Pse Ahmet Zogu lartësohet gjithnjë e më shumë!

Pse Ahmet Zogu lartësohet gjithnjë e më shumë!

39
0
Shares

Nga Ekrem Spahiu

Me rastin e 125 vjetorit të lindjes

Pse Ahmet Zogu lartësohet gjithnjë e më shumë?!
Me rastin e 125 vjetorit të lindjes
Si sot 125 vjet më parë, më 8 Tetor 1895, lindi Ahmet Zogu – Mbret i shqiptarëve, i cili që në rininë e hershme u thirr dhe iu përkushtua Shqipërisë në të gjitha momentet vendimtare historike të saj, duke filluar që nga shpallja e Pavarësisë dhe gjatë gjithë jetës së tij.
Regjimi komunist, jo vetëm që la pasoja të rënda në dimensionin kombëtar, goditi liritë e të drejtat themelore të njeriut, varfëroi në ekstrem vendin ekonomikisht, etj, por deformoi rëndë edhe historinë e Shqipërisë. Për të arritur këto qëllime, i nisur nga kritere klasore e politike, u përpoq të errësojë dhe madje të shuajë çdo kontribut e vlerë të dinastive dhe personaliteteve historike, midis tyre edhe të Ahmet Zogut.
Historia e Shqipërisë është në një proçes rishikimi, duke e ngritur secilin në piedestalin legjitim përkundrejt kontributeve që ka dhënë në dobi të atdheut, shtetit dhe popullit shqiptarë. E vërteta dhe faktet po dëshmojnë se figura e Ahmet Zogut, po lartësohet gjithnjë e më shumë.
Është një fakt i njohur se Shqipërinë dhe nacionalizmin shqiptar e mbajtën gjallë më të interesuarit, oxhakët dhe personalitetet që e kishin lidhur fatin e tyre me fatin e Shqipërisë. Dinastia Zogolli njihet si njera prej tyre.
Ahmet Zogu, bir i kësaj dinastie, përfaqësoi krahinën e Matit në Kuvendin e Vlorës për shpalljen e Pavarësisë. Në roje të pavarësisë së saposhpallur të vendit, ishte pikërisht Ahmet Zogu, që organizoi dhe angazhoi forcat e tij në Kakarriq kundër forcave serbo-malazeze, duke vënë jetën e tij në sakrificë për lirinë e Atdheut.
Intuita, interesimi dhe detyrimi i brendshëm kombëtar, do ta çonte atë të bëhej një nga organizatorët kryesor të Kongresit të Lushnjes, ku mori përgjegjësinë e madhe të sigurisë së punimeve të tij. Me meritë, Kongresi e caktoi Ministër të Brendshëm, një post që kërkonte kurajo dhe guxim. Në mbështetje të vendimit së Qeverisë të dalë nga Kongresi i Lushnjës për ta bërë vendin me kryeqytet, ishte vendosmëria e Ahmeti Zogut që i hapi rrugën Qeverisë së re për tu zhvendosur dhe instaluar në Tiranë. Ministri i Brendshëm A. Zogu me trupat e xhandarmërisë që sapo krijoi, vuri autoritetin e shtetit me rend dhe siguri në të gjithë territorin e vendit.
Koha, kontributet, këmbëngulja, vendosmëria, vizioni dhe angazhimi me burime njerëzore e financiare do ta sillte natyrshëm që Ahmet Zogu të besohej në postin e Kryeministrit të vendit, një post që, kur e mori, e mbajti pa ndërprerje për rreth dy vjet. Jetëgjatësia si kryeministër ishte një kontribut domethënës për stabilitetin e vendit. Kujtojmë se nga viti 1912 e deri në atë kohë, Shqipëria kishte ndërruar 17 qeveri. Jetëgjatësia e tyre ishte mesatarisht 7 muaj, madje pati qeveri që zgjati vetëm disa orë! Nëse vijonin qeveri me paqëndrueshmëri të tilla, me siguri do t’i kushtonin rëndë shtetit e kombit shqiptar, veçanërisht në periudhën tepër kritike midis dy luftrave botërore. Nën autoritetin e Kryeministrit Zogu, vendi fitoi një status të qëndrueshëm në të gjitha drejtimet.
Për herë të parë dhe të vetme në historinë parlamentare të Shqipërisë, Parlamenti u formësua në dy dhoma: Senati dhe Dhoma e Deputetëve. Në kushtet kur përvoja politike shqiptare ishte e mangët dhe roli i Kryeministrit relativisht i prekshëm, një parlament me dy dhoma ishte zgjidhja më e mirë për të vendosur e ruajtur ekuilibrat politikë. Me kalimin në sistemin e Mbretërisë, këtë ekuilibër e garantonte vetë Mbreti.
Me shpalljen e Mbretërisë, Ahmet Zogu e orientoi të gjithë strukturën dhe institucionet e qeverisjes për nga modelet më të mira perëndimore. Si rrallë herë në historinë e Shqipërisë, ai thirri ekspertizën më të mirë juridike, ekonomike, ushtarake dhe diplomatike të shteteve perëndimore.
Statuti Themeltar, kodi civil, kodi tregtar, kodi penal, kodi i procedurës civile, etj, të hartuara nën këtë ekspertizë, shënuan shkëputjen e plotë nga legjislacioni i periudhës osmane dhe e orientuan zhvillimin e Shqipërisë për nga potencialet demokratike.
Ministrat, deputetët, ambasadorët e kohës së Ahmet Zogut u zgjodhën nga njerzit më të ditur të vendit. Ata u vunë në shërbim të shtetit dhe shtetasve sikurse e kërkonte formimi dhe statusi i tyre. Nuk mund të imagjinohej që ata t’i përdornin këto poste në shërbim të interesave të tyre. Mbi këto baza, u krijua edhe administrata e shtetit, ku edhe sot, dokumentacioni i asaj kohe mbetet si etalon korrektese ligjore.
Me përvojën dhe autoritetin e krijuar, kontrolli i territorit u forcua në atë shkallë sa, në të gjitha kohërat më pas, kujtohet me nostalgji fakti që një xhandar i vetëm mbante rendin e qetësinë në një zonë të caktuar.
Me ekspertizën më të mirë perëndimore u ngrit Ushtria Kombëtare, me të gjitha strukturat krahasuese europiane, të cilës iu dha një mbështetje e pashembullt, duke i alokuar buxhet përparësor.
U shenjtërua prona dhe kadastra si elementë themelore të së drejtës. Liria e shprehjes dhe e shtypit në epokën zogiste ishte e plotë. Është fakt, që në atë periudhë u botuan gazeta të gjithfarllojshme opozitare, në të cilat nuk ishte blasfemi dhe nuk ndëshkohej kush pse shkruante kundër qeverisë apo edhe vetë Mbretit.
U vendosën në efiçencë të plotë pasuritë tokësore e nëntokësore të vendit. U ndërtua nga fillimi infrastruktura rrugore dhe ura të shumta. Pikërisht në atë kohë mori formë Kryeqyteti shqiptar, me korpuset kryesore, të cilët akoma edhe sot përbëjnë pasaportën e identitetit të tij urban.
Shteti në kohën e Mbretit Zog, e bëri krenar shqiptarin, ku me politikat e ndjekura, iu garantua lëvizja e lirë me një pasaportë të denjë për të paraqitur identitetin e tij në çdo vend të botës. Paraja shqiptare, napoloni i famshëm, ishte një nga monedhat më të forta të kohës.
U masivizua arsimi kombëtar duke i dhënë prioritet edukimit të brezit të ri me frymën kombëtare. U respektuan, si në asnjë vend fqinj, të drejtat e minoriteteve për arsimim në gjuhën e tyre.
Mbretëria shqiptare garantoi me ligj lirinë e besimeve fetare. Me një lëvizje të vendosur dhe të papërsëritshme, krijoi të gjitha kushtet për shpalljen e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare (12 prill 1937). Ndërkohë, Zogu qysh në vjeshtën e vitin 1925, kishte garantuar ngritjen në Shqipëri të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. U krijuan kushte dhe u kërkua që shoqëria të emancipohej në të gjitha planet. Në këtë kuadër, ajo u çlirua nga ngarkesat e paarsyeshme fetare, sikurse ishte mbulesa e jashtme e grave.
Sot, shqiptarët në të gjitha trojet kombëtare, gjithnjë e më shumë po i evokojnë vlerat, kontributet dhe arritjet e Mbretërisë Shqiptare. Ajo zgjati vetëm 11 vjet, por i la Shqipërisë një trashëgimi të pashlyeshme e cila, në shumë drejtime, është e paarritshme edhe sot.
Faik Konica, një nga mendjet e ndritura të kombit shqiptar, deklaronte se “Shqipëria ka njërin prej ekzekutivëve më të shquar të botës”. Ndërsa Fan Noli, kundërshtari politik i Ahmet Zogut, deklaronte se “Ahmet bej Mati, është djalë fare i ri, por luan nga zemra dhe hekur nga karakteri”.
Këto vlera bëhen akoma më të prekshme e të ndjeshme, kur shqiptarët bëjnë krahasimin se çfarë panë pas Ahmet Zogut, nga prilli 1939 dhe shohin ende sot.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY