ARTAN FUGA/ Flas me ty Agim Neza!

ARTAN FUGA/ Flas me ty Agim Neza!

67
0
Shares
artan fuga, vogel

Artan Fuga

Ti ike para disa ditësh fizikisht nga kjo Tokë e rrëmujshme, hileqare dhe e zhurmshme. Edhe budallaqe…
Ike në qetësinë tënde duke e lënë trupin atje larg në Amerikë brejtur nga kanceri…
E mbajmë trupin me vete, të pabesin, i rëndë gur, me dekada mbi supe, dhe nuk dihet se ku do ta lëshojmë miku im i paharruar Agim Neza, kolegu im. Ku do ta lëshojmë ne apo ku do të na lëshojë ai ne!
Unë nuk e kam zakon të flas me të vdekurit. Nuk e di se ku është shpirti i tyre, mister i madh, dyshimtar i mençur sikurse ishe për çdo fakt dhe informacion, si gazetar, as ti nuk e dije sa kohë flisnim bashkë në “Facebook”, ti atje në spital, unë këtu në Tiranaburg.
Por, me ty flas duke biseduar me veten time. Te unë je, është e sigurt. Unë nuk e di se çfarë mendove e ndjeve atë sekondën e fundit që të gjithë do ta kalojnë, të pasur, e të varfër, të fortë e pa pushtet, të ndershëm dhe mashtrues, me të cilët ironizoje aq bukur në tavolinat tona.
Sa shumë cigare pije! Jo për kritikë, por cigarja të tradhtonte që ti ishe i mençur, në një farë mënyre i kishe larë hesapet me këtë botë dhe e shihje me nënqeshje dhe ironi të bardhë, pa të keq, me ndjenjë humori, sepse e kishe kuptuar se çfarë ishte. E jetoje vëllai im, nga lart, ti që kishe gjithçka që duhej për një njeri të vërtetë, vetëm kryelartësi jo.
Ishe Verior miku im, por sepse më dukeshe po aq beratas sa jam unë, po aq tiranas sa jam unë, po aq gjirokastrit a mirditor sa jam unë, shqiptar që e donte Shqipërinë prandaj ja thoshe të metat. Nuk fyeve kurrë njeri, nuk rrëshqite kurrë nga logjika e faktit në shkrimet e tua mbërthyese. Nuk u lavdërove kurrë ndonëse ishe i pari në këtë botë universitare që nise rrugën e komunikimit. E profesionit të komunikimit.
Ty do të përkujtojnë universitarët, gazetarët, punonjësit e komunikimit. Mos ki merak, dhe nëse nuk folën publikisht, sepse ndofta kanë qenë të zënë duke komunikuar, një mendim në kokë u ka kaluar për ty. Iku edhe Gimi – kanë thënë me trishtim dhe madje frikë.
Kot të flas për heroizmat që kemi bërë bashkë. Të gjithë në raste vdekjeje kështu flasim. Çfarë i do bëmat hileqare të kësaj bote! Ti ike dhe në atë sekondën e fundit besoj se dyshimin tënd plot mend për misteret, që nuk zbuluam e nuk zbulojmë dot e davarite. Ke parë të vërtetën në sy. Por, nuk e thua dot. Ndofta e vetmja e vërtetë që nuk e the dot, nuk ma the dot.
Nuk t’u ndodha pranë atje. Ndjesë. Por për komunikimin tonë mendoj kur ti ishe sëmurë. Ta shihja kokën në “Faceboo”k duke bërë komente të mençura. Me kancer ishe dhe nuk mungoje të më shkruaje: Jepi, Tani, kusur mos u lër mashtruesve! Mendoja : Sonte Gimi qenka ngritur nga shtrati, qenka më mirë. Pastaj të harroja për ca kohë shkrirë në miliona shpirtra që enden edhe pas vdekjes në botën virtuale.
Veç kur më shkruaje përsëri, lexoje gjithçka.
Ike atë ditë në Amerikë me urgjencë. Familja e gjithë u ngrit në këmbë për ta ndërprerë jetën këtu në Atdhe, vetëm ti të shëroheshe, ose të paktën të jetoje pak më gjatë. Çfarë sakrifice sublime. Ti e meritoje miku im.
Të jepja shpresa kur flisnim a shkruanin pothuajse shpesh. Të tregoja raste gënjeshtarë kur njerëz të shëruar nga kanceret ishin ribërë sportistë, lëre pastaj gazetarë e profesorë. Dhe ti bëje sikur i besoje. Lufto ! – të thosha do të fitosh. Dhe pastaj ngrihesha nga kompjuteri me ndjenjën e mirë të një gënjeshtre të dobishme që bëja për mikun tim atje larg në Amerikë, në kushedi se çfarë shtrati duke vuajtur.
I verdhë ke qenë kohët e fundit miku im. Kujtoja nga cigarja.
Pupulisje sytë sikur ja kishe frikën pabesive të kësaj bote, po, po, të tradhton edhe gjëja jote, trupi. Kështu jemi bërë ne njerëzit.
E ndjeva se po të ikte trupi nga duart kur një ditë më shkrove se në ndeshjen me kancerin deri tani je në barazim. Ishte një natë me shi ajo.
Iku edhe Gimi – mendova. Ma dha vetë lajmin e vdekjes së tij. Ma shpjegove me humor të hidhur si një ndeshje futbolli. Barazim me vdekjen ! Mos, thash, në këtë finale, kur të vijë rradha e penalltive, vdekja është një lojtar që nuk humbet asnjë. E ka të fituar ajo shtriga!
Dhe nuk u ndjeve më. Ike me lemeri atje në Amerikë, familja jote gjithashtu, dhe atë ditë më kërkove leje që do të largoheshe e nuk e bëje dot mësimin. Edhe para ikjes nga kjo botë, fillimisht po ikje nga Shqipëria, more leje… Ky ishe ti.
Ike nga kjo botë fillimisht me avion, pastaj u bëre gjuhë komunikimi në Internet, u bëre fjalë në eter, qenie virtuale në ekran dhe pastaj ike fare… Sikur nuk doje të shqetësoje njeri. Pak e nga pak, butë, sikurse silleshe.
Flas me ty i dashur Gim dhe sytë i kam tani me lot sot, këtë të shtunë e të diel do të mbaj zi për ty, flas me veten time. Sot e nesër, jo atë ditë kur ike. Pse vdekja do të përcaktojë marrëdhënien time me ty, komunikimin tonë??? Do të na përcaktojë kohën e shpirtit??? Mjaft dhe shumë e ka zotërimin e trupit. Bën pjesë te unë ti, i paharruar.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY