Akuza e Bashës: Elisa Spiropali dhe Gjylameti të lidhura drejtpërdrejtë me dosje kriminale

Ndaje

Menjëherë pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë që caktori datën 25 maj si ditën e zhvillimit të protestës së 6 kombëtare, kryetari i Opozitës së Bashkuar Lulzim Basha ka folur edhe për shkrimin e gazetës së madhe gjermane “Bild”.

I pyetur për akuzat e PS se shkrimi i prestigjozes gjermane është i paguar nga PD, Basha akuzoi hapur ministren, Elisa Spiropalidhe deputeten e PS Blerina Gjylameti se janë të lidhura drejtpërdrejtë me dosje kriminale.

 

Pyetje: Zoti Basha, zonja Gjylameti është shprehur se shkrimi është paguar nga paratë e pisëta të Partisë Demokratike. Keni ndonjë koment?

Basha: Zonja Gjylameti do të ishte së bashku me zonjën Spiropali dhe zonja të tjera, ndër të pandehurit kryesorë, sepse vetë zonja Gjylameti është pjesë e dosjes 184, ndërkohë që zonja Spiropali duket se është pjesë e dosjes së hetimit të Xibrakës. Kështu që njerëzit në konflikt interesi nuk mund të përbëjnë asnjë burim të besueshëm, as për median, as për qytetarët. Përtej të shkretës Gjylameti, që ja kanë ngarkuar këtë mision të pamundur, për të përgënjështruar gazetën më të madhe të Evropës, e vërteta që mbetet është kjo: nuk ka njeri në Evropë që s’e ka marrë vesh se Edi Rama ka blerë zgjedhjet e vitit 2017, në bashkëpunim me krimin e organizuar. Parlamenti është produkt i votës së diktuar nga krimi, e ka diktuar krimi këtë parlament dhe këtë qeveri. Jemi pra në kushtet e grushtit të shtetit.
Në këto kushte, në vend që t’i hapë rrugë kërkesës mbarëpopullore për zgjedhje të lira e të ndershme, përmes një qeverie tranzitore, me detyra të përcaktuara qartë, Edi Rama ka përcaktuar një kurs përplasjeje me popullin. Kjo duket qartë në listën e kriminelëve dhe vrasësve që ka futur në partinë e tij dhe në partitë e tjera të krijuara nga ai, për të dhënë fasadën e zgjedhjeve. Në mbi gjysmën e bashkive të vendit do të ketë kandidatë vetëm kupola kriminale e “Rilindjes”, vrasës, përdhunues, trafikantë droge, shokët e Elvis Rroshit që mbeten akoma në Bashkinë e Krujës, si Artur Bushi me shokë, kandidatë të tjerë të zgjedhur me dorë nga banda e abdylajve në Shijak, nga Ymer Lala në Dibër, ku kemi një rekord, se Ymer Lala ka caktuar edhe kandidatin e PS-së, edhe kandidatin e bashkimeve profesionale të PS-së, të dy janë përcaktuar nga Ymer Lala. E dinë të gjithë dibranët. I pari është kandidati fillestar që Ymer Lala caktoi dhe pastaj e tërhoqi, dhe është një nga protagonistët e dosjes 184, i dyti, ish-sekretari i Partisë Demokratike të Dibrës, i evidentuar për fat të keq edhe si njeriu i blerë i Ymer Lalës, dhe për këtë arsye edhe i shkarkuar nga funksionet e tij në degën e Partisë Demokratike. Pra, shikoni çfarë zgjedhjesh do bëjnë, të dy kandidatët i cakton Ymer Lala, edhe atë që do të mbajë siglën e PS-së, edhe atë që do të mbajë siglën e bashkimeve profesionale të PS-së.
Pra, është e qartë se zgjedhje nuk do të ketë. Edhe formalisht, vendi është me një regjistër të gjendjes civile të masakruar nga njerëzit e caktuar për këtë punë nga Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, regjistri i adresave është i masakruar, mbi 1,4 milionë shqiptarëve ju kanë skaduar kartat e identitetit. Edhe nga pikëpamja formale, zgjedhjet me 30 qershor nuk mund të mbahen. Natyrisht nuk mund të mbahen nga pikëpamja politike, se nuk ka zgjedhje. Shqiptarëve do tu ofrohen vrasës, përdhunues ose ushtarë të vrasësve dhe të përdhunuesve dhe njerëzve të korruptuar si Vangjush Dako me shokë. Vet nuk garoi dot, se është duke negociuar si do ti shpëtojë hetimeve me Edi Ramën, dhe ka caktuar se kush do të garojë.
Këtu e ka sjellë Shqipërinë bashkëpunimi i Edi Ramës me krimin.
Pyetja është, tani që na ndajnë 45 ditë nga 30 qershori, se çfarë do të ndodhë? Do të pranohet që grushti I shtetit të çohet deri në fund, dhe në Shqipëri të instalohet tirania e krimit në të gjitha nivelet? Sepse kjo jo vetëm do të instalonte tiraninë e krimit në pushtetin vendor, por do të çimentonte edhe tiraninë e krimit në qeverisjen qëndrore. Apo do të ketë një përballje totale popullore për ta mposhtur me të gjitha mjetet dhe format e tjera, tiraninë e krimit!
Vendimi unanim I opozitës është përballje popullore me të gjitha format dhe mënyrat. Që do të thotë: se nga ky moment, ne jemi e do të jemi, çdo ditë e çdo minutë bashkë me qytetarët, të bashkuar si asnjëherë më parë, siç e patë në protestën e ditës së hënë dhe protestën e ditës së shtunë, në një përballje pa kthim me ushtarët dhe shërbëtorët e juntës kriminale në pushtet, deri sat ë diktojmë kthimin te demokracia, kthimin tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Asgjë nuk mund të kurshet në këtë betejë. Kush ul kokën dhe nuk bëhet pjesë e kësaj beteje, do të jetë shërbëtor dhe skllav I krimit, sepse skenari tjetër është që Shqipëria, përfundimisht të bjerë si demokraci, të bjerë si shtet I së drejtës dhe të kthehet edhe de jure në juntë kriminale. Natyrisht ne këtë skenar nuk mund ta lejojmë. Ne këtë skenar nuk mund ta pranojmë, dhe jam I bindur se me gjithë shqiptarët e ndershëm, betejën do ta vazhdojmë ditë për ditë, duke e intensifikuar dhe duke e ngritur çdo ditë e më lart, derisa ta mposhtim këtë skenar ogurzi. Këtë grusht shteti dhe juntën kriminale që do të asgjesojë, jo thjeshtë zgjedhjet e 30 qershorit, sepse zgjedhje me 30 qershor nuk do të ketë, por do të asgjesojë kurajon dhe shpresën e shqiptarëve për një të ardhme më të mirë

Loading...

Leni një përgjigje