VENDIMI/ Nga 1 prilli TVSH-në do ta paguajnë edhe 22 mijë biznese të tjera

Ndaje

Këshilli i Ministrave ka vendosur që nga data 1 prill e vitit të ardhshëm, bizneset që kanë një xhiro vjetore 2 milionë lekë do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Vendimi u mor nga Këshilli i Ministrave në fund të javës së kaluar. Të vetmet kategori që nuk do të përfshihen në pagimin e TVSH-së, sipas vendimit të qeverisë janë subjektet që kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë. Edhe për prodhuesit bujqësorë që i nënshtrohen regjimit të veçantë, skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë, është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Vendimi nuk parashikon përjashtime për profesionet e lira dhe subjektet që ofrojnë shërbime (p.sh. parukeri etj.). Më këtë vendim të qeverisë pritet të hyjnë menjëherë në skemë rreth 22 mijë biznese që sot deklarojnë qarkullim vjetor më të madh se 2 milionë lekë dhe presioni do të jetë i lartë edhe për 25 mijë biznese të tjera që deklarojnë nën 2 milionë lekë, por vlerësohet që e kalojnë këtë kufi. Pra në total rreth 47 mijë biznese do të duhet të paguajnë TVSH nga gjysma e parë e vitit të ardhshëm.

Leni një përgjigje