Një vit pa Artanin, rrugëtimi i ndërprerë i një fizikanti të jashtëzakonshëm

Një vit pa Artanin, rrugëtimi i ndërprerë i një fizikanti të jashtëzakonshëm

122
0
Shares

Nga Prof. dr. Sabri Zaganjori

Një kometë në fushën e fizikës shqiptare. Jeta e Artan Boriçit i përngjan një komete. Ajo qe e shkurtër si jeta e një komete. Artani jetën e përjetoi vrullshëm, siç lëviz me vrull e shpejtësi një kometë në qiell, e përjetoi sikur koha nuk do t’i mjaftonte për të bërë ato që ai dëshironte dhe ndiente se mund t’i bënte. Artani ndriçoi fort në jetë duke kulmuar, ndriçoi siç ndriçon fort kometa në qiell. Ai ndriçoi e kulmoi me punën dhe arritjet në fizikën teorike dhe llogaritëse, me rezultatet e dukshme,  vlerësuar nga bashkësia shkencore ndërkombëtare.

***

Kaloi një vit nga dita, kur Akademia e Shkencave të Shqipërisë njoftonte: “Më 25 mars 2021 u nda nga jeta në moshën 56-vjeçare akademiku i asociuar, prof. dr. Artan Boriçi. Një humbje e pazëvendësueshme për familjen, humbje shumë e rëndë për akademikët dhe humbje po aq e rëndë për bashkësinë e studiuesve fizikanë në Shqipëri dhe në një kuadër europian”.

Artani u lind në Tiranë më 19 prill 1965 në një familje të lashtë shkodrane, nga prindër studiues të kualifikuar me tituj “drejtues kërkimesh” (prof.dr. Hamit Boriçi historian i gazetarisë dhe prof. dr. Myzejen Boriçi ing. klimatologe).

Hapat e parë në rrugëtimin kërkimor-shkencor i hodhi që kur ishte student i fizikës në Universitetin e Tiranës. Në vitin e katërt referoi në sesionin shkencor të Fakultetit të Shkencave të Natyrës (FShN).

Në vitin e fundit të studimeve pesëvjeçare kreu praktikën mësimore në Institutin e Fizikës Bërthamore (IFB), që ishte qendra më e madhe kërkimore, e përqendruar në aplikimet e radioizotopeve dhe rrezatimeve bërthamore në vendin tonë.

Ishte koha, kur unë si drejtues sektori, isha ngarkuar të ndiqja praktikën e studentëve. (shën. i red.: prof. Sabri Zaganjori është njëri ndër shtatë punnonjësit shkencorë themelues të Laboratorit të Rrezatimeve Bërthamore – LRRB – i cili shpejt u kthye në Institutin e Fizikës Bërthamore – IFB). E vërteta është se shumica e praktikantëve kishin formim të mirë teorik dhe këtë e shfaqnin në ushtrimin e praktikave me aparaturat e përparuara që kishte IFB. Artani spikaste për vullnetin, interesimin dhe aftësinë për të përvetësuar shpejt përdorimin e aparaturave. Tek ai dallohej kurioziteti shkencor, syri vëzhgues dhe fantazia për një zhvillimin të mëtejshëm të aspekteve të ndryshme të proceseve që i ngarkoheshin të kryente. Të gjitha këto dëshmonin qartë për karakterin dhe mundësitë e tij për t’u bërë një kërkues shkencor, që premtonte rezultate të vlerësueshme.

***

Punimi i parë kërkimor i Artan Boriçit ishte teza e diplomës “Studimi i disa veçorive magnetike të modelit të Izingut me anë të simulimit Monte Karlo”. Profesori i fizikës teorike Rexhep Mejdani në cilësinë e udhëheqësit shkencor e vlerësoi lart tezën e diplomës dhe përpara auditorit shfaqi mendimin se Artan Boriçi “…i ka tejkaluar detyrat e ngarkuara nga udhëheqësi shkencor. Karakteristikë themelore e tij është pavarësia, gjetja e rrugëve sa më racionale dhe intuita”.

Botimi i parë i tij ishte artikulli në bashkautorësi me prof. Rexhep Meidanin “Përftimi me anë të simulimit i disa vetive termodinamike për një model hapësinor të Izingut” (“Buletini i Shkencave Natyrore”, Tiranë, 1990, f.63-69).

Pas diplomimit Artan Boriçi emërohet asistent në katedrën e fizikës teorike të FShN-së dhe këtu në vjeshtë të vitit 1988 fillon karriera e tij akademike. Në vitin 1991 ai fiton një bursë njëvjeçare për studime pasuniversitare në Zvicër.

Në tetor 1991 ai gjendet i angazhuar në Politeknikun e Zyrihut (ETH) pranë prof. René Monnier në një kërkim shkencor të përbashkët për zbulimin e mekanizmit të segregimit në sipërfaqe, që vihej re në lidhjet metalike. Kërkimi përfundoi me sukses dhe u botua në revistën shkencore amerikane “Physical Review”.

Me ndërmjetësimin e prof. Monierit Artan Boriçi njihet me personalitetet që punonin në ETH (prof. Philippe de Forcrand, fizikan i Institutit të Llogaritjeve Ndërdisiplinore; prof. Hans Peter Lüti, i cili merrej me zbatimin e metodave llogaritëse në kiminë kuantike; prof. Martin Gurcnecht, drejtor i Institutit të Llogaritjeve Ndërdisiplinore), të cilët e përfshinë në veprimtarinë e tyre kërkimore me detyra konkrete. Sukseset e kësaj veprimtarie të tij i mundësuan përgatitjen për doktoraturë në matematikë me udhëheqës shkencor prof. Filippe de Forkrandin dhe u lejua të punojë në superkompjuterin amerikan Cray YMP.

Në maj të vitit 1993 Artan Boriçi mbrojti doktoraturën për matematikë, gjë që i hapte perspektivën e një pune të thelluar kërkimore në fushën e fizikës teorike.

Afirmimi në disa qendra kërkimore shkencore europiane

Pas doktoraturës ai fillon të punojë në Institutin “Paul Scherer” të Zvicrës (institut kërkimor ndërdisiplinor për shkencat natyrore dhe inxhinierike), ku u kushtohet kërkimeve në fushën e fizikës teorike dhe llogaritëse duke përpunuar algoritmin e tij mbështetur në “metodat ndërhapsinore të Krillovit: Lancos me dy kalime”.

Veprimtaria e Artan Boriçit vijon më tej me ligjërata dhe studime teorike në Universitetin e Edinburgut në Skoci (universitet kërkimor publik i themeluar në vitin 1583).

Me propozim të prof. Hans Jakob Lüti, matematikan i njohur në fushën e optimizimit matematik, Artani përqendrohet edhe në fushën e kërkimit në proceset financiare, ku merret me “studimin e optimizimit numerik të kontratave të tipit amerikan”.

Si kërkues tanimë i konsoliduar shkencor Artan Boriçi u mirëprit dhe u aktivizua në disa qendra kërkimore shkencore evropiane si “Qendra e Llogaritjeve Intensive” në Jülich të Gjermanisë. Puna që Artani  zhvilloi në konsultim e ndërveprim me prof. Michael Creutz lidhur me “natyrën e elektroneve të grafinës, shtresave të grafitit”, bëri të mundur arritjen e një rezultati të tillë, që fermionet rrjetore kirale tanimë të citohen me emray “Fermionet Boriçi” dhe “Boriçi-Creutz”.

Për projekte dhe punë kërkimore të thelluara Artan Boriçi ka përfituar grante prej më shumë se gjysmë milion dollarësh nga agjenci zvicerane e skoceze. Një ndër këto projekte titullohej “Krylov subspace methods in lattice QCD” dhe u mbështet nga Fondi për Kërkimin Shkencor i Konfederatës së Zvicrës.

Bashkëpunimi me CERN-in zë fill me paraqitjen e punës kërkimore shkencore dhe synimet e tij për të ardhmen. Në vitin 2010 i erdhi ftesë zyrtare që të punonte një vit. Mirëpo në FShN “arsyetuan” se nuk kishte kush ta zëvendësonte, prandaj mezi u arrit të lejohej për 3-4 muaj. Artan Boriçi shkoi dhe gjatë qëndrimit atje pati mundësinë të bashkëpunonte me prof. Martin Lysherin, i njohur si udhëheqës i ideve të llogaritjeve rrjetore.      Pavarësisht kohës së kufizuar Artani arriti ta realizonte detyrën për të kryer me saktësi përafëruese llogaritjet analitike që ndihmojnë vendosjen e shkallës në simulimin numerik.

Puna në CERN ishte për Artan Boriçin një rast, që ai e shfrytëzoi për të bërë të njohur atje punën kërkimore shkencore që zhvillohej në Shqipëri, si dhe për t’u interesuar lidhur me mundësinë e anëtarësimit të vendit tonë në sistemin institucional të CERN-it (dokumenti “Veprimtaria shkencore e prof. dr.Artan Boriçitparaqitur në Akademinë e Shkencave për t’u pranuar si akademik i asociuar. Tiranë, 18 qershor 2020).

Këto ide dhe këtë veprimtari kërkimore shkencore kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik prof. dr. Skënder Gjinushi, e përgjithësonte: “Artani bashkëpunoi me sukses me disa qendra të mirënjohura të fizikës dhe matematikës në Zvicër, Gjermani e më gjerë. U bë pjesë e ekipeve të specializuara për kërkime bërthamore europiane. Ishte një prej vlerësuesve dhe paravlerësuesve në konkursin e përvitshëm për çmimin ‘Nobel’ në fizikë. Institucionet shkencore europiane kishin bindje t’i mirëbesonin buxhete për projektet që propozoheshin prej tij si individ ose në emër të Universitetit të Tiranës, ku bashkoi energjinë e tij mendore. U ftua të bashkëpunonte dhe bashkëpunoi siç dinte ai edhe me NATO-n e CERN-in (Organizata Europiane për Kërkime Bërthamore), përveç agjencive kërkimore të specializuara ngushtë nga Zvicra në Skoci. Artikujt e tij janë botuar në revista nga më me prestigj në botë” (Akademik Skënder Gjinushi, “Fjala e lamtumirës në homazhet e mbajtura nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në nderim të akademikut të asociuar Artan Boriçi”, akad.gov.al, 26 mars 2021).

Artan Boriçi në hierarkinë e shkencës shqiptare

Në nëntor 2003 Artan Boriçi kthehet në atdhe me dëshirë, shpresë dhe i përgatitur për punën akademike por edhe për kërkime shkencore në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare.

Dhe për më shumë se 18 vjet ligjëroi në auditoret e FShN-së si titullar i lëndëve “Grimcat elementare”, “Fizika llogaritëse” dhe “Gjuha e programimit”. Për një kohë kreu edhe detyrën e zëvendësdekanit, por u shmang, sepse kishte pritshmëri të tjera në fushën shkencore. Prej vitit 2012 Artan Boriçi drejtoi grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës. Ndërkohë udhëhoqi dy pedagoge që arritën të fitonin gradën e doktorit të shkencave.

Artan Boriçi shkroi dhe botoi tre libra: 1. “Teoritë kalibruese të fizikës së grimcave elementare” (duke aktivizuar si bashkautor studentin e tij Ergys Rexhepi); 2. “Algjebra lineare numerike”; 3. “Fizika me anë të programimit në oktavë dhe në c++”.

Kontribut të rëndësishëm dha me botime literature mësimore dhe shkencore, me cikle ligjëratash akademike konceptuar e ndërtuar me stil akademik shkencor, si dhe me përvojën e sprovuar në universitete e institucione të botës akademike ndërkombëtare.

Krahas mësimdhënies botoi qindra faqe leksionesh të shkruara (https:/sites.google.com/site/leksione/home/) në fusha, ku më parë nuk ka pasur literaturë shkencore në gjuhën shqipe.

Artan Boriçi ka mbajtur lidhje me studiues dhe institucione të Europës duke bashkëvepruar me kërkime shkencore. Ai ka organizuar konferencën ndërkombëtare “International Workshop on LHC Physics and related topics” (2012, 2016, 2018 në Tiranë; 2014 në Shkodër), shkollën ndërkombëtare “International school of particle and astroparticle Physics” në Tiranë (2018, 2019) dhe seminarin ndërkombëtar “Tirana Workshop on LHC” (Tiranë, 16 maj 2011).

Për t’u shënuar ka qenë pjesëmarrja e gjallë e Artan Boriçit në jetën dhe veprimtarinë e departamentit të fizikës. Në një intervistë për mjetet e informimit ai vinte në dukje: “Kontributi i fakultetit tonë është zhvillimi i algoritmeve  që u shërbejnë këtyre llogaritjeve. Ne kemi ndërtuar një software, QCDLAB (www.phys.fshn.edu.al/qcdlab.html) dhe një PC-CLUSTER për të ndërtuar prototipin e këtyre llogaritjeve, të cilat më pas zhvillohen në superkompjuter…”

Idetë e prof. Artanit janë shprehur edhe në shtyp, si në artikullin “Plani i zhvillimit të departamentit të fizikës”, ku parashtrohen probleme të rëndësishme, ndër të tjera interesimi i departamentit për punësimin dhe karrierën e studentëve, mbështetja e tyre, bashkëpunimi me punëdhënësit për kryerjen e praktikave profesionale dhe projekteve të përbashkëta, modernizimi i laboratorëve të fizikës me teknologjitë e reja dhe zhvillimi i një jete të gjallë dhe efektive në departament duke zgjeruar më tej demokracinë dhe transparencën.

Tejet e pasur vepra dhe veprimtaria shkencore

I shënuar është kontributi shkencor i Artan Boriçit në botën akademike ndërkombëtare në fushën e matematikës dhe të teorisë së fizikës themelore. Spikatin artikujt “Fermionet Boriçi” dhe “Boriçi-Creutz”, vlerësuar nga bashkësia e fizikanëve të teorisë rrjetore të fushës.

Artan Boriçi është autor i software-it QCDLAB për llogaritjet shkencore në teorinë rrjetore të fushës (https://sites.google.com/site/artanborici/qcdlab).

Puna kërkimore me rezultate gjithnjë e më të ndjeshme vazhdon të rritet duke e bërë të njohur nëpër botë me referimet e tij.

Në bibliografinë e Artan Boriçit renditen më shumë se 100 tituj artikujsh, trajtesash e studimesh kërkimore shkencore, vlerësuar dhe botuar në revista shkencore të njohura ndërkombëtare, kryesisht në “Physical Review D” e Shoqërisë Amerikane të Fizikës, e cila prej vitit 1893 boton kërkime origjinale, si dhe në revistën e përdymuajshme shkencore “Journal of Computational Physics”, që mbulon fizikën llogaritëse.

Në këta periodikë janë botuar edhe trajtesa, kumtesa e referate shkencore të mbajtura në 52 konferenca ndërkombëtare. Artan Boriçi ka ligjëruar në shtete të ndryshme të Europës dhe jashtë saj: në Zvicër (Zyrih, Bernë, Gjenevë, Lugano); në Londër dhe Edinburg;  në Gjermani (Jülich, Berlin, Regensburg, Vupertal, Bilefeld e Lajpcig); në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (Columbia University në Nju-Jork, Brookhaven National Laboratory e Fermilab); në Austri (Vjenë dhe Schladmin); në Itali, në Irlandë (Dublin) dhe në Rusi (Dubna; këtu Artan Boriçi paraqiti idenë e tij të tretë “Lidhjet matematike të dy formulimeve teorike të fermioneve kiralë”).

Artan Boriçi ka qenë i ftuar në dymbëdhjetë veprimtari shkencore ndërkombëtare për të mbajtur referate, si në Turqi, ShBA, Gjermani, Zvicër, Rusi etj. Po ashtu është ftuar si lektor në shkolla ndërkombëtare si në Bosnjë-Hercegovinë, Edinburg etj.

Unë nuk di dhe nuk besoj të ketë ndonjë punonjës të shkencës, të fizikës a të një fushe tjetër hulumtimi e kërkimi në vendin tonë, as në të kaluarën e as në të tanishmen, që të ketë një veprimtari e prodhimtari shkencore të vlerësuar ndërkombëtarisht, të dokumentuar në revista shkencore ndërkombëtarisht të krahasueshme ose sa veprimtaria dhe prodhimtaria e profesorit, akademikut të asociuar Artan Boriçi.

Flasin dhe shkruajnë profesorë dhe kolegë nga Europa

“Ai (shkruan për Artan Boriçin prof. Filip de Forkrandi, ekspert i fizikës teorike në “Këshillin Evropian për Kërkimin Bërthamor” – CERN) ishte një shkencëtar shqiptar me njohje ndërkombëtare dhe ndërlidhës i dijeve të vendit të tij me botën”.

“Vlerësoj shumë entuziazmin, me të cilin ai punonte me studiuesit e rinj të vendit të tij”, shkruan Francesco Loparco nga Universiteti “Aldo Moro” në Itali.

“Një fizikan i jashtëzakonshëm, një njeri jashtëzakonisht i këndshëm”, shkruan Gilberto Colangelo, ekspert në fizikë teorike nga Universiteti i Bernës.

Prof.dr. Thomas Lippert, drejtor i Institutit të Studimeve të Avancuara të Qendrës Kërkimore të Julihut dhe përgjegjës i katedrës së fizikës teorike llogaritëse në universitetin e Vupertalit (Gjermani)shkruante:: “Prof. Artani ka dhënë kontribut të rëndësishëm në studimet e fizikës teorike, është gjithnjë njëri prej pionierëve të rëndësishëm që shpie përpara metodologjitë e reja llogaritëse në QCDL, është një prej të parëve që u orientua drejt paraqitjeve të sakta të fermioneve kirale në rrjetë dhe simulimit të tyre. Në funksionet e tij si kërkues i mirënjohur dhe fizikan prof. Boriçi ka treguar qartë kompetencën më të lartë shkencore”.

Pas ndarjes së Artan Boriçit nga jeta profesorët dhe kolegët e tij e shprehën dhembjen e tyre të thellë jo vetëm nëpërmjet mesazheve, por edhe duke i nisur ligjërimet e tyre akademike me kujtimet dhe nderimin për figurën e tij. Prof. Jürg Fröhlich, i shquar në fushën e fizikës matematike, e nderoi Artan Boriçin, studentin dhe kolegun e tij, duke mbajtur një ligjëratë të hapur me studentët e ETH-së.

Në Simpoziumin 38 ndërkombëtar të teorisë rrjetore të fushës, më korrik 2021, u mbajt një ligjëratë kushtuar vlerësimit të figurës së Artan Boriçit dhe arritjeve të tij, ndër të tjera për fermionet “Boriçi-Krojc”.

Ndërkohë vijon puna për organizimin e një konference ndërkombëtare kushtuar veprës dhe veprimtarisë së tij në teorinë e fizikës themelore.

***

“Artan Boriçi la një trashëgimi që nuk hyn dot në kornizën e viteve. Vepra e tij është pjesë e vyer e trashëgimisë akademike të Shqipërisë. Arritjet e tij shkencore janë e do të jenë në duart e studiuesve, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ai e shkroi jetën e tij në këto arritje. Akademia e Shkencave e shkroi emrin e tij në Librin e Artë të Shkencës sonë” (Akademik Skënder Gjinushi, “Fjala e lamtumirës në homazhet e mbajtura nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në nderim të akademikut të asociuar Artan Boriçi”, akad.gov.al, 26 mars 2021).
Marrë nga gazeta Dita

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY