FOTO/ Pasion për traditën, paraplegjikja hijeshon dasmat e Tropojës

FOTO/ Pasion për traditën, paraplegjikja hijeshon dasmat e Tropojës

117
0
Shares

Zyra Ahmetaj duke luajtur me lahutë
Foto nga: Bashkim Shala

Zyra Ahmetaj humbi në moshën 19-vjeçare mundësinë për të ecur, por jo pasionin për jetën dhe përpjekjet për të mbajtur gjallë dhe trashëguar traditën e kostumeve popullore të trevës së Tropojës.

E ulur në një karrocë paraplegjikësh, Zyra Ahmetaj jeton e rrethuar nga kostumet kombëtare të qëndisura prej duarve të saj, në një apartament me dy dhoma në lagjen “Dardania” në qytetin e Bajram Currit.
Artizanati është një prej pasioneve të mëdha të gruas rreth të 60-ave, jeta e së cilës mori një goditje të rëndë në moshën 19-vjeçare, por nuk i mposhti ëndrrat dhe dëshirën për t’i shërbyer vendit përmes ruajtjes së traditës.
E lindur në fshatin Kepenek të Tropojës, Zyraja e trashëgoi punën e dorës nga nëna e saj, ndërsa pasioni i hershëm u kthye në një profesion, disa kohë pasi ajo mbeti invalide nga një aksident i rëndë.
“Të gjitha gratë e fshatit Kepenek  i kanë përdorur rrobat kombëtare. Mua më kanë pëlqyer gjithmonë këto rroba. Nëna ime, kur i vishte ato më dukej si hyjneshë, më dukej më e bukur, më e dashur”, kujton ajo për BIRN.
Prej fillimit të viteve ’90, Zyra Ahmetaj prodhon kostume kombëtare të krahinës së Tropojës dhe Malësisë së Gjakovës, për fëmijë dhe të rritur. Gjithashtu ajo shkruan poezi dhe prozë, luan në lahutë dhe është nderuar me titullin “Qytetare nderi” nga bashkia e Tropjës për veprimtarinë e saj në fushën e trashëgimisë kulturore.
Zyraja tregon se kursen nga pensioni i invaliditetit për të prodhuar rrobat, që më pas vishen nëpër festa dhe dasma në gjithë krahinën e Tropojës. Ajo thotë se fëmijët rrinë gjithë natën pa gjumë në pritje të kostumit të tyre popullor në raste festash, ndërkohë që kjo traditë po mbahet gjallë edhe nga të rriturit.
“Në të gjitha dasmat që zhvillohen në Tropojë, unë i hijeshoj dasmorët me rroba kombëtare, nga fëmijët e vegjël deri të moshuarit. Njerëzit ndjejnë shumë kënaqësi, ngrihen të gjithë në këmbë. Vlon vallja e ndizet atmosfera”, thotë ajo me gëzim.
Pasi ka punuar për vite të tëra e vetme, Zyraja ka zgjeruar aktivitetin kohët e fundit, duke përfshirë gra dhe vajza të cilat e duan punën e dorës. Megjithatë, gjetja e klientëve të qëndrueshëm është e vështirë për shkak të kostove të larta që produktet e saj kanë.
Një kostum popullor me të gjithë elementët e traditës kushton rreth 800 euro-vlerë të cilën mund ta përballojnë vetëm shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Për banorët e tjerë të krahinës, Zyraja i jep kostumet e saj me qira simbolike për raste festash dhe gëzimesh.
Paralelisht me produktet e saj, Zyra Ahmetaj ka arritur me mundim të koleksionojë kostume popullore të krahinës së Tropojës dhe Mirditës, të cilat datojnë deri në 100 vjet më parë.
“Kam në dhomë mbi 50 kostume kombëtare origjinale të llojeve të ndryshme. Kostumet që unë koleksionoj janë përgjithësisht të Tropojës, të gjitha trevave të Malësisë së Gjakovës…. Në fillim kam sakrifikuar shumë, por kjo është arritur vetëm në sajë të pasionit dhe dashurisë për fëmijët, për etnosin, për njerëzit, për të transmetuar brez pas brezi këtë traditë e këto vlera që janë kaq të çmuara”, thotë ajo.

Një jetë mes sfidash
zyra ahmetaj1


Zyra Ahmetaj tregon punimet artizanale të saj
Foto nga: Bashkim Shala

Para se të kultivonte pasionin për artizanatin, Zyra Ahmetaj kishte shumë ëndrra të tjera. Por 31 korriku 1975 do t’i jepte një kthesë dramatike jetës së saj. Asokohe 19-vjeç, Zyra Ahmeti po kthehej nga aksioni në kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, ku autobusi me 63 maturantë doli nga rruga dhe ra në greminë në Shpal të Mirditës. Katër persona humbën jetën, ndërsa Zyraja ishte mes numrit të madh të të plagosurve.
“Është një histori e tmerrshme- unë kam qenë duke lexuar një libër, pasi isha shumë e apasionuar pas leximit. Në rastin kur ndodhi aksidenti më tërhoqi vëmendjen lëvizja  e shpejtë e timonit nga shoferi. E kuptova se përfunduam në greminë”, kujton ajo momentin e aksidentit të ndodhur 4 dekada më parë.
Nga aksidenti, Zyra Ahmetaj doli me shtyllën kurrizore të dëmtuar dhe tre muajt e terapisë në spitalin Ushtarak të Tiranës nuk e ndihmuan atë të ngrihej në këmbë. Ajo kujton se më pas e dërguan në një spital të specializuar në Hungari, por sërish nuk mundi të shpëtonte nga karroca e invalidit.
Pas kthimit nga Hungaria, ajo është dërguar në fshatin e saj të lindjes, Kepenek të krahinës së Bytyçit mbi një karrocë. Megjithatë, Zyraja nuk i braktisi përpjekjet dhe nuk i humbi shpresat për t’u ngritur në këmbë.
“Kushtet në fshat nuk ishin aspak të favorshme për mua, tashmë që kisha përfunduar në karrocën e paraplegjikëve. Kam bërë shumë gjimnastikë; nga 20 lëvizje të rekomanduara unë i bëja 60 lëvizje. Për 10 vite me stërvitje kam mundur që të vë në lëvizje këmbën e djathtë”, tregon ajo.
Në dhjetë vitet e qëndrimit në Kepenek, Zyraja ndihmonte nënën në punët e shtëpisë, ndihmonte fëmijët me detyrat, ushtrohej në qëndisma dhe më së shumti lexonte libra. Por pas 10 vitesh qëndrimi në fshat, ajo është zhvendosur në qytetin e Bajram-Currit, ku vazhdoi ushtrimet dhe fizioterapinë me shpresë për t’u ngritur në këmbë.
“Kam filluar të eci me dy shkopinj, megjithëse ekuilibrin e kisha shumë të dobët. Rrëzohesha e çohesha disa herë”, tregon ajo.
Përpjekjet e saj për të qëndruar në këmbë morën një tjetër goditje në moshën 54 vjeçare; Zyraja tregon se dëmtoi këmbën e djathtë pas një rrëzimi dhe përfundoi sërish në karrocë.

Ruajtja e traditës
jelek burrash


Jelek burrash 100 vjeçar i krahinës së Tropojës
Foto nga: Bashkim Shala

Zyra Ahmetaj e quan veten një “fanatike të traditës”, ndonëse kostumet, jelekët, tirqet apo çorapet që ajo qep mbartin edhe elementë të rinj. Për këtë qëllim ajo bashkëpunon me qëndistare e rrobaqepës në Tropojë, duke i paguar për punën që bëjnë, ndërkohë që vetë kontrollon çdo element që ajo ka stiluar më parë.
“Kam vënë re edhe në shumë ansamble si në Shqipëri e Kosovë që  tirqeve nuk u vihen gajtanët sipas atyre origjinalë. Unë e kam ruajtur këtë stil. Tani bëj kostume të reja më të lehta, me stof më të hollë. Kam bërë jelekë të rinj, me më shumë lule, më shumë fantazi, por pa harruar asnjëherë traditën”, i tha ajo BIRN.
Me gjithë entuziazmin e saj, Zyra Ahmetaj e ka një peng dhe ai është trashëgimi i zanatit të artizanes dhe punës së dorës. Për shkak të invaliditetit, Zyraja nuk arriti të kishte fëmijë, ndërkohë që mbesat e saj janë të dhëna më tepër pas shkencës.
“Ato i pëlqejnë shumë këto rroba dhe i veshin duke vlerësuar traditën. Mua më përgëzojnë, por vetë nuk merren me këtë punë”, tregon Zyraja.
Në mungesë të trashëgimit të zanatit në rrethin e saj të ngushtë, Zyraja tregon me krenari se falë një financimi të Fondacionit Bordi Kombëtar i Seleksionimit ka mundur të mësojë pesë vajza nga Tropoja të bëjnë rroba kombëtare. Ato e kanë përvetësuar plotësisht zanatin e artizanes, ndonëse nuk kanë mundur të nisin një biznes për mungesë të fondeve.
Në tavolinën  e saj të punës, Zyraja mban krahas gjilpërës edhe një kompjuter, ku shkruan prozë e poezi, i cili ka qenë edhe pasioni i saj i parë. Deri tani ka botuar tre libra, ndërkohë që ka në proces redaktimi edhe pesë të tjerë, në prozë dhe poezi.
Ajo ruan gjithashtu një dashuri të veçantë për lahutën, me të cilën ka kënduar në “Sofrën Dardane” këngë lirike dhe epike e ka fituar edhe çmim.
“Pasioni im i parë është leximi, është poezia, është romani. Ndërkohë që përkushtimi ndaj rrobave kombëtare është edhe dëshirë, por edhe një detyrë që i kam vënë vetes që t’i shërbej atdheut, që t’u shërbej brezave, t’i shërbej traditës”, përfundon ajo.

Autor: Bashkim Shala
BIRN
Tropojë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY