KLSH con në prokurori kryetarin e bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu

KLSH con në prokurori kryetarin e bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu

289
0
Shares

KLSH ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, kallëzimin penal ndaj Bashkim Shehut me detyrë Kryetar i Bashkisë Kukës dhe Titullar i Autoritetit Kontraktor me akuzën e konsumimit të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, ndërkohë ka kërkuar nga organi i Prokurorisë që të shtrijë hetimet edhe drejt saktësimit të përgjegjësisë penale të një sërë nëpunësve dhe ish-nëpunësve të tjerë të këtij bashkisë së Kukësit.

KLSH, me qëllim përmirësimin e situatës, i ka rekomanduar Bashkisë Kukës masa me karakter organizativ në lidhje me eliminimin e praktikave që kanë sjellë impakt negativ në buxhetin e institucionit, kryesisht në administrimin e tatimeve dhe taksave, në vlerën 32 milionë lekë.

Dëmi ekonomik i shkaktuar nga shkeljet dhe abuzimet me detyrën arrin në 59 milionë lekë. Shpenzime jo në përputhje me administrimin e fondeve publike me ekonomicitet, efektivitet  dhe efiçiencë në vlerën 65 milionë lekë. Më konkretisht, nga auditimi i tetë procedurave të prokurimit: (1) Shërbimi mirëmbajtjes dhe riparimit të automjeteve, (2) Rikonstruksion i qendrës sociale-Kukës, (3) Mirëmbajtje dhe pastrim i rrugëve nga dëbora, (4) Mirëmbajtje e rrjetit rrugor rural të Bashkisë Kukës, (5) Sistemim i Qendrës së fshatit Orgjost, (6) Rikonstruksion i rrugës Myç-Mëmëz-Vend depozitimi i mbetjeve + ndërtimi i rrethimit të jashtëm të vend depozitimit – Viti 2016, (7) Mirëmbajtje e rrjetit rrugor rural të Bashkisë Kukës, (8) Mirëmbajtje dhe pastrim i rrugëve nga dëbora, kanë rezultuar shkeljet si më poshtë:

Janë lidhur kontrata duke përdorur procedurën e prokurimit “Negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, në kushtet kur nuk administrohet asnjë dokumentacion teknik dhe ligjor mbi përdorimin e procedurës, si dhe pa negociuar ofertën e paraqitur, për të cilën është lidhur edhe kontrata shtesë.

Janë nënshkruar shtesa kontrate pa disponuar dokumentacionin bazë të kontratës fillestare, pa asnjë preventiv të zërave të punimeve shtesë, si dhe pa asnjë argument apo relacion teknik mbi domosdoshmërinë e kryerjes edhe të zërave për punime shtesë, madje në disa raste për zëra punimesh të cilat nuk ekzistojnë.

Janë vlerësuar dhe shpallur si fitues OE pa provuar nëse kandidatët ofertues me të cilët janë nënshkruar kontratat shtesë plotësojnë minimalisht kërkesat e LPP.

Janë nënshkruar shtesa kontrate për zëra punimesh të ndryshëm nga preventivi bazë, zëra në preventivin shtesë, si dhe volume të cilat nuk përputhen me librezën e masave.

Janë prokuruar për të investuar në një objekt me gati të njëjtat zëra punimesh, të cilat kanë qenë parashikuar që në investimin e parë të kryer nga ish-Komuna Kolsh, kur investimi i parë rezulton brenda periudhës së garancisë 2 vjeçare, duke mos kërkuar nga sipërmarrësi i punimeve korrigjimin e defekteve.

Janë kryer pagesa për “shërbimin e mirëmbajtjes dimërore” të 17 akseve rrugore në muajt Korrik dhe Gusht.

Janë favorizuar sipërmarrësit e kontratave të shërbimit të mirëmbajtjes së rrugëve, nëpërmjet likuidimit të volumeve të punës dhe shërbimeve të pa kryera në fakt, si dhe të pa monitoruara e pa kontrolluara mbi cilësinë e punimeve dhe dëmtimeve në rrugë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY