AGRON GJEKMARKAJ/ Po i realizoi Rama votimet moniste më 18 qershor, t’i...

AGRON GJEKMARKAJ/ Po i realizoi Rama votimet moniste më 18 qershor, t’i harrojnë iluzionet për zgjedhje pas 6 muajsh…

77
0
Shares
agron gjekmarkaj, vogel new

Agron Gjekmarkaj

Këso kohe, 4 vjet më parë, Edi Rama shef opozite na premtoi “Rilindjen” si projektin më spektakolar politiko-ekonomiko-shoqëror që na kishin zënë sytë dhe që historia kishte njohur për ta nxjerrë në selamet këtë të uruar vatan plot derte.
U gëzuan fëmijët dhe sytë me lot mbushën pleqtë.
Teksa vitet shuheshin, muajt mbaronin, javët kryheshin dhe dita shkihej, fëmijët u bënë si pleq të vrenjtur e shumë prej pleqve vdiqën të çmeritur. Propaganda ishte dhe mbetet karakteristika themelore e komunikimit të Kryeministrit me shqiptarët. Pushteti rezultoi qëllim në vetvete dhe aspak mjet për të mbajtur premtimet. Çuditërisht sa më shumë që faktet zhvishnin fjalët nga kuptimi, aq më tepër fjala dhunohej për të përshkruar një realitet që nuk ekziston.
E gjora fjalë sa ngushtë është ndier në gojën e Ramës, si zog ndër leqe, kur thoshte se po bëjmë shtet e reforma dhe se shqiptarët nuk po ikin masivisht! Kushedi sa herë i ka mbërritur shpirti te hunda, kur Saimir Tahiri mohonte me teshtima hashashin dhe triumfin e krimit? Sa herë mund t’i ketë rënë murit me kokë, kur Beqja gjuhëtharë shpjegonte koncesionet qindra milionë euro për të njohurit e tyre? Fjala ka tentuar vetëvrasjen publike, kur ministri Ahmetaj me buzëqeshjet e tij të praruara e plot mirësi deklaronte rritje ekonomike e mirëqenie në nahi e në kaza. Ajo e bekuar është skuqur nga turpi, kur ministrja e Arsimit ka rrëfyer suksesin e reformës arsimore. Në Bibël thuhet e para ishte fjala. Asaj i takojnë mundimet e mëdha.
Skutave është fshehur së bashku me ministrin përkatës, kur duhej të na tregonte se ku janë autostradat, rrugët, spitalet, shkollat, punët publike në përgjithësi. Fort është skuqur së bashku me Klajda Gjoshën, kur duhej të na dëftente se si integrimi, ky mushkë i azdisur ngarkuar me hirrë, braktisi udhën dhe u plas në ferra. E shkreta fjalë në kuvendin e republikës, në gojën e parlamentarëve analfabetë e plot me rekorde kriminale rënkonte si keci ditën e tredhjes e bindur se tharmi i asaj nuk do ngjizë më asgjë. Gjithsesi tanimë, pas katër vitesh, sidomos ajo “rilindja” mbetet më e diskretituara e fjalëve në fjalorin e gjuhës shqipe. “Rilindja” robinë e Edi Ramës vdiq nga përdhunimi. Teksa binaja e pushtetit socialist në Shqipëri po degradonte, të gjithë mendonim se fraza “s’keni parë gjë akoma” po përmbushej me dështimin e gjerë të kësaj mazhorance.
Besonim se konturohej në shthurjen dhe korrupsionin, në evidentimin e qartë të frotes dhe skotes politike, në ekspozimin e aradhes së pafund të hajnave, të kopukëve, teveqelëve, bihudeve, shakllabanave e kazanave rropama e të cilëve na ka shurdhuar ndërgjegjen.
Nuk e çonim nëpër mend teksa ushqenim publicistikën tonë me akuza e prognoza se ai që na premtoi Rilindjen tani, pas 27 vitesh pluralizëm, po na ofron monizmin. Më 18 qershor, ky hokatar i pashoq me fatet e vendit do të paraqitet në votime se zgjedhje s’do të ketë aspak më ndryshe nga Enver Hoxha, i vetëm, veçse më hipokrit, pa kundërshtarë, të cilët nuk i pushkaton dot, por u bën nul votën me një sistem mafioz. Nëse do ketë votime më 18 qershor, ato do mbahen mend si “zgjedhjet” e Edi Ramës. Të denja veç për të.
A do ta lejojnë shqiptarët këtë kthim në kohë? Mbetet për t’u parë. Një parlament njëngjyrësh, që bën ligje ad personam dhe kundër personave. Ajo sallë e kuqe, nëse do realizohet projekti i Ramës, do të jetë asgjë tjetër veçse harta e dhunës së tij personale, ujdhesa nga ku kalojnë gjuetarët e shtrigave, themel i sigurt për neodiktaturë. Ata që mbajnë iluzione se Edi Rama ju bën zgjedhje pas 6 muajsh me dëshirën e tij, ta harrojnë. Po kaloi lumin, ndonëse urën e ka të shpartalluar, di ai si ia rregullon qejfin kalit.
Pas tërheqjes nga Kavaja, ku Kryeministri nuk u prezantua për të “mbrojtur” Kushtetutën dhe dekretin e presidentit për zgjedhjet, gjasat janë që ai në të njëjtën mënyrë të sillet edhe më 18 qershor, por kjo ndodh vetëm nëse volumi i presionit mbi të shtohet.
Të rënë në terrenin e supozimeve përballë Monizmit që projektohet, Opozita shqiptare hyn në një stinë të re. Ajo do testojë qenien e saj dhe lidhjen me njerëzit. Lulzim Basha në tre muaj ka krijuar profilin e një politikani që di t’u qëndrojë kauzave të drejta apo kauzave të veta. Ka treguar një veti që po mësohen t’ia çmojnë bashkëkombësit. Atë të njeriut që nuk e lëshojnë nervat para presionit. Ai është ndeshur me sfidën dhe nuk është shtypur prej saj. Te qëndresa e tij tashmë varet raporti që shqiptarët do të kenë me pluralizmin dhe monizmin. Në mos për tjetër, Basha duhet mbështetur për të mbetur ende një shoqëri pluraliste dhe nëse ia dalim të mbetemi e tillë, gjithsecili le t’i bëjë hesapet me Bashën si ia do zemra. Kryetari i PD-së, i cili me çka duket për disa kohë do jetë një udhëheqës protestash, e ka jetike të rrethohet me personalitete që ngjallin besim, të cilët s’kanë faturë për të paguar e as shfaqje komizmi për të dhënë me mesazhe idiotësie. Qytetarët e duan një garanci.
Basha ndoshta e di se disa personazhe me të cilët nuk mund të ndërtohet një kotec pulash, si zor se mund të bëhen muratorë të republikës së re. Populli do ta ndjekë Bashën gjithnjë e më shumë në protesta të gjata e masive, kur t’i besojë plotësisht jo vetëm atij, por edhe njerëzve që i shfaqen në krah. Bashës i ka rënë fati të përmbushë një mision brenda partisë së tij dhe shtetit të tij. Të parën e ka në dorë vetë, për të dytën duhet ndihmuar nga të gjithë si investim për veten. Nuk duhet lejuar Rilindja të na sjellë Monizmin.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY