Plotfuqishmëria për marrëveshjen me Greqinë, Presidenti Ilir Meta nuk jep autorizimin: Kërkesa e paqartë – Ja kur e bën publik qëndrimin

Ndaje

Kreu i shtetit Ilir Meta ka bërë publike letër-përgjigjen dërguar Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, ku shprehet për kushtet që duhen plotësuar për dhënien e autorizimit.

Në letrën e tij, Ilir Meta vëren se kërkesa nuk përkufizon qartë objektin e negociatave për të cilin kërkohet Autorizim për Plotfuqi. Meta kërkon të qartësohet në mënyrë të mirëpërcaktuar objekti i kërkesës për negocim, duke përmbushur të gjitha mangësitë e konstatuara, si dhe të paraqiten informacionet shtesë të kërkuara.

“Si konkluzion, përcaktimi i qartë i objektit të negocimit dhe vënia në jetë e detyrës së marrë nga grupi negociator që formalizohet në aktin e Autorizimit për Plotfuqi që Presidenti i Republikës lëshon nëpërmjet delegimit është një kërkesë e qartë e neneve 3, 4, 7 dhe 92/ë, të cilat shpjegohen gjerësisht në mënyrë shteruese në Vendimin nr. 15/2010, të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në letrën e Presidentit.

Grupi i negocimit është një tjetër pikë që për kreun e shtetit nuk është i qartë. Sipas kreut të shtetit, grupi negociator që do të realizojë negociatat, duhet të përfaqësojë ekspertizën më të thelluar dhe më të mirë profesionale në të gjitha fushat në interes të negocimit, me qëllim që niveli i përfaqësimit të Shtetit Shqiptar dhe mbrojtja e interesave të tij të realizohet në lartësinë e kërkuar nga interesat e vendit.

“Së dyti, kërkesa për dhënien e Autorizimit për Plotfuqi, siç rezulton nga kërkesat e Kushtetutës, Vendimit nr. 15/2010 të Gjykatës Kushtetuese, ligjit nr. 43/2016, por edhe nga praktika tashmë e konsoliduar në këtë drejtim, duhet të përcaktojë qartë se cila do të jetë përbërja nominale e grupit negociator, pra jo vetëm me emërtesat e institucioneve, por dhe emrat konkret të personave dhe funksionet dhe profesionet që ata përfaqësojnë. Në kërkesë nuk përcaktohet se kush do të jetë personi që do të udhëheqë Grupin Negociator, gjë që është tepër e rëndësishme nisur nga përvoja jo pozitive në të kaluarën”, vijon kreu i shtetit.

Tjetër problem për z. Meta është edhe çështja e standardeve dhe metodologjisë të përdorshme për negocim. Në përfundim, presidenti thotë se plotësimi i këtyre kritereve e kërkesave të parashtruara e të konstatuara më sipër, përbën domosdoshmëri kushtetuese për marrjen e vendimit për pajisjen me Autorizim për Plotfuqi, të kërkuar me shkresën nr. 2428 prot., datë, 13.02.2018.

Në funksion të transparencës me opinionin publik, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta vlerëson të bëjë publik qëndrimin e tij lidhur me “Kërkesën për autorizim negociatash me palën greke” dërguar Ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme, ditën e premte, datë 16 shkurt 2018, dhe po në funksion të transparencës Presidenti i Republikës së Shqipërisë Ilir Meta do të mbajë një konferencë shtypi në Institucionin e Presidencës sot, me datën 20 shkurt 2018, në orën 13:00.

loading...
Loading...

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

Leni një përgjigje