllavi.

Etja e pashuar e qarqeve në Beograd për dominim kërcënon seriozisht stabilitetin e Ballkanit. Përpjekja e përsëritur për të destabilizuar Malin e Zi synon gjithashtu, të devijojë dhunshëm orientimin euroatlantik të këtij vendi.

Kjo veprimtari tejkalon konfliktet ballkanike dhe përbën një akt të hapur provokimi ndaj NATO-s, BE-së dhe paqes e stabilitetit në rajonin tonë.

Partia Demokratike e Shqipërisë mbështet plotësisht orientimin euroatlantik të Malit të Zi, mbështet vendimet e institucioneve të zgjedhura të këtij vendi në konsolidimin e sovranitetit të shtetit.

Është e papranueshme heshtja e qeverisë së Tiranës lidhur me këtë situatë të rënduar në Mal të Zi. Kreu i kësaj qeverie ka zgjedhur të mbyllë gojën përballë këtij përshkallëzimi të rrezikshëm të Beogradit kundër stabilitetit dhe sovranitetit të Malit të Zi. Kjo heshtje bëhet edhe më e rëndë, kur Shqipërisë i është lënë në dorë kryesimi i OSBE-së, organizatës që motiv të ekzistencës ka sigurinë dhe standartet demokratike te bashkëjetesës.

Partia Demokratike u bën apel organizmave ndërkombëtarë që të monitorojnë me vëmendje këtë situatë krize, të nxitur nga forca e vullnete që kërkojnë devijimin e Malit të Zi dhe krejt rajonit nga kursi euroatlantik, i përcaktuar nga vullneti i lirë qytetarëve të saj, drejt një kursi të kundërt, të dëmshëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, të imponuar nga vullneti i klikave të korruptuara, antidemokratike, me joshje totalitariste.

/DRONI.al/

loading...
Loading...

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

Leni një përgjigje