Zëri i Amerikës detaje për “Rrumin”: Kur akuzohej për atentat e mbrojti...

Zëri i Amerikës detaje për “Rrumin”: Kur akuzohej për atentat e mbrojti ortaku i Ndojës

97
0
Shares

Andi Maloku, shoferi personal i prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji, humbi jetën të enjten në mbrëmje në Spitalin e Traumës në kryeqytet nga plumbat që mori një javë më parë gjatë atentatit me armë zjarri në Shkozet.

24-vjeçari nga Fushë – Kruja mori plagët më të rënda nga të shtënat me kallashnikov nga një automjet tjetër në lëvizje. Ai ndodhej në makinë së bashku me prokurorin Ndoji dhe me një udhëtar të tretë, Pëllumb Muharremi, person me rekorde kriminale, i njohur me nofkën “Rrumi”.

Ndoji dhe Muharremi janë ende në spital, sipas mjekëve jashtë rrezikut për jetën dhe nën ruajtjen e policisë.

Në vend-ngjarje u gjetën së paku 9 gëzhoja dhe një predhë e padëmtuar, bënë të ditur hetuesit jozyrtarisht për mediat.

Prokuroria njoftoi se gjeti një automjet të braktisur, që dyshohet se është përdorur gjatë atentatit, ku ishin dy armë automatike, dy maska, një shishe me lëndë djegëse dhe sende të tjera.

Një palë syze të gjetura po në këtë automjet çuan në arrestimin e 34-vjeçarit nga Nikla e Fushë – Krujës, Redjan Rraja, për të cilin policia dyshon se është një nga autorët e atentatit të premten e kaluar.

Në automjetin e dyshuar të atentatorëve, sipas hetuesve, përveç shoferit ka qenë edhe një qitës tjetër, arma e të cilit është blokuar gjatë zjarrit.

Autoritetet janë duke vazhduar hetimet dhe ende nuk kanë dhënë hollësi për provat, që kanë gjetur në vendin e ngjarjes.

Por sipas burimeve të besueshme, automjeti me të cilën po udhëtonte prokurori Ndoji është në pronësi të një personi tjetër, ndërsa siguracioni i saj është në emër të Arjan Ndojit dhe të shoqes së tij.

Arjan Ndoji, para se të rikthehej në punë si prokuror në Durrës, kishte ngritur një studio ligjore si avokat, dhe me rikthimin e tij në organin e akuzës studion ligjore e drejton e shoqja.

Sipas të dhënave të shtypit vendas, që i u referohen burimeve hetimore, në automjetin e prokurorit Ndoji mendohet të jenë gjetur disa dosje procesesh gjyqësore pronash, që zhvillohen në Gjykatën e Durrësit.

Prokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku njoftoi të mërkurën se po verifikon faktet e bëra publike për prokurorin Arjan Ndoji pas atentatit dhe po mbledh të dhënat mbi shkeljen e mundshme të rregullave të papajtueshmërisë me funksionin e magjistratit.

Vite më parë, në 2007, një ortak i ish-avokatit Arjan Ndoji, tashmë prokuror, e ka përfaqësuar Pëllumb Muharremin në një proces gjyqësor, kur akuzohej dhe u dënua për një atentat.

I mbiquajturi me nofkën “Rrumi”, Pëllumb Muharremi ka ndërruar shpesh identitetin herë si Pëllumb Ymeri e herë si Aleksandër Laho, dhe ka disa rekorde kriminale.

Burime të besueshme bëjnë të ditur se ai është përfshirë në disa ndërmjetësime pronash në krahinën e Durrësit, duke përfituar nga njohjet e tij me persona të ndryshëm në sistemin e drejtësisë.

“Rrumi” para 3 vjetësh u akuzua për dhunë ndaj një biznesmeni libanez, i cili po investonte për ndërtimin e një kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit, zonë për të cilën besohet se ai kishte edhe vet interesa biznesi.

Ngjarja mbizotëroi vëmendjen e opinionit publik për shkak të atentatit ndaj një prokurori të akuzuar publikisht nga kryeministri Edi Rama për lidhje dhe shërbim ndaj bandave./VOA

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY