LETËR E HAPUR/ Astrit Patozi: Ilir Meta në krye të një operacioni...

LETËR E HAPUR/ Astrit Patozi: Ilir Meta në krye të një operacioni ushtarak, i eksituar për të “pushtuar” me çdo kusht Vorën

80
0
Shares

Astrit Patozi nuk kursen as adresimin kritik ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha për “më shumë ‘sy’ në Vorë”

Deputeti i PD-së, Astrit Patozi, ka reaguar nëpërmjet një letre të hapura, kundër ngjarjeve të dhunshme të strukturave shtetërore në Vorë. Duke ju adresuar institucioneve dnërkombëtare e shtetërore, Patozi denoncon me raste konkretet rastet e kërcënimeve.
Astrti Patozi nuk kursen as adresimin kritik ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha për “më shumë ‘sy’ në Vorë”.


Letra e hapur

Drejtuar presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani
Kryeministrit, zotit Edi Rama
Kryetarit ë Partisë Demokratike, zotit Lulzim Basha
Ambasadorit të SHBA, në Tiranë, zotit Donald Lu
Ambasadores së BE në Tiranë, zonjës Romana Vlahutin
Shefes së Misionit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 21 qershorit, zonjës Andrey Glover

Për dijeni,
Prokurorit të Përgjithshëm, zotit Adriatik Llalla
Ministrit të Brendshëm, zotit Saimir Tahiri
Kryetares së KQZ, zonjës Lefteri Luzi

Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Nuk kisha shkruar kurrë më parë një letër të hapur dhe pata menduar se do ta ngrysja jetën pa e provuar kurrë një gjë të tillë. Por vendosa ta bëj këtë për të ndarë me ju një problem të madh për vendin, të cilin e konsideroj po kaq të rëndësishëm edhe për publikun e gjerë. Ndaj edhe vendosa t’Ju drejtohem, duke Ju konsideruar, secili në rolin e vet, sa përgjegjës, aq edhe të interesuar për mbarëvajtjen dhe suksesin e zgjedhjeve të 21 qershorit.
Po Ju shkruaj, jo thjesht në cilësinë e një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, por edhe atë të një personi publik, i cili herë si vëzhgues (gazetar), e herë si protagonist, ka qenë dëshmitar i të gjitha fushatave elektorale, që janë zhvilluar në Shqipëri, që nga viti 91 e këtej. Mos mendoni se në letër është harruar kryetari I Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, porse mungesa e tij këtu ka lidhje të drejtpërdrejtë me thelbin e problemit.
E ndjej si detyrim t’Ju informoj, se këtë ditë të nxehta të fushatës, vetëm 13 km nga qendra e kryeqytetit, është duke u konsumuar mu para syve tanë, më së paku një krim I frikshëm elektoral. Bëhet fjalë për bashkinë e Vorës, njëra ndër më të voglat për nga popullsia, territori, por ndoshta edhe nga rëndësia, në të 61 njësitë e reja administrative të vendit, ku prej javësh dhe ditësh mbizotëron një atmosferë lufte. Aty kandidon kryetari aktual i bashkisë së Vorës, si përfaqësues i opozitës, dhe një kandidat i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ka me dhjetëra prova dhe indicie, që të çojnë në përfundimin se pas kësaj klime mbytëse për zgjedhje normale, qëndron kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili ndodhet në krye të një operacioni gati ushtarak, ku spikat sidomos administrata shtetërore e LSI, që ka braktisur zyrat në Tiranë dhe është instaluar e gjitha në Vorë.
Dhe për të qenë më konkretë. Ka një presion permanent mbi votuesit e opozitës, i cili shkon nga goditjet fizike, e deri te kërcënimet nën tytën e armëve . Por shqetësimi më i madh qëndron në faktin se policia është tërësisht e përfshirë në fushatën e njërës palë, dhe më e rënda fare, se ajo është pothuajse gjithmonë e koordinuar, dhe në shumicën e rasteve në një bashkëpunim të hapur me kontigjente të krimit të organizuar. Janë me dhjetëra rastet, kur personat kërcënohen nga individë me precedentë penalë, dhe fill pas kësaj, thirren në stacionin e policisë së Vorës apo në komisariatin nr 6 në Tiranë. Vlen të saktësohet se policia thërret çdo natë aktivistë të opozitës, pa asnjë arsye, ose për motive nga më banalet, të cilat nuk mund të përdoren kurrë si justifikim nga një shtet ligjor. Ka të dhëna të besueshme nga burime të mirinformuara, se është vendosur të ketë reprezalje dhe arrestime të mbështetësve të Partisë Demokratike, sidomos në ditët e fundit të fushatës.
Qytetarët e dhunuar ankohen për shefin e komisariatit 6, Bujar Laze, shefin e stacionit të policisë Vorë, Tonin Laska dhe inspektorin e krimeve, Përparim Zenuni, që shquhen për veprime arbitrare dhe të hapura në favor të mazhorancës. Shefi i komisariatit 6, i cili edhe origjinën është zgjedhur ta ketë nga vendlindja e zotit Meta, ka braktisur thuajse çdo detyrim tjetër dhe është instaluar personalisht në Vorë, ndonëse territori, që mbulon është shumë më i gjerë, dhe shtrihet edhe në bashkinë e re të kryeqytetit.
Janë me qindra dëshmitarët që denoncojnë se banditë të armatosur qarkullojnë nga mëngjesi deri në darkë, me makina të blinduara dhe me xhama të zinj, në të gjitha fshatrat e bashkisë së Vorës. Madje “selinë e tyre qendrore” e kanë pikërisht në lokalin, ku për disa ditë u vendos posteri i vetë kryetarit ë Kuvendit, a thua se Ilir Meta kandidonte për kryetar bashkie. Në disa raste ata kanë guxuar të kërcënojnë edhe shtabet e kandidatit të opozitës, menjëherë pas takimeve elektorale. Vetëm qetësia e këtyre të fundit e ka shmangur deri tani konfrontimin e ashpër, por mendoj se nuk ka asnjë garanci që të mos ketë incidente të rënda në të ardhmen.
Forcat e komisariatit 6, të cilat janë superaktive në ndalimin dhe thirrjen e përnatshme të aktivistëve të Partisë Demokatike, nuk vijnë as të shoqërojnë takimet zyrtare të kandidatit të opozitës, ndonëse është detyrim I tyre të garantojnë sigurinë. Këtë nuk mud ta them për policinë e komisariatit të Kamzës, e cila shoqëron rregullisht sa herë PD ka takime elektorale në zonën e komunës së Bërxullit, që përfshihet në juridiksionin e saj.
Duke parë këtë përshkallëzimin dramatik të situatës para ditës së votimit, druaj shumë se më e keqja ende s’ka ndodhur, ndaj shpresoj se dikush apo disa prej jush do të bëjnë diçka për të evituar ngjarje me pasoja të rënda.
Në Vorë, Bërxull dhe Prezë ka prej dy muajsh një përfshirje jashtë çdo përfytyrim të administratës shtetërore në fushatë, dhe për të qenë të drejtë, ka një dispoporcion të madh në angazhimin e dikastereve dhe të autoriteteve që përfaqësojnë PS, në raport me ata të LSI. Ndonëse janë thjesht dhe vetëm zgjedhje lokale, këta të fundit janë kaq të eksituar dhe agresivë, sikur Vora të ishte Palestina e tyre. Në ballë të tyre qëndrojnë detashmentet e Ministrisë së Bujqësisë dhe ato të AKU, por presione të hapura bëhen mbi çdo nëpunës shtetëror, mbi mësuesit, mjekët dhe infermierët, të cilët, përveç votës për LSI, janë të detyruar edhe të shkojnë në takimet elektorale.
Por prapë mendoj se problemi më i rëndë qëndron në faktin se presioni dhe goditjet kryesore adresohen direkt mbi kandidatin e Partisë Demokratike, zotin Fiqiri Ismaili. Ndonëse, ne kemi pasur edhe zgjedhje të këqija dhe shumë të këqija në këtë vend, ky është një fenomen I ri, që shfaqet si risi e kësaj fushate me gjithë “shkëlqimin” e vet në Vorë.
Arritën deri aty sa iu vërsulën biznesit të zotit Ismaili, I cili për më shumë se një muaj, është herë I bllokuar, herë i ndaluar, çdo ditë nën sulmet e policisë dhe gjobëvënësve të ndryshëm me targën e LSI-së. Për të ardhur tek e paimagjinueshmja, heqja e licencës, pa asnjë arsye dhe argument ligjor. Gjatë atyre ditëve jam përpjekur të inkurajoj me sa kam mundur kandidatin që ta merrte si një shkarje emocionale të një administrate, që sillet si bandë mafioze vetëm për fushatë dhe se gjërat do të ndryshojnë pas 21 qershorit. Por së brendshmi kam menduar se nuk e di cdo të kisha bërë, në rast se do kisha qenë vetë përballë asaj situate. Se mbyllja e biznesit, do të thotë që të t’i hedhin në kosh 23 vjet punë dhe sakrifica, dhe unë nuk di se c’mund të të bëjnë më shumë në këtë botë, përveçse të të marrin jetën.
U desh ndërhyrja direkt e kryeministrit, që ministri i LSI të zhbllokonte licencën e fabrikës së miellit dhe për kandidatin e Partisë Demokratike të kishte më në fund një frymëmarrje çlirimi. Por nuk ishte e thënë, sepse vetëm një ditë më pas policia bllokoi pa asnjë arsye furgonët e shpërndarjes normale të mallit dhe LSI mediat nën kontrollin e Ilir Metës e trumbetuan atë si një kapje në flagrancë, megjithëse gjithçka ishte në përputhje të plotë me ligjin. Ndonëse gjithçka u normalizua dhe policia i liroi pas dy ditësh mjetet, askush nuk u kujtua që të paktën të përgënjeshtronte lajmin e rremë.
Tani të ndalemi pak tek roli I drejptpërdrejtë i Ilir Metës në këtë histori. Të enjten denoncova në parlament fenomenin e blerjes së votës, dhe si strateg të saj Kryetarin e Kuvendit. Për fat të keq, kjo nuk është një legjendë urbane, por një realitet i dhimbshëm, të cilin e dinë dhe e pranojnë të gjithë në Shqipëri, duke përfshirë edhe vetë LSI-në, që vetëm publikisht nuk krenohet me të. Megjithëse nuk e kisha përmendur fare Vorën, Ilir Meta më paralajmëroi që të prisja se diçka do të dilte atje. Dhe nuk vonoi shumë.
Vetëm një ditë më pas policia akuzoi kandidatin e opozitës për blerje vote, pas gjoja denoncimeve, që kishin bërë kundër disa qytetarë të bashkisë së Vorës. Historia është e thjeshtë dhe banale. Të gjithë “denoncuesit” janë thirrur me forcë nga policia, dhe askush nuk ka shkuar me dëshirë. Që do të thotë se kanë zbatuar një urdhër dhe jo, rastësisht, më shkon mendja tek Ilir Meta. Madje dy prej tyre janë anëtarë të stafit të kandidatit të Partisë Demokratike, ndaj edhe është shumë i trashë montimi se ata paskan marrë lekë në këmbim të votës. Por puna është se këtu po humbet sensi i gjithckaje, ku arbitrariteti dhe paligjshmëria konsiderohen gjëra të zakonshme dhe se ngjarje janë vetëm ato me të vrarë e të plagosur.
Për dy ditë rresht policia mbajti të rrethuar ndërmarrjen e zotit Ismaili, ndonëse nuk kishte asnjë shkresë apo urdhër prokurori për një veprim. Madje sot në orët e mesditës vetë shefi i komisariatit 6, tentoi ta shoqëronte forcërisht kandidatin e opozitës, ndonëse nuk kishte asnjë mandat për këtë. Unë personalisht e konsideroj si përpjekje për ta arrestuar Fiqiri Ismailin në mesin e fushatës dhe nuk kam asnjë garanci që kjo nuk do të ndodhë në të ardhmen.
Dhe ky është një standard i panjohur dhe i padëgjuar më parë në Shqipëri, edhe pse ne kemi pasur zgjedhje të këqija dhe shumë këqija në të shkuarën. Që do të thotë se është goditur edhe vetë liria e një force politike apo një personi për të kandiduar, dhe sipas meje ky është fundi i një rendi demokratik.
Kjo që po bën LSI dhe qeveria me Vorën, është njësoj sikur dikë ta përdhunojnë, dhe menjëherë pastaj përdhunuesi të akuzojë prenë e vet se e ka lënduar.
Kam bindjen e plotë se këto inskenime të ulëta, të cilat janë aq ta trasha, sa nuk mund të kenë asnjë ndikim tek zgjedhësit, bëhen vetëm për një arsye. Që të justifikojnë “qametin” e ditës së votimit, me shpresën se kur ka akuza të ndërsjella, nuk merret shumë vesh se kush është agresori dhe kush është viktima.
Kandidati i opozitës në Vorë po kandidon me kryetarin e Kuvendit, ministrin e Bujqësisë, gjithë pjesën e LSI në pushtet, që nga niveli më i lartë e deri tek zyrtari më i ulët, me policinë e shtetit, dhe sikur të mos mjaftonin këto I kanë vënë përballë edhe banda të rrezikshme kriminale, jo vetëm nga zona, por edhe të thirrura për ndihmë nga territore të tjera të Shqipërisë. Pyetja është a mund të flitet më për zgjedhje nën këtë trysni?
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
Unë nuk kam as tagrin, por as informacionin e plotë për të trajtuar të gjitha problematikën në shkallë vendi të këtyre zgjedhjeve. Kam shumë lajme të këqija, të publikuara ose jo, që tregojnë se ka plot qytete dhe fshatra të Shqipërisë që ndodhen nën presion të paparë nga mazhoranca. Uroj shumë që situata kombëtare të mos jetë kaq dramatike sa në Vorë. Por jam shumë i bindur, që edhe sikur Vlora të kishte qenë një rast i izoluar, dhe jo pasqyra e vërtetë e këtyre zgjedhjeve, kjo letër sërish ia vlente. Aq e rëndë dhe e papranueshme për një vend normal është situata atje.
Ndaj edhe do të kërkoja nga secili prej Jush, në përputhje me detyrimin dhe përgjegjësitë e veta, por ndoshta edhe nga të gjithë bashkë, të bëni diçka për ta ndalur marshimin e së keqes, që po vringëllin armët e krimit vetëm 13 km larg qendrës së Tiranës. Unë as e di, dhe as dua t’ia di për arsyet e këtij eksitimi të kryetarit të Kuvendit dhe të LSI për të “pushtuar” me çdo kusht Vorën. Mund të jetë edhe një bast apo inat tavoline, por ndoshta edhe interesa të mëdha dhe afatgjata politike apo biznesi për Ilir Metën. Është e tmerrshme ta mendosh se këto janë zgjedhje lokale, që sido të dalin, nuk e ndryshojnë raportin e forcave qeveri-opozitë. Përfytyro se çfarë mund të bëjnë këta në zgjedhjet politike, kur në një farë mënyre, garojnë direkt për karriget e tyre?
Ndaj, na ndihmoni që të paktën të ketë më shumë “sy” dhe më shumë dëshmitarë në Vorë. Kjo vlen jo thjesht për zonjën Glover dhe për mediat e Shqipërisë, por ndoshta edhe për vetë kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Unë e kuptoj se zgjedhjet janë të rëndësishme në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe se përfaqësuesit e PD duhet të jenë kudo, ku ka qendra votimi. Por ndoshta është më mirë të kemi më pak diku tjetër, por të jemi si askund tjetër në Vorë. Jo se duhet fituar patjetër një bashki, por se duhen mbrojtur zgjedhjet dhe njerëzit, aty ku kërcënimi është më i madh. Dhe ajo që druaj më shumë është “pushtimi” i territorit nga bandat e krimit për të mos i lejuar njerëzit ë votojnë. Se për të tjerat, megjithëse janë të rënda, nuk do t’ia dalin kurrë.
Në Vorë, po na i vrasin para syve tanë. Jo vetëm zgjedhjet, por edhe zgjedhësit, ndonëse ende nuk ka gjak.
(Me shpresën se kam bërë gjënë e duhur, jo thjesht për të çliruar veten nga një detyrim moral dhe politik.)

Me shumë respekt
Astrit PATOZI
Deputet i Kuvendit të Shqipërisë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY