Dështimi i reformimit të administratës publike, sistemi HRMIS që s’u plotësua kurrë

Dështimi i reformimit të administratës publike, sistemi HRMIS që s’u plotësua kurrë

388
0
Shares

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei

Pas katër vjetësh në qeverisje, në korrik të këtij viti, Ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike Milena Harito lajmëroi se administrata publike nuk ka punuar siç duhet, prandaj gjatë mandatit të dytë të qeverisjes Rama do të paraqiteshin një sërë reformash:

“Ne do të synojmë të rivitalizojmë të gjithë punën e administratës, duke e nxjerrë atë nga një lloj apatie e krijuar si rezultat i rutinës së përditshme burokratike. Ristrukturimi dhe rritja e performancës së administratës është domosdoshmëri, për të krijuar kushtet e nevojshme për një administratë efikase, profesionale.”

Këto përpjekje për “rivitalizim” morën formën e veprimeve kapriçoze të shkarkimit dhe turpërimit publik të zyrtarëve, të formave të paligjshme të vetingut, dhe hapjes së një faqeje në rrjet tërësisht jashtë ligjore, e cila promovohet në mënyrë aktive nga anëtarët e Partisë Socialiste si një “lidhje direkte” me qeverinë.

Kufijtë ndërmjet administratës publike, partisë dhe kryeministrit Edi Rama janë bërë shumë të paqarta, ndërsa mes komentuesve shqiptarë dhe përfaqësive diplomatike po bëhet gjithmonë e më shumë i zakonshëm termi “autokraci”.

Gjendja paraqitet kritike në një raport auditimi të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), i cili i është paraqitur Departamentit të Administratës Publike (DAP), dhe një kopje të të cilit Exit.al e mori përmes një kërkese të së drejtës për liri të informacionit.

DAP është institucion kyç për “krijimin dhe koordinimin e zbatimit të instrumenteve të nevojshme për një sistem efikas të burimeve njerëzore në institucionet publike”. Me fjalë të tjera, DAP është përgjegjës për të krijuar një sistem që i lejon qeverisë të jetë e informuar për të gjithë personelin që punon në administratë dhe mënyrën e menaxhimit të tij.

Reformimi dhe përmirësimi i këtij sistemi ka qenë pjesë e planeve të qeverive që prej fillimit të viteve 2000 dhe sot është një prej “prioriteteve kyçe” për hapjen e negociatave me BE-në.

Një Sistem Informacioni për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (HRMIS) u ndërtua në vitin 2011, me financim të BE-së nga fondet e Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) dhe u vu në provë në vitin 2012. Sistemi duhet të përmbajë dosjet personale të të gjithë punonjësve të qeverisë, përfshi të dhënat që lidhen me rekrutimin, arsimimin, trajnimin, pagesat dhe sigurimet.

Në vitin 2014, qeveria Rama nënshkroi një kontratë prej 246 mijë eurosh për ta vënë në punë sistemin dhe për ta zgjeruar atë në të gjithë institucionet shtetërore. Kontrata duhet të mbaronte në vitin 2015. Megjithatë, edhe pas dy vjetësh, sistemi ka vetëm 55 për qind të të dhënave dhe ende nuk është shtrirë në të gjitha institucionet shtetërore.

Për më tepër, sipas VKM-së 117 të datës 5 mars 2014, ky sistem duhet të bashkëvepronte dhe të ishte i harmonizuar me sistemet e Gjendjes Civile, Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, Thesarit dhe Drejtorisë së Tatimeve. Deri më tani, sistemi është lidhur vetëm me regjistrin e Gjendjes Civile.

Përfundimet e auditimit të KLSH-së tregojnë për dështimin e reformës së administratës publike:

“Departamenti i Administratës Publike — në cilësinë e administratorit të vetëm dhe të gjithëpushtetshëm të sistemit HRMIS dhe institucionit përgjegjës për zbatimin e legjislacionit të shërbimit civil në institucionet e administratës shtetërore — nuk ka hartuar një strategji institucionale dhe një plan-veprimi për zbatimin e sistemit HRMIS, si dhe nuk ka bërë plotësimin e tij me të dhënat e duhura dhe ndërveprimin e tij [me bazat e të dhënave të tjera] me qëllim që ta bëjë atë plotësisht funksional.

Sistemi HRMIS ende nuk është plotësuar me të gjitha të dhënat nga të gjitha institucionet e parashikuara, në veçanti njësitë e qeverisjes vendore. Procesi i ndërveprimit të sistemit HRMIS me sisteme të tjera është i pezulluar aktualisht. Sistemi HRMIS nuk e përmbush qëllimin e përcaktuar në VKM 117 […], pra, përdorimin e tij si burim për informacion dhe planifikim, për shkak të nivelit të ulët të plotësimit me të dhënat nga institucionet […].

Efektiviteti dhe efikasiteti i këtij sistemi nuk është përmbushur dhe ende nuk dihet se kur mund të realizohet.“

Ky përfundim i KLSH-së duhet të kishte sjellë shkarkimin e menjëhershëm të drejtoresësh së DAP-it, Albana Koçiu, e cili është ende në detyrë.

Ndërkohë, në vend të reformimit të administratës sipas standardeve europiane, me fondet e BE-së, Kryeministri Rama duket i zënë me shkarkimet arbitrare të nëpunësve të administratës, ndërkohë që për shumë prej vendeve të liruara nga këto shkarkime ende nuk janë marrë në punë nëpunës të rinj (natyrisht, besnikë) të kualifikuar.

E gjitha kjo ndodh ndërkohë që askush nuk e di sa punonjës civilë punojnë në qeveri, sa trajnime të financuara nga BE-ja dhe SHBA-ja janë bërë, dhe nëse punonjësit janë siguruar ndonjëherë.

Kryeministri Rama me të vërtetë po e reformon administratën publike, por në një mënyrë që ajo të mos funksionojë më kurrë./exit.al/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY