Fuga tallet me Akademinë e Shkencave, paralele me Aldo Morning Show

Fuga tallet me Akademinë e Shkencave, paralele me Aldo Morning Show

137
0
Shares

Akademiku Artan Fuga e ka zgjeruar edhe më tej betejën me stofin e vjetër të Akademisë së Shkencave duke hequr paralele me një emision mëngjesi të një televizoni kombëtar ku ndërthuren humori, amatorizmi dhe muzika e zgjedhur.

Për më shumë lexoni vetë Fugën:

Akademia e Shkencave nuk është emisioni Aldo Morning Show!

————————-

Të sqarohemi. Për mendimin tim, sot për sot, Aldo Morning Show është emisioni që më pëlqen më shumë si talk show. Nuk le ditë pa e ndjekur. Sepse drejtuesi i emisionit është hazërxhevap, humanist, i këndshëm. Ka edhe këngë të bukura që ndërfuten gjithë marifet. Pastaj lajmet superlokale që vijnë nga amatorë janë të freskëta. Media jonë bën lajme të mira kur e merr lajmin me humor. Se kur i bën seriozisht i bën copë. Unë vetëm lajmet e miqve të Aldos ndjek. Pastaj më pëlqen edhe sepse është emisioni më i dobishëm qytetar. Kur bën lidhje mes njerëzve që duan të lidhen me njeri tjetrin, një grua me një burrë dhe një burrë me një grua. Se ka ca talk show që vetëm fake neës prodhojnë. Fake Neës me pagesë.
+++

Por, çfarë hyn Akademia e Shkencave e Republikës të Shqipërisë këtu?

Ja prisni t’ua shpjegoj.

Dihet se ky vit është shpallur përkujtimor për Skënderbeun. Edhe Akademia e Shkencave sikurse mësova nga intervista që pati dhënë sekretari i saj, do të organizoka një konkurs të madh. Me të gjitha veprat më të mira në këto dekada të autorëve për Skënderbeun. Do të shpalli punimin më të mirë.

Duket se nuk e ka keq. Por, po ta analizosh këtë vullnet sheh se ka një lajthitje në logjikën e administrimit të institucionit.

A ka Akademia e Shkencave sot specialistë, jo një, por disa, që të jenë specializuar për periudhën e Skënderbeut?

Pra, a ka mundësi të ngrejë një juri me akademikë, antarë të saj, Akademia e Shkencave?

Jo, pra, sepse me përjashtim, të ndofta një akademiku, të tjerët, ne, nuk kemi pikë kompetence në këtë fushë. Si do të jemi ne akademikët pa kompetenca shkencore si juri për të vlerësuar punën dhe botimet shkencore në këtë fushë???

Të përgjigjet shpejt Akademia e Shkencave : Jo mor zotni, ne do të ngrejmë një juri me studjues të jashtëm, jo me akademikë!

Atëhere e kupton se ku janë futur.

Botimet shkencore për Skënderbeun janë bërë në pjesën dërmuese, me ndonjë përjashtim të rrallë shumë, nga joakademikë. Juria do të përbëhet edhe ajo nga joakademikë.

Atëhere çfarë hyn Akademia e Shkencave këtu?

Thjesht i huazon logon e vet një jurie që nuk ka lidhje institucionale me akademinë e shkencave.

Këtë konkurs, kështu thjesht si agjenci ndërmjetëse, atëhere mund ta organizonte kushdo tjetër agjenci, ministri, ojf, klub, bashki, etj.

Prandaj m’u bë lidhja me Aldo Morning Show që lidh njerëz që duan të gjejnë shokun e jetës. Por, ai emision është perfekt në gjetjen e vet, mirëpo Akademia e Shkencave nuk mund të huazojë të njejtën metodë. Bëhet qesharake përndryshe.

Nuk është as agjenci organizimi dasmash kur bëhet ndërmjetëse mes anëtarëve të një çifti, krushqisë, miqve.

Cmimi i asaj jurie nuk do të ishte çmim i vërtetë i Akademisë së Shkencave.

Pra, ka edhe një premtim të pasaktë, sepse nuk dua të them të gënjeshtërt. Autori i shkretë fitues do të thoshte se mora çmimin e Akademisë, ndërkohë Akademia e Shkencave as nuk do të kishte realisht dorë aty.

Më tej.

Si do t’i zgjidhte Akademia e Shkencave antarët e jashtëm të jurisë?

Ku e dimë ne akademikët pa kompetenca shkencore në atë fushë se cilët janë specialistët kompetentë në atë fushë?

Do të niseshim thjesht nga opinionet sepse veprat e tyre përsëri nuk dimë t’i analizojmë.

Ja përse konkursi do të rrezikonte të përfundonte në një trafik influencash mbi bazë opinionesh që nuk kanë asgjë shkencore.

Pastaj nga dy vepra, njëra e bërë para njëzet vjetësh, dhe një tani, me më shumë burime, që atëhere nuk ishin në zotërim, cila do të quhej më e mirë? Kush i ka këto parametra matës?

Ja përse Akademia e Shkencave merr nisma pa logjikë shkencore. Sipas meje thjesht për të kuruar imazhin e vet të rrënuar duke zëvendësuar punën shkencore me teknika marrëdhëniesh publike manipuluese të publikut.

Kjo e rrit edhe më shumë krizën e saj.

Pse shkruajta që e dëgjova këtë ide për jurinë dhe konkursin në televizion? Sepse asnjë platformë zyrtare nuk njoh që të jetë debatuar dhe aprovuar nga asambleja e Akademisë së Shkencave për vitin e Skënderbeut.

A thua se nuk kemi të bëjmë me një çështje themelore të identitetit shqiptar!!!

Se gazetari dhe producenti Aldo Lipe, me zgjuarësi dhe finesë u thotë qartë burrave dhe grave në emision: Ej, përgjegjësinë për martesën e mbani vetë, ajo nuk do të ketë logon Aldo Morning Show.

Kurse Akademia jonë e shkencave, ne, bashkojmë, ndërmjetësojmë, autorë joakademikë me antarë jurie joakademikë, dhe pastaj themi se konkursin e bëjmë ne, dhe çmimi është i Akademisë së Shkencave.

Cfarë mungese përgjegjësie!!!

Mua më duket vetja hipokrit që ta konsideroj veten pjesë e atyre që japin çmimin, qoftë që delegojnë vullnetin te një juri, për diçka që nuk jam kompetent.

Se akademia e shkencave promovon shkencën. Këtë detyrë ia njeh ligji. Por, jo të delegojë kompetencën e vet te juri jashtë saj. Kjo nuk është as etike, as e ligshme, është shkelje e ligjit. Eshtë e pautorizuar ta bëjë këtë.

Ndryshe duket si agjenci organizimi martesash me mblesëri.

Por, akademikët meritojnë tjetër menaxhim.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY