Situata pas përmbytjeve, grupet e vlerësimit të dëmeve zbarkojnë në Vlorë e...

Situata pas përmbytjeve, grupet e vlerësimit të dëmeve zbarkojnë në Vlorë e Fier

84
0
Shares

Grupet e vlerësimit do të nisin përllogaritjen e dëmeve në zonën e përmbytur nga ujërat e Vjosës. Në Vlorë do të jenë katër grupe me nga katër ekspertë të prefekturës, të drejtorisë së bujqësisë etj., të cilët do të vlerësojnë një më një të gjitha dëmet e shkaktuara, sidomos në fshatrat e zonës së Novoselës, ku niveli i uji arriti në më shumë se 2 metra.

Burime nga prefektura kanë bërë të ditur për ‘Panorama’ se grupet në terren pritet të dalin ditën e sotme. Dje situata në këto fshatra ishte disi e normalizuar, pasi niveli i lumit ka arritur në 3.8 metra, nga 8.9 metra që shkoi në momentet e vështira të daljes nga shtrati.

Më e dëmtuar është zona e Novoselës, me shtatë fshatrat e saj Fitore, Bishan, Akërni, Fermë, Poro, Delisuf e Dëllënj. Edhe fshatrat e Fierit, Ferras, Cerven, Kashisht dhe Hambar, kanë pësuar përmbytje, ku niveli i ujit arriti në gati 2.5 metra.

Sipas të dhënave nga prefektura, grupet e vlerësimit të dëmeve në Fier do të dalin në terren pas dy ditësh (e enjte). Ndërkohë, Komiteti i Koordinimit dhe Menaxhimit të Emergjencave Civile pranë Kryeministrit, raporton një bilanc paraprak të gjendjes, i cili është mjaft i rëndë.

Ka 590 familje të evakuuara, 1552 persona të shpëtuar, 4715 banesa të dëmtuara, 41 biznese, 10.622 hektarë të përmbytur, 5526 hektarë me prani uji. Ndërkohë që dje 27 shkolla nuk e filluan mësimin për arsye të kushteve të papërshtatshme. Bie në sy një fakt që ka shumë ura të dëmtuara, që është e pazakontë në raport me emergjencat e mëparshme dhe kjo lidhet me faktin se furia ka qenë shumë e madhe, ka pasur volum dhe shpejtësi të madhe, gjë që i ka bërë urat të parezistueshme.

Janë rreth 65 ura të dëmtuara. Ajo çka banorët e fshatrave të përmbytura kërkojnë tashmë, është ushqimi jo vetëm për veten, por sidomos për kafshët e tyre. Më së shumti kanë pësuar dëme te shpendët, ndërsa rrjedha e ujit u ka marrë para, por edhe dëmtuar të gjithë ushqimin e gjësë së gjallë, të cilin ata e mblodhën gjatë gjithë verës.

Ndryshe nga përmbytja e vitit 2015, kësaj here dëmet e shkaktuara nga vërshimi i Vjosës janë më të pakta. Banorët e shpjegojnë këtë me faktin se dy vite më parë, ata u gjendën krejt të papërgatitur.

Për rrjedhojë, uji u dëmtoi elektroshtëpiaket dhe të gjitha pajisjet e tjera. Ndërsa përmbytja e shkaktuar të premten e javës së kaluar, i gjeti ata të përgatitur. Paralajmërimi i dhënë disa ditë para, ka bërë që qindra banorë të zonave të prekura të marrin masa, duke larguar nga shtëpitë e tyre gjënë e gjallë./Panorama/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY