Rrëfehet gjermani që filmoi atentatin te “Komuna e Parisit”: Çuna ndaloni, nuk...

Rrëfehet gjermani që filmoi atentatin te “Komuna e Parisit”: Çuna ndaloni, nuk keni ku shkoni!

159
0
Shares

Atentati tek “Komuna e Parisit”, pak ditë më parë është zbardhur nga një dëshmitar okular, që ka xhiruar të gjithë skenën nga makina e tij. Shtetasi gjerman në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” ka rrëfyer ndjekjen që u bëri autorëve, pas të shtënave me armë në drejtim të 25-vjeçarit, Lorenc Hoxha. Mett rrëfen se ngjarja është xhiruar nga kamera e makinës së tij.
Më tej ai i ka ndjekur autorët, madje edhe ka folur me ta, duke i informuar që i kishte xhiruar. Më tej ai rrëfen për “Gazeta Shqiptare” se fillimisht policia ka menduar se ai ishte bashkëpunëtor në këtë ngjarje, duke qenë se kishte ndjekur makinën ku udhëtonin autorët e plagosjes.

Përse jeni në Shqipëri zoti Mett?
Unë para disa ditësh erdha me familjen nga Gjermania, për pushime.

Ju banoni në Gjermani?
Jam shtetas gjerman.

Si u ndodhët tek “Komuna e Parisit”?
Rastësisht, po shkoja të drekoja me bashkëshorten, kur u bllokua rruga. Para meje ishin dy makina, vjen një makinë e tretë dhe vendoset paralelisht me të parën, nga ajo zbresin me shpejtësi dy të rinj, mënjanova pak makinën për të parë çfarë po ndodh. Mendova se do zihen e të kisha mundësi të dilja nga bllokimi. Menjëherë dëgjova krismë pistolete mbi makinën e parë. Kamera e makinës sime po filmonte aq sa fushëpamje kishte, sepse pengohej nga automjeti para meje. Ata që qëlluan në makinën e parë, hipën në makinë dhe ikën. Atëherë unë dola nga bllokimi dhe me shpejtësi i ndoqa pas. Këtë do ta bënte çdo gjerman. Kalova nëpër makina në distanca të vogla pa prekur askënd. Përpara më doli një qen dhe atë nuk e dëmtova. E arrita makinën dhe u bllokova rrugën e tyre dhe ju thashë “çuna ndaloni, s’keni ku shkoni, jeni filmuar bukur”. Nuk foli asnjëri. Makina tyre ndaloj tek një kazan plehrash. Pastaj unë u largova.

Ju i njihnit ata?
E nga t’i njihja?! Unë nga Gjermania, ata në Shqipëri. S’i kisha parë kurrë. As më interesojnë të di për ta, as kontradiktat e tyre. Mundet të ishin edhe të afërm, si ai që u qëllua apo ata që e qëlluan, për momentin, mua më irritoi veprimi, krimi në mes të qytetit, indiferentizmi i njerëzve prezentë.

Nuk pate frikë?
Jo fare, megjithëse e dija se ata kishin armë dhe unë asgjë, ata ishin tre, unë vetëm me gruan e cila dhe ajo e pamësuar me skena të tilla e nga shpejtësia, më thërriste “mos, kujdes”.

Po të ishe në Gjermani kështu do bëje?
Në Gjermani ka shumë që reagojnë, ndërhyjnë, telefonojnë, policia është kudo, teknika është e përsosur, punohet edhe me satelit në raste të tilla, dronë etj. Po të isha atje, një ngjarje e tillë, do t’ju hyja në makinë, i përplasja makinën se ma njeh dëmin shteti e sigurimi.

Thatë që kamerën e kishte makina apo filmonit me celular?
Makina ka para dhe pas kamera profesionale e punojnë 24 orë dhe kur është në parkim filmon non stop. Kamerat më qartësojnë veprimet a mosveprimet, sinjalistikën, shuan polemikat me policin a automjetet e tjera, është ndihmë për mua. Kësaj radhe ajo filmoi ngjarjen e kjo i duhej policisë.

Pastaj çfarë ndodhi?
Unë kur e pashë se nuk kisha çfarë të bëj më, prita policinë në vendin e ngjarjes që t’i informoja dhe t’i ndihmoja. Sapo vajta, më thanë largohu “vend krimi”, unë kërkova shefin që udhëhiqte hetimin e ngjarjes. Policia e kish vënë në kërkim edhe makinën time, ajo ishte quajtur e dyshuar se e kisha ndjekur me shpejtësi të madhe. Mendonin se ishim pjesë e krimit. Unë i sqarova, u tregova shkurt ngjarjen që pashë, pak nga video e më pas vajtëm në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë. Aty dhashë dëshminë time, sqarimet, filmimet e momentit, mora falënderime dhe habi për guximin. Më vonë janë marrë policët e kompetentët, nuk di se kush janë e si janë kapur, as nuk di për gjendjen e të plagosurit.

Si të duket policia shqiptare?
Policia mendoj se është profesioniste, kompetente, të harmonizuar me njëri-tjetrin, vlerësojnë detajet e është mirënjohëse për cilindo që e ndihmon në punën e tyre. Me mua u treguan të sjellshëm e bashkëpunues. Po ka mangësi informacioni nga vendngjarja, teknika, elektronika aq sa pashë unë. Aty në vendngjarje kishte disa kamera me sa më thanë më pas, por jocilësore, jo kamera inteligjente.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY