Ministri Blendi Klosi: Ka 38 mijë vende pune të lira që nuk...

Ministri Blendi Klosi: Ka 38 mijë vende pune të lira që nuk mbushen

42
0
Shares

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi thotë se janë më shumë se 38 mijë vende të pune te shpallura nga zyrat e punës por ka një diferencë mes kërkesës dhe ofertës. Prandaj po funksionon një strategji që monitorohet rreptë nga BE sipas së cilës arsimi po orientohet drejt atij profesional, thote ai.

Banka Botërore, në raportin e rregullt ekonomik për Europën Juglindore vërejti se pavarësisht rritjes në punësim, pagat reale u ulën, cili është komenti juaj?

Në ndryshim nga vendet e tjera, Shqipëria ka një papunësi të një natyre më të ndryshme se ajo klasike, e cila vjen edhe për shkak të mungesës së profesionalizimit të gjeneratës, nga politikat e gabuara në arsim, që kanë orientuar drejt diplomave false nga universitetet private. Kështu u harrua edukimi profesional në vendin tonë. Ne jemi përpjekur që gjatë kësaj periudhe, veçanërisht në vitin e fundit, ta orientojmë kategorinë e të papunëve drejt arsimit dhe formimit profesional. Po kështu, programet e nxitjes së punësimit që ka zbatuar Shërbimi Kombëtar i Punësimit e që janë mbështetur me fonde nga qeveria shqiptare, janë orientuar drejt punësimit të të rinjve, grave, personave me aftësi të kufizuar dhe grupeve më në nevojë.

Ne jemi nën një monitorim të rreptë nga Bashkimi Europian për sa i përket zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësim 2014-2020, e cila ka dhënë efekte në uljen e normës së papunësisë.

Megjithatë, ne vazhdojmë që të kemi një problem të madh, siç është ai i kërkesë–ofertës, pra mes asaj që kërkojnë bizneset dhe të asaj që paraqesin të papunët. Aktualisht janë rreth 38,836 vende pune të shpallura në zyrat e punës, por në të njëjtën kohë kemi edhe shumë të papunë. Ajo që duam të bëjmë dhe për të cilën jemi angazhuar është që ta orientojmë këtë kategori drejt formimit profesional.

A mendoni se po u afrohemi kërkesave që ka tregu sot?

Jo, jemi ende larg dhe duhet më shumë punë. Jemi duke u përpjekur për të rritur imazhin e arsimit profesional dhe për ta bërë atë sa më cilësor. Në vitet në vazhdim ne do të fokusohemi te garantimi i cilësisë më të madhe në shkollat tona të formimit profesional. Konstatojmë se një numër gjithnjë në rritje i të rinjve po zgjedhin këtë arsimim. Shifrat janë rritur disa herë në krahasim me vitin 2013. Gjatë vitit të kaluar, ne kishim objektiv të dyfishonim numrin e atyre të rinjve që zgjidhnin arsimin profesional dhe të merrnin një certifikatë për këtë formim. Sot, objektivi ynë është që të dyfishojmë numrin e të diplomuarve dhe kjo do të mund të arrihet duke e shtrirë këtë filozofi edhe te shkollat private. Në këto kushte kemi rritur edhe bashkëpunimin me biznesin privat, janë rreth 520 sipërmarrje që ofrojnë praktika të formimit profesional dhe trajnime të ndryshme.

Në rritjen e shifrave të punësimit, pritet që të ndikojë edhe formalizimi i tregut të zejtarisë, kam parasysh këtu regjistrimin e tyre në dhomat që do të ngrihen…?

Zejtarët do të jenë të gjithë të grupuar në Dhomën Kombëtare të Zejeve, që do të ngrihet në të 61 bashkitë në vend. Modeli do të jetë ai gjerman: nxënësit e arsimit profesional nuk do të marrin vetëm mësim në bankat e shkollës. Edukimi profesional do të jetë pranë zejtarëve, ku do të kenë pas përfundimit të shkollës edhe vendin e punës të garantuar.

Me krijimin e një tregu të zejeve, ne nuk synojmë vetëm formalizimin apo ngritjen e strukturave për t’u organizuar, por edhe për ta bërë këtë komunitet, disi vulnerabël, më konkurrues edhe kundrejt biznesit të madh. Ne po ndërmarrim fushata ndërgjegjësimi për t’i njohur këta zejtarë me përfitimet që do të kenë nga anëtarësimi në dhoma, duke u deklaruar si të tillë. Një nga avantazhet më të mëdha është padyshim fakti se qeveria e ka përjashtuar këtë kategori nga taksat. Gjithashtu anëtarësimi në këto organizma jep mundësi për të arritur tregje më të mëdha, pra nga zonat lokale ku ndodhen t’u afrohen qendrave urbane. Në qytetet e mëdha ka mungesë të theksuar për zejtarë që ofrojnë shërbimet më të nevojshme. Përmes dhomave të zejtarisë, ne do të mund të identifikojmë këtë komunitet, por më e rëndësishmja është se ata do të përfitojnë trajnime të vazhdueshme dhe të përhershme, si në kualifikimin e zanateve, ashtu edhe për ngritjen e bizneseve të vogla. Kështu ata do të mund të bëhen kontribuues në zhvillimin e ekonomisë.

Për sa kohë shteti do të mund të ndihmojë me subvencionimin e tarifave të anëtarësimit?

Bazuar në ligjin “Për zejtarinë” të miratuar pak kohë më parë, zejtarëve që do të regjistrohen në këto dhoma, shteti do t’iu subvencionojë tarifën për dy vjet. Shteti do të punojë që ky komunitet të jetë i trajnuar dhe i menaxhuar në mënyrë të programuar.

Një nga avantazhet që ka Shqipëria në tregun e punës, është padyshim edhe kostoja e ulët. A po mendon qeveria për mundësinë e rishikimit të rritjes së pagës minimale?

Është një debat që na ka ardhur nga vetë komuniteti i biznesit dhe i sindikatave. Ka një debat për nivelin e rritjes. Por, padyshim që në paketën dhe në buxhetin e vitit të ardhshëm do të përpiqemi të kemi një rritje të pagës minimale, por sërish nuk do të arrijë në nivelin e dëshiruar, por të paktën do të jetë një rritje e cila do të vihet në shërbim të të punësuarve.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY