Presidenti rrëzon ligjin që ul taksat për bixhozin

Presidenti rrëzon ligjin që ul taksat për bixhozin

57
0
Shares

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ktheu sot në Kuvend një tjetër ligj që besohet se kaloi në parlament me ndikimin e linjave të errëta të biznesit të bixhozit.

Bëhte fjalë për një ligj që ulte taksat për industrinë e lojërave të fatit i cili u votua vetëm nga mazhoranca.

Argumentat e kthimit të ligjit:

Në respekt të ushtrimit të së drejtës të parashikuar në pikën 1 të nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se me Dekretin nr. 10850, datë 30.07.2018, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin në Kuvend të ligjit nr.39/2018, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, me qëllim rishikimin e nenit 6 të këtij ligji, bazuar në  argumentat e mëposhtme :

  1. Ndryshimet e realizuara në nenin 6, të ligjit nr. 39/2018, janë të pa argumentuara dhe nga vlerësimi i tyre rezulton se, zbatimi i këtij neni do të sjell uljen e barrës fiskale dhe përfitim financiar vetëm në favor të bizneseve që operojnë në fushën e lojrave të fatit, ndërkohë që ky nen nuk është në interes të publikut, si dhe efektet e pritshme në buxhetin e shtetit apo në ekonominë familjare janë negative.
  2. Miratimi i nenit 6 të ligjit nr. 39/2018, është në kundërshtim me përmbushjen e objektivave social të shtetit shqiptar parashikuar në nenin 59 të Kushtetutës, bie ndesh me frymën e legjislacionit në fuqi në funksion të dekurajimit të aktivitetit të biznesit në industrinë e lojrave të fatit, si dhe krijon premisë për shtimin e fenomeneve negative që cenojnë familjen shqiptare.

Institucioni i Presidentit të Republikës, ka vlerësuar se aplikimi i barrës së lehtësuar fiskale ndaj operatorëve në fushën e lojrave të fatit, nuk është vlerësuar në mënyrë të thelluar nga qeveria dhe Kuvendi, përkundrejt dramave sociale dhe konflikteve në familje që janë shkaktuar në vijimësi nga pjesëmarrja në lojrat e fatit.

Argumentet e shtjelluara mbi kthimin për rishqyrtim të nenit 6, të ligjit nr. 39/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, mund t’i gjeni në faqen zyrtare të institucionit të Presidentit të Republikës – http://president.al/presidenti-meta-dekreton-kthimin-per-rishqyrtim-ne-kuvend-te-ligjit-nr-39-2018-arsyet-e-kthimit-te-ligjit/

Gjithashtu, Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës në ushtrim të detyrave të Tij, në mbështetje të nenit 84 pika 1 e Kushtetutës, ka dekretuar shpalljen e ligjeve të tjera të miratuara nga Kuvendi, dhe konkretisht :

– Dekret nr. 10842 datë 26.07.2018 për shpalljen e ligjit nr. 38/2018 “Për ratifikimin e korrigjimit të marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për huan e politikës së zhvillimit të sektorit financiar”.

– Dekret nr. 10843, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 40/2018 “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

– Dekret me nr. 10844, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 41/2018 “Për një shtesë në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.

– Dekret nr. 10845, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 42/2018 “Për ratifikimin e memorandumit të qëllimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për instalimin dhe përdorimin e Sistemit për Krahasimin dhe Vlerësimin e Sigurt të Identifikimit Personal (PISCES)”.

– Dekret me nr. 10846, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. 43/2018 “Për ratifikimin e protokollit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës për zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”.

– Dekret me nr. 10847, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. nr. 44/2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes me vendin pritës ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Ballkanit Perëndimor”.

– Dekret me nr. 10848, datë 26.07.2018, për shpalljen e ligjit nr. nr. 45/2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes së ndryshimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, duke vepruar nëpërmjet Këshillit të Ministrave, dhe Trans Adriatic Pipeline AG, lidhur me marrëveshjen me qeverinë e vendit pritës”.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY