STUDIMI/ Lidhjet partiake, kusht për punësimin e mjekëve në Shqipëri

STUDIMI/ Lidhjet partiake, kusht për punësimin e mjekëve në Shqipëri

76
0
Shares

Mjekët shqiptarë ankohen se të ardhurat e tyre, gjatë investimit të tyre shumëvjeçar në këtë profesion janë të barabartë me një specialist në Ministri i cili është futur në punë me mik. Për pasojë ata shprehen se diskutojnë mbijetesën financiare, ndërsa duhet të përballojnë kushtet e këqija të punës apo ‘spiunimin’ nga pacientët. Ndërkohë mjekët e rinj e lidhin mundësinë për punësim drejtpërdrejtë me lidhjet partiake.
Këto janë rezultatet fillestare të hulumtimit rajonal implementuar nga Healthgrouper në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi me ndihmën dhe mbështetjen financiare të Universitetit të Fribourg-ut, Zvicër, përmes Programit Rajonal për Avancimin e Kërkimeve në Ballkanin Perëndimor.
Në këto kushte, zhvillimi profesional dhe nevoja për të ardhura më të larta janë nxitësit kryesorë të trendit të shtuar të migrimit të personelit shëndetësor, që vitet e fundit është i pranishëm në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Nevoja për ta shpalosur problemin e migrimit të punonjësve shëndetësorë aktualizohet edhe më shumë nga të dhënat jozyrtare që flasin se vetëm vitet e fundit nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Kosova janë shpërngulur rreth 1700 mjekë.
Sipas Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë nga viti 2009 deri në vitin 2014 janë rreth 170 mjekë të cilët kanë kërkuar certifikatën e “Good standing” me qëllim aplikimin për të punuar jashtë vendit. Sipas Urdhrit të Infermierëve të Shqipërisë janë rreth 80 infermiere që punojnë në profesionin e tyre në vende të ndryshme, kryesisht në Itali, Greqi, Angli, etj.

Arsyet e emigrimit të mjekëve
Emigrimi i mjekëve është një fenomen global dhe është më se e nevojshme të kuptohen arsyet e sakta që motivojnë personelin shëndetësor nga Shqipëria dhe vendet e tjera në rajon të kërkojnë punë jashtë vendit. Edhe pse disa nga arsyet janë të njohura, megjithatë një studim i mirëfilltë do të ofronte përgjigje të reja.
Ky studim i grupon problemet dhe arsyet e migrimit të personelit shëndetësor në pesë kategori kryesore: ekonomike, profesionale, politike, personale dhe sociale, së bashku me pyetje që përfshijnë indeksin e kënaqësisë nga profesioni. Kështu për shembull, mjekët e rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Serbia janë më të vendosur për të migruar se mjekët më të vjetër. Arsyet kryesore për migrim janë mundësitë për zhvillim profesional si dhe të ardhurat më të larta. Përveç problemeve ekonomike te mjekët e përfshirë në këtë hulumtim dominojnë edhe arsyet politike që i detyrojnë të migrojnë jashtë shtetit të tyre. Gjatë diskutimeve me mjekët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Serbia mjekët e rinj e lidhin mundësinë për punësim drejtpërdrejtë me lidhjet partiake. Ndikimi i politikës në fushën e punësimit dhe zhvillimit të karrierës paraqitet si një faktor që kontribuon shumë në largimin e kuadrove të dëshpëruara në mënyrë pothuajse të barabartë në të gjitha vendet e lartë përmendura.

Raporti me pacientë si problem
Nga ana tjetër, mjekët me përvojë përveç problemeve ekonomike dhe sociale që ata i numërojnë si të përbashkëta me mjekët e rinj, veçojnë edhe raportin me pacientë si problem që ndikon në kënaqësinë e tyre në punë. Konkretisht, mjekët në pothuajse të gjitha vendet që janë subjekt i studimit tonë (Shqipëri,Kosovë, Maqedoni, Serbi), ndjehen në disavantazh në raport me  pacientët. Ata janë të ekspozuar ndaj kërcënimeve, sulmeve verbale dhe fizike, presioneve dhe shantazheve dhe nuk ndihen të sigurt. Kjo situatë e krijuar u hap mundësinë mjekëve më të vjetër për ta konsideruar largimin nga vendi i tyre meqë ata besojnë se raporti i mjekëve ndaj pacientëve është krejtësisht i kundërt në vendet perëndimore dhe ato të zhvilluara.
“Ne si mjekë jemi të dëshpëruar meqë institucionet përgjegjëse që duhet të na mbështesin nuk e bëjnë këtë gjë. Pacientët kanë të drejtë të na thonë çfarë të duan, incizojnë video dhe na akuzojnë për korrupsioni. Kjo na sjell në një situatë ku ne nuk e shohim më pacientin si klient por si një armik që mund të bëjë gjëmën”, thotë një mjek nga Shqipëria.
“Pacienti kërkon mbivendosje të situatave, ku pacientit po i tregove diçka më tepër e ke dhunuar, po nuk e sqarove pse nuk ja ke shpjeguar. Kemi bërë betimin e hipokritit në bazë të cilit kemi disa detyrime, por kryesorja është që po na ikën kënaqësia e profesionit, gjë që është më kryesorja”, thotë një tjetër mjek nga Shqipëria.

Mjekët të parespektuar dhe pa status ligjor
Lidhur me statusin social që kanë mjekët në Shqipëri, një mjek specialist thotë se, “Unë dëshiroj që të jem i respektuar në shoqëri dhe të kem një status ligjor të caktuar, gjë që nuk ndodh aktualisht”.
Ajo që është shqetësuese dhe e pranishme në të gjitha vendet ku po implementohet studimi në fjalë është se mjekët e të gjitha gjeneratave nuk ua rekomandojnë profesionin mjekësor  gjeneratave të reja.
Mjekët e pyetur thane se: “Të ardhurat e një mjeku specialist që ka investuar gjithë jetën është e barabartë me një specialist në Ministri i cili është futur në punë me mik; Profesionistët mjekësorë diskutojnë mbijetesën financiare; Kur shkojnë mjekët në punë të mos diskutojnë kushtet e punës apo ‘spiunimin’ nga pacientët.

 

Shkaqet e emigrimit të mjekëve

– Zhvillimi profesional dhe nevoja për të ardhura më të larta janë nxitësit kryesorë të trendit të shtuar të migrimit të personelit shëndetësor;
– Mjekët ndjehen në disavantazh në raport me pacientët në pothuajse të gjitha vendet që janë subjekt i studimit tonë (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi);
– Mjekët e rinj e lidhin mundësinë për punësim drejtpërdrejtë me lidhjet partiake;
– Mjekët besojnë se raporti i mjekëve ndaj pacientëve është krejtësisht i kundërt në vendet perëndimore dhe ato të zhvilluara;

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY