Meta: Integrimi ynë varet nga forcimi i sundimit të ligjit dhe ecuria...

Meta: Integrimi ynë varet nga forcimi i sundimit të ligjit dhe ecuria e reformës në drejtësi

102
0
Shares

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Bashkinë e Prrenjasit, ku u mikprit nga Kryebashkiakja Miranda Rira dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor. Fillimisht Presidenti Meta dhe autoritetet vendore së bashku me ambasadorin turk Murat Ahmet Yörük, në prani të rreth 80 fëmijëve dhe nënave të tyre, përuruan çerdhen e vetme të rikonstruktuar të Prrenjasit, rindërtimi i së cilës u bë i mundur në saje të investimit dhe mbështetjes së Fondacionit “TIKA”.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen dhe falënderoi si qeverinë turke, ashtu edhe angazhimin e jashtëzakonshëm të “TIKA-s” duke u shprehur se, “Pata fatin ta nis ditën kaq bukur sot me këta fëmijë këtu në Bashkinë e Prrenjasit, të cilët janë kaq të lumtur në këtë mjedis të ri tërësisht të transformuar, që u jep krahë ëndrrave të tyre, dhe që njëkohësisht ka krijuar mundësi të reja jo vetëm për fëmijët, por ajo që është shumë e rëndësishme, edhe për nënat e tyre, që edhe ato të jenë më të qeta e më të sigurta.”

Më pas, Presidenti i Republikës mori pjesë në veprimtarinë kushtuar grave me temë “Perspektiva në Shqipërinë e ardhshme evropiane” në të cilën ishin të pranishëm edhe zëvendësambasadori i Bashkimit Evropian, Mario Mariani, deputetja Klajda Gjosha, gra dhe vaja të Prrenjasit, etj.

Duke iu drejtuar pjesëmarrësve Presidenti Meta u shpreh se, “Meqenëse jemi në një moment të rëndësishëm të integrimit evropian, kemi marrë një rekomandim pozitiv nga Komisioni Evropian, dua të shpreh besimin tim duke u përqendruar edhe njëherë në proritetet kyçe në ditët dhe javët që vijnë, dhe sidomos në aspektet kryesore që kanë të bëjnë me forcimin e sundimit të ligjit dhe të ecurisë së reformës në drejtësi, ne mund të kemi një vendim plotësisht pozitiv të Këshillit në një të ardhme shumë të shpejtë.

Megjithatë integrimi nuk është thjesht qëllim në vetvete, por padyshim që është forca më e madhe transformuese, e cila na ka ndihmuar të gjithëve të përqendrohemi, të kemi në axhendë dhe të ecim në drejtimin më të mirë për vendin dhe për shoqërinë tonë, por në fund fare integrimi përkthehet në një standard më të mirë të jetesës së secilës prej jush dhe të familjeve tuaja, sidomos të fëmijëve tuaj”.

“Reforma administrative, që synonte t’i jepte fund një fragmetarizimi të jashtëzakonshëm të pushtetit vendor dhe natyrisht që ishte një hap pozitiv që duhet shoqëruar deri në fund edhe me të gjitha elementet e tjera, që i japin një autonomi më të plotë financiare, edhe vendimmarrjeje, pushtetit vendor për t’iu përgjigjur plotësisht këtyre sfidave, me të cilat ndeshet komuniteti si dhe për të pasur mundësi për të bërë politika zhvillimi afatgjata.

Problemet janë të krijuara dhe të prapambetura dhe nuk mund të zgjidhen brenda një dite, por çdo ditë me një program të qartë dhe përfshirës duke pasur në konsideratë vetë resurset e zonës, burimet natyrore dhe njerëzore. Njerëzit më të aftë, më krijues, më sipërmarrës mund të bëhen mjaft transformime, të cilat mund t’i ndiejë i gjithë komuniteti. Roli i grave nuk është thjesht treguesi thelbësor se sa gra kemi në parlament. Kjo ka rëndësinë e saj. Nuk është tregues thelbësor se sa kemi në qeveri apo qoftë se sa kemi në krye të bashkive a këshillave tona, por thelbësor është standardi i pozitës së gruas në familje, në shoqëri, në komunitet, dhe mundësitë e saj për të qenë një kontribuese e barabartë për familjen, dhe për ta fuqizuar atë çdo ditë kudo. Që do të thotë se gratë kudo ku janë duhet të ndërmarrin më shumë iniciativa për ligje në mbështetje të fuqizimit ekonomik dhe social të gruas. Në mbështetje të kushteve më të mira që nga çerdhet, që nga kopshtet, edukimi i fëmijëve, nga kujdesi shëndetësor, që nga punësimi, që nga formimi profesional, sepse shumë gra nuk kanë mundësi të hyjnë në tregun e punës për arsye se nuk kanë pasur mundësinë të hyjnë në një profesion të caktuar.

Sigurisht që këto iniciativa nuk janë vetëm çështje dhe sfida të grave që janë në parlament apo në institucione, por padyshim që janë në radhë të parë të vetë burrave. Por gratë, duke luftuar më fort për këto çështje kanë mundësinë që të t’i ndihmojnë burrat të mos shpërqendrohen me debate shterpë, që na bëjnë të humbasim kohën me çështje thjesht të karakterit të përgjithshëm politik”, vuri në dukje Presidenti i Republikës.

“Dua të theksoj njëkohësisht edhe rëndësinë e madhe që ka vëmendja ndaj bashkive të tilla siç është Prrenjasi, por jo vetëm ajo. Edhe bashki të tjera, të cilat janë ndeshur me një masë tranzicioni, në këtë situatë të deindustrializimit, ku ka pasur dhe ka ende një papunësi masive, dhe ku nuk ka një orientim të ri drejt mundësive të reja për punësim apo për nxitje sipërmarrjeje apo për investime.

Mendoj se kjo është mjaft vendimtare, ashtu sikurse është shumë e rëndësishme ta kuptojmë të gjithë: qeveria, opozita, pushteti vendor kudo që e ardhmja e Shqipërisë mbështetet fort në zhvillimin e bujqësisë dhe të turizmit. E theksoj këtë për arsye se duke i dhënë një mbështetje më të madhe jo vetëm buxhetore këtyre sektorëve, jo vetëm fiskale dhe në të gjitha aspektet e tjera, ne të bëjmë të mundur përmes një mbështetjeje më të madhe të zhvillimit të bujqësisë e të turizmit, të bëjmë të mundur që nga zhvillimi i këtyre dy degëve shumë të rëndësishme, të përfitojë shumica e familjeve të Shqipërisë. Kjo është tepër e rëndësishme dhe e theksoj këtë duke pasur parasysh se ne po dëmtojmë pa dashje, nuk mund të them me dashje, tani që po i ndeshim në terren këto vështirësi, mund t’i dëmtojmë edhe me dashje, potencialet turistike të zonave tona të ndryshme, sidomos përmes dhënies pa hesap të koncesioneve për HEC-e, pa studime të mirëfillta dhe pa vendosur në balancë atë që fitohet në një plan afatshkurtër me atë që dëmtohet në një plan afatgjatë, që është pikërisht zhvillimi i turizmit dhe përfitimi i komunitetit dhe i popullsisë sonë prej kësaj gjëje. Sepse kjo do të na ndihmojë që të përballojmë edhe sfidat e urbanizimit në kohët e sotme ku të gjithë kanë pasur, dhe ende kanë tendencën, të shkojnë drejt Tiranës dhe qendrave më të mëdha, duke krijuar probleme të jashtëzakonshme sociale, ekonomike, infrastrukturore dhe shërbimi në këto qendra, të cilat ende nuk kanë qenë të përgatitura për të integruar këto fluske migratore nga zonat e tjera të vendit, por njëkohësisht edhe duke braktisur zona të tilla, të cilat kanë mundësi dhe burime për t’u zhvilluar, në mënyrë që edhe vendi të ketë një zhvillim sa më të qëndrueshëm, por edhe sa më harmonik”, nënvizoi Presidenti Meta.

“Besoj se Shqipëria ka më shumë mundësi të përfitojë nga gratë dhe vajzat e saj, sepse i ka të zonjat, por ato duhet të kenë më shumë guxim, më shumë besim në aftësitë e tyre, më shumë vendosmëri.

Mendoj se gratë duhet të marrin frenat në dorë, sepse përndryshe edhe Shqipëria do të ketë probleme të mëdha, por edhe familja do të ketë probleme të mëdha. Mos të harrojmë se nuk janë gratë ato që luajnë bixhoz, ato që luajnë loto, ato që promovojnë vese të tjera, që dëmtojnë familjen, shoqërinë, fëmijët.

Duke e ndjerë këtë përgjegjësi për familjen, për fëmijët, për shoqërinë, për vendin, ato të bashkuara mund t’i japin një dinamikë tjetër komunitetit, shoqërisë, vendit, dhe të fitojnë atë vend që ato e meritojnë dhe pa të cilin, Shqipëria nuk mund të jetë plotësisht evropiane”, përfundoi fjalën e Tij Presidenti Meta.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY