DEKLARATA/ “Çështja çame jo Kal Troje për pazare”

DEKLARATA/ “Çështja çame jo Kal Troje për pazare”

125
0
Shares

PDIU dhe e Shoqatës Patriotike “Çamëria” kanë reaguar së bashku, për bisedimet e fundit Tiranë – Athinë, ku çështja çame nuk ka qenë në axhentë.

PDIU dhe e Shoqatës Patriotike “Çamëria” paralajmërojnë qeverinë shqiptare të mos e lejojnë këtë çështje si Kali i Trojës për pazare e interesa…

Deklarata e plotë e PDIU dhe e Shoqatës Patriotike “Çamëria”

Kemi ndjekur me shumë vëmendje takimet për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Për Çështjen Çame ka një ligj të Kuvendit të Shqipërisë që në vitin 1994 për njohjen e 27 Qershorit si dita e Genocidit mbi Shqiptarët e Çamërisë. Parlamenti i Shqipërisë e ka përcaktuar qartë, pa ekuivoke si Genocid atë çka ndodhi mbi shqiptarët e Çamërisë. Po ashtu, ka dhe një rezolutë të miratuar në vitin 2012 për Çështjen e shqiptarëve të Çamërisë detyruese për çdo qeveri.

Të gjithë forcat kryesore politike e kanë në program zgjidhjen e Çështjes Çame si çështje e të drejtave të njeriut. Madje, theksojmë se forca kryesore në vend kanë propozuar dhe projekt-rezoluta, ku kryeministri do raportonte çdo gjashtë muaj për ecurinë e zgjidhjes së Çështjes Çame.

Komisioneri Han një vit më parë inkurajoi në mënyrë  të drejtpërdrejtë, zgjidhjen në tryezën e bisedimeve Shqiptaro  – Greke të çështjes Çame .

Ministri i Jashtëm grek deklaroi se Çështja Çame nuk është pjesë e bisedimeve për zgjidhjen e problemeve dhe ajo nuk ekziston. Ministria jonë e Jashtme është e paqartë në verbin e saj publik për çka ka biseduar për Çështjen Çame.

Kërkojmë publikisht nga Kryeministri dhe Ministria e Jashtme të informojnë shqiptarët dhe në veçanti ata çamë – për ecurinë e bisedimeve për një nga çështjet më të ndjeshme për mbi 300 mijë qytetarë të tyre, të cilët presin që autoritetet shqiptare të trajtojnë me detyrim kushtetues e reciprocitet zgjidhjen e kësaj çështje, ku u masakruan 20 përqind e popullsisë dhe 80 përqind e saj u shpërngul në një pastrim etnik të paparë në Europë.

Kërkojmë nga Ministria jonë e Jashtme që duke kryer detyrim kushtetues për reciprocitet, të na informojnë për kërkesën e Shoqatës “Çamëria” për ngritjen e një permendoreje përkujtimore dhe varrezë për mijëra pleq, gra e fëmijë çamë që nuk u vranë në luftë, por në pragun e shtëpive të tyre. Presidenti i Greqisë në mënyrë të përsëritur kërkon respektimin e të drejtave të njeriut për pakicën greke në Shqipëri, ndërsa nuk ka asnjë problematikë të tillë në vendin tonë, përkundrazi në vendin e tij nuk njihet asnjë minoritet.

Ndaj, i kërkojmë ministrit të Jashtëm për reciprocitet çfarë u bisedua për kerkesën e kahershme tonën për të kërkuar dhënien e statusit të minoritetit etnik shqiptar – popullsisë shqiptare çame që jeton sot e kësaj dite në trojet e veta në Artë, Pargë, Volë, Filat, Paramithi, Margëlliç, Gumenicë e gjetkë që politikanët shqiptarë i takojnë çdo vit, kur shkojnë me pushime në vendin fqinj e bisedojnë shqip me ta.

Kërkojmë të informohemi që bashkë me Ligjin e Luftës a është biseduar për heqjen e efekteve të ligjit të luftës që me një sërë ligjesh-pasojë, kur më i fundit është ai i vitit 1998 për kadastrat greke që pamundësojnë kthimin e pronave të grabitura me forcë. Ne kemi besuar me durim që qeveritë shqiptare dhe forcat politike do të zgjidhnin me seriozitet e detyrim kushtetues Çështjen e bashkëkombasve të tyre çamë. Mesa duket zotit Kozias duhet t’ia tregojmë përsëri që Çështja Çame egziston dhe shqiptarët e Çamërisë egzistojnë nga Zoti, pavarësisht se ju u munduat t’i zhdukni.

Por, duke ndjekur të gjithë hapat e duhur ligjore, padyshim dhe protestat e çdo formë tjetër të arsyeshme e demokratike jemi gati t’ia u tregojmë se Çështja Çame egziston e kërkon drejtësi europiane, por edhe çdokujt që mendon se mund ta përdorë sipas interesave të ditës apo të bëjë pazar me këtë Çështje apo çdo Kali Troje që harron që asnjë nuk mund të negociojë për ne, përveçse Shoqatës “Çamëria” dhe PDIU.

Ndryshe turpi i historisë dhe jo vetëm do të bjerë mbi çdokënd që mendon se mund të lozë, të bëjë pazar apo mund ta lërë apo marrë këtë çështje. Urojmë shumë si gjithë shqiptarët që ky të jetë viti i Skënderbeut dhe jo i Hamzait!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY