Numri i lindjeve në Shqipëri është në rënie të ndjeshme nga viti në vit.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga viti 2013 deri në fund të vitit 2017, në vendin tonë pati gati 5 mijë lindje më pak.
Ky trend duket se është forcuar gjatë 2018-s, kur gjatë periudhës janar-shtator janë regjistruar rreth 18 mijë lindje.
Edhe nëse për tre muajt e fundit të vitit që lamë pas shifrat do të ishin të njëjta me 2017-n, përsëri bëhet fjalë për një rënie me rreth 5 mijë lindje më pak.
Arsyet që shtyjnë çiftet e reja për të mos sjellë në jetë fëmijë janë të lidhura me gjendjen ekonomike dhe perspektivën e zbehtë për të ardhmen, raporton a2.
Kjo provohet edhe nga fakti se rënia e lindjeve është më e theksuar në qarqet më të varfra të vendit, si Dibra, Elbasani apo Kukësi.
Edhe pse numri i lindjeve tejkalon ende numrin e vdekjeve, shtesa natyrore e popullsisë nuk arrin të mbulojë largimet jashtë vendit, duke bërë që popullsia e Shqipërisë të tkurret vit pas viti. Nëse politika e re shtetërore për bonuset e bebeve do të ndikojë, pritet të shihet në fund të vitit që sapo nisi.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/