Shanset për punësim, ja kush e ka në dorë

Shanset për punësim, ja kush e ka në dorë

61
0
Shares

Biznesi ka vendosur te ndërhyje: Arsim profesional me kushtet e mia

Shkollat apo qendrat e formimit profesional vazhdojnë të prodhojnë diploma të pavlefshme për tregun e punës po biznesi e ka vendosur të ndërhyjë. Nga shtatori biznesi do të japë miratimin nëse një kurs profesional do të hapet apo jo

Biznesi vendas ka vendosur të mos ta lërë në dorë të sistemit burokratik shtetëror përgatitjen e profesionistëve të së ardhmes. Prej kohesh përfaqësues të biznesit janë pjesë e bordeve të shkollave profesionale ndaj edhe ndikimi i tyre në programet zyrtare të punësimit ka filluar të ndjehet.
arsimi profesional1

“Ne po i mëshojmë fort faktit të përputhjes së kurrikulave me tregun e punës dhe kjo është sfida më e madhe që kemi. Kjo nuk është një punë e lehtë, por kërkon reformim të arsimit profesional. Për shembull, tregu i punës mund të mos ketë nevojë për mekanikë apo për parukierë, por shkollat apo qendrat e formimit profesional vazhdojnë të nxjerrin, duke prodhuar diploma të pavlefshme. Për këtë arsye tashmë do të jetë biznesi, ai që do të japë miratimin nëse një kurs profesional do të hapet apo jo. Pra, do të jetë biznesi ai që do të përcaktojë profilet që do të hapen në Qendrat e Formimit Profesional.”- shprehet Luan Bregasi president i ‘Biznes Albania’.
luan bregasi

Por shqetësimi i biznesmenit të njohur në fushën e ndërtimit dhe të prodhimit një birre të njohur vendase duket se ka gjetur një përgjigje nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e cila së fundmi do negociojë me biznesin vendas për të rritur shanset e punësimit të të rinjve.

Planet janë të qarta. Biznesi do të investojë për arsimimin e të rinjve në fushën e arsimit profesional ndërsa qeveria do të lëshojë pe duke krijuar një paketë me masa lehtësuese fiskale për ato biznese që do e ofrojnë këtë shërbim.

“ Duke nisur nga shtatori ne do të pranojmë praktikantë nga shkollat e arsimit profesional, në mënyrë që praktikat të mos bëhen sa për të kaluar radhën, kjo edhe më kushtin të mos hapet asnjë kurs profesional pa marrë miratimin e biznesit”- shprehet presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi.

Biznesi e ka të qartë se kurrikulat shkollore duhet të përputhen me ofertën në tregun e punës. Por, realizimi i kësaj nuk është një punë e lehtë, pasi sipas Bregasit kërkon reformim të arsimit profesional.
arsimi profesional 4

Statistikat zyrtar të Shërbimit Profesional të Punësimit tregojnë se këtë vit shkollor u bë e mundur që 30 për qind e mësimit të ishte praktikë. Në të gjithë vendin janë mbi 150 biznese të ndryshme, që kanë pranuar nxënës dhe për vitin e ri shkollor është planifikuar të realizohet 40% e mësimit në praktikë dhe 60% teori. Vetëm në Tiranë numri i tyre arrin më mbi 50 ndërmarrje private, duke filluar që nga bankat, shoqëritë e sigurimit, ndërmarrje prodhimi, etj.

Ndërkohë që për të investuar në drejtim të arsimit profesional biznesi ka kërkuar përjashtimin nga sigurimi të nxënësve që kryejnë praktikën pranë biznesit si dhe disa lehtësi fiskale që ende nuk janë kristalizuar ne një marrëveshje afatgjate.

Zvicerianët, projekt mbi arsimin profesional

Ndërkaq donatorë të huaj po afrojnë përvojën dhe asistencën për zhvillimin arsimit profesional. Një vizitë tri-ditore nga zyrtari i lartë i bashkëpunimit zviceran Adrian Maitre përfundoi me nisjen e një projekti që do të përmirësojë më tej arsimin profesional dhe aftësimin e të rinjve për punësim.
arsimi profesional 5

Nga Vlora ku u lançua projekti në shkollën profesionale ‘Pavarësia’, zyrtari zviceran tha: “Në emër të qeverisë zvicerane unë përgëzoj partnerët tanë në Shqipëri, së pari qeverinë, që ka ndërmarrë hapa seriozë për të promovuar arsimin profesional, për të informuar fëmijët, adoleshentët dhe prindërit mbi dobitë e mësimit të aftësive profesionale. Ky është një nga hapat që mund të forcojë ekonominë e vendit dhe të përmirësojë kushtet e jetesës për të rinjtë dhe familjet e tyre”.

Në aktivitetin e lançimit Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Blendi Klosi përmendi mbështetjen afat-gjatë që Zvicra kë dhënë në fushën e arsimit profesional. Projekti ‘Aftësi për Punësim’ synon të sjellë pak nga përvoja zvicerane në arsimin profesional përmes së cilës të rinjtë marrin trainim praktik dhe përshtasin aftësitë e tyre me kërkesat nga kompanitë dhe tregu i punës. Swisscontact, një organizatë konsulence me përvojë në këtë fushë, po zbaton këtë projekt.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY