Kë ka zgjedhur Nishani: Në krah të Bashës apo me Patozin, Topallin...

Kë ka zgjedhur Nishani: Në krah të Bashës apo me Patozin, Topallin dhe të tjerët

68
0
Shares

Presidenti Nishani ka komentuar zhvillimet në PD ndërkohë që ka lënë të kuptohet se do të ketë një angazhim në politikë, gjatë një interviste në Ora neës tek Arena e Dritan Hilës.

 

Nishani: Askush nuk ka privilegjin moral për të përcaktuar vendimmarrjen e anëtarëve të PD-së.

Hila: Si i gjykoni zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike ku një grup personalitetesh të saj si Topalli, Patozi, Imami, Bregu, patën një përplasje me z.Basha. Mendoni se kjo e ka dobësuar Partinë Demokratike?

Nishani: Së pari është e drejta e gjithsecilit të shfaqë mendimet, mos pëlqimet, vërejtjet, kontestimet e tij. Emrat që përmendët janë njerëz që kanë pasur kontribute të gjata në Partinë Demokratike. Janë njerëz që kanë pasur edhe privilegje nga PD-ja, pra edhe kanë dhënë dhe kanë marrë. Unë jam njëri prej tyre që kam marrë shumë privilegje nga Partia Demokratike. Më është dhënë mundësia që të bëhesha deputet. Nuk u bëra deputet vetëm me votën time dhe familjes sime. Më kanë dhënë privilegjin të bëhem ministër. Kam pasur privilegjin të bëhem President, sepse ka qenë vota dhe besimi i tyre që të bëhem unë President. Të gjitha këto janë besim dhe privilegj. Edhe këta zotërinj kanë marrë privilegje nga PD-ja.

Unë besoj që nuk ka askush priviligjenin moral për të përcaktuar vendimmarrjen e anëtarësisë së Partisë Demokratike. Ka të drejtën morale të thotë fjalën e vet. Por askush nuk mund të kundërvihet, anatemojë, vendimin, qëndrimin e anëtarësisë së PD-së. Është vetëm anëtarësia e PD-së, ata që na bënë ne ministra, që na bënë neve deputetë, e kështu me radhë, ata kanë të drejtën të përcaktojnë kush është kryetari i PD-së, ata kanë të drejtën të kenë alternativat. Kush kërkon dhe mendon se ka një alternativë për ta duhet të ofrohet, duhet të ketë gjithë aksesin për të paraqitur alternativën tek anëtarësia e PD-së, por askush nuk ka të drejtën morale të atakojë dhe të fyej qëndrimin dhe vendimmarrjen e anëtarëve të PD-së.

Nishani: Këto do të jenë 4 vite të vështira për Shqipërinë

Hila: Z.Nishani jemi në kushtet kur e majta ka një zotërim të frikshëm të pushtetit, kryeministrin, Presidentin. PD ngjan vërtetë një minorancë. Linja më e mirë duhet të jetë linja agresive e opozitës apo linja e ndjekur 4 vitet e shkuara ku kishim një opozitë “soft”?

Nishani: Këto do të jenë 4 vite të vështira për Shqipërinë dhe shqiptarët për fatin e keq, në aspektin ekonomik, në aspektin social. Këtë konkluzion e bëj nga ajo çfarë ndodhi nga kjo alternativë qeverisëse gjatë 4 viteve të shkuara. Nuk do të ketë ndryshim.

Hila: Nuk mendoni se do të ketë përplasje PS-LSI?

Nishani: Nuk ka rëndësi. Përplasja e LSI-së me PS-në nuk do të sjellë ndryshime në standardin ekonomik të Shqipërisë. Standardi ekonomik vjen nga qasja e politikave të qeverisë. Nga angazhimi i qeverisë, nga largpamësia e qeverisë. Përplasjet politike nuk thonë asgjë. Janë thjesht eksplodime partiake apo individuale që kanë qenë dhe janë normale. Pa dyshim është edhe situata shumë sfiduese që ka e djathta dhe pa dyshim Partia Demokratike që është forca kryesore e opozitës dhe së djathtës. Ka sfida të mëdha, është një proces prove shumë të fortë. Unë e quaj pozitive mbylljen e procesit të brendshëm partiak se sa një zgjatje që do të ishte në dëm të PD-së në tërësi dhe në dëm të atmosferës së përgjithshme. I uroj suksese zt.Basha për rizgjedhjen në krye të Partisë Demokratike. Besoj që zt.Basha i ka të gjitha potencialet intelektuale dhe njerëzore për ta udhëhequr dhe drejtuar në rrugën e opozitarizmit të fortë PD-në dhe kur them opozitarizëm të fortë nuk kam parasysh vetëm thirrje dhe dhunë. Edhe thirrjet duhen. Opozita e ka modelin e saj në çdo vend demokratik. Së fundmi kemi protesta të fuqishme në Poloni me qytetari. Presidenti i cili e mbronte deri para pak kohësh nismën ligjore, për shkak të presionit të madh qytetar i vuri veton nismës ligjore për sistemin e drejtësisë. E mora si shembull pa dashur të ndërhyjë në punët e brendshme të atij vendi. E djathta në Shqipëri ka një provë dhe një sfidë shumë të madhe dhe besoj se i ka kapacitetet dhe mundësitë t’i japë Shqipërisë një opozitë të fortë, një alternativë shprese por gjithkush është në test. Qeverinë dhe kryeministrin nga njëra anë dhe opozitës nga ana tjetër. Shtatori duhet të nisë me një aksion të fortë opozitar. Janë shumë çështje përpara, reforma të mëdha, të cilat pa opozitën, qëndrimin e fortë profesional mund të krijojnë probleme serioze në tërë sistemin politik të vendit dhe institucional.

Çfarë synon Nishani në vijim

Hila: Do ta rimerrni teserën e PD-së apo keni vendosur t’i rrini larg politikës aktive të rreshtuar?

Nishani: Unë jam rritur politikisht pranë Partisë Demokratike. Jam anëtarësuar në vitin 1991. Kur u lejua ligji i pluralizmit, u largova tek Ministria e Mbrojtjes ku nuk mund të ishe anëtar Partie deri në 1997. Në ’97-n e më tej kam pasur funksione të larta në PD. Jam rritur politikisht tek PD, tek e djathta dhe kur e them tek e djathta nuk e them tek aspekti i ngushtë ideologjik, por tek parimet e djathta, tek konservatorizmi i pleksur me fytyrën sociale të Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë për një model konservatitorizmi të forcimit të institucioneve të shtetit, të luftës kundër krimit të organizuar, dhe të ndërtimit të disa kolonave strikte që do të thotë që nga Presidenti i Republikës, tek kryeministri e deri tek qytetarët e thjeshtë të jenë “skllav” të respektit të këtyre kolonave dhe gjykimi të vij nga këto kolona. Të familjes, të vlerave të familjes, të ekonomisë së lirë dhe konkurrencës, të lirisë së mediat dhe lirisë së individit dhe të patriotizmit dhe nga ana tjetër, Shqipëria e cila nuk ka ngjashmëri me disa vende të Evropës të konsoliduara ka nevojë për disa politika të forta sociale, jo abuzuese por sociale. Ne kemi nevojë të ndihmojë njerëzit në nevojë, familjet e varfra, gratë veçanërisht siç janë ato kryefamiljare, fëmijët, shkollimi dhe shëndetësia. Në aspektin e investimeve, Shqipëria duhet të shpenzojë dy të tretat e buxhetit të saj në shëndetësi, në gjykimin tim, dhe në arsim.

Hila: Me sa kuptoj do të ktheheni prapë në politikën aktive?

Nishani: Nuk mund ta them konkretisht se çfarë do të ndodhë nesër. Unë thashë që Shqipëria dhe shqiptarët kanë investuar shumë tek unë dhe është momenti t’ua kthej atyre pa shpërblim. Pa shpërblim do të thotë që nuk synoj më poste qeveritare për të përfituar nga shteti. Unë do ta ndjek shumë afër politikën  dhe do të prononcohem vazhdimisht për çështjet e politikës.

Hila: Juve keni arritur në një moshë të re gjëra që shumë pak njerëz i kanë arritur në një moshë të vonë. Ju uroj suksese.

Nishani: Ishte një ftesë shumë e veçantë në fund të mandatit dhe shumë miqësore sepse shpesh herë në fund të mandatit nuk ke shumë ftesa.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY