Shkodër, 90 për qind e fermerëve nuk kanë certifikatë pronësie për tokën

Shkodër, 90 për qind e fermerëve nuk kanë certifikatë pronësie për tokën

52
0
Shares

Kur kanë kaluar 25 vite nga miratimi i ligjit 7501 mbi ndarjen e tokës bujqësore, pjesa më e madhe e fermerëve në zonën malore në Veri të Shqipërisë nuk janë pajisur me certifikatën e pronësisë, kjo për shkak të refuzimit që ata i kanë bërë këtij ligji, duke u kthyer, në pjesën më të madhe, në ish pronat e tyre të para periudhës së kolektivizimit komunist. Specialistët pohojnë se kjo ka shmangur konfliktet, po ndërkohë ka penguar zhvillimin e zonave malore dhe të ekonomisë familjare. Sipas drejtorit të bujqësisë për Qarkun e Shkodrës, Mustafë Kraja, rreth 90 për qind e fermerëve në Shkodër, Pukë e Malësi të Madhe nuk janë pajisur me certifikatën e pronësisë.
Në total numri i fermerëve që janë me certifikata pronësie është shumë i papërfillshëm. Pra, pjesa mbi 90 për qind e fermerëve janë pa certifikata pronësie në Qarkun e Shkodrës. Është një problem shumë shqetësues, ndër problemet më serioze që ka sot bujqësia, pasi pa pajisjen e fermerëve me certifikata pronësie nuk janë të aksesueshme subvencionet që jep, qoftë Ministria e Bujqësisë përmes qeverisë, qoftë fondet që jep BE si projekti SARET, që mundëson përfitime në shumë drejtime potenciale në Qarkun tonë.
Prefekti i Qarkut të Shkodrës, Paulin Radovani, thotë se prej më shumë se 20 vitesh janë përgatitur akte të marrjes në pronësi të tokës bujqësore, por banorët kanë refuzuar t’i firmosin, gjë që ka krijuar probleme të mëdha për zhvillimin e zonës.
Ana tjetër është ajo ekonomiko-financiare. Ne themi t’i zhvillojmë këto zona, veçanërisht tashti që u krijuan bashkitë e mëdha dhe u realizua një reformë e rëndësishme administrative-territoriale. Pra, këto zona nuk mund të futen në efiçencë nëse nuk kanë dokument pronësie të tokës, dokument pronësie të truallit apo të shtëpisë. Fermeri as nuk mund ta shitblejë tokën, as mund ta fusin në qarkullim ekonomik, as mund të marrë një leje ndërtimi për të bërë diçka për shtëpinë e tij. Ai, si fermerë, as nuk mund të marrë një përfitim nga Ministria e Bujqësisë pasi nuk ka dokumente. Ne e kemi privu këtë fermerë nga gjithçka.
Prefekti Radovani e quan të pakuptimtë mosdhënien e certifikatave të pronësisë për fermerët që kanë marrë tokat e tyre, ndërkohë që, siç thotë ai,po vazhdon legalizimi i ndërtimeve në tokat e të tjerëve. Kjo situate e ka shtyrë atë të komunikojë me drejtuesit më të lartë të Qeverisë dhe Kuvendit, duke propozuar zgjidhje konkrete.
Këtu nuk flitet për rastet ku ka konflikte, apo rastet kur kanë pushtu tokat. Flitet për rastet kur njerëzit kanë qenë historikisht në tokat e tyre. Këta t’i legalizojmë. Po cila është mundësia që t’i legalizojmë këto fermerë pa krijuar probleme me ata që kanë përfitu nga ligji 7501 mbi ndarjen e tokës? Këshillat Bashkiake të pushteteve vendore kanë mundësi që, me një vendim, të bëjnë listën e përdorimit të tokës, bazu në të dhënat e kadastrës në momentin kur ata kanë hyrë në kooperativë dhe, mbi këtë bazë, një gjykatë t’i njohë të drejtën e tyre për t’i regjistruar.
Sipas drejtorit të bujqësisë për Qarkun e Shkodrës, për shkak të mungesës së certifikatës së pronësisë për tokën, sivjet kanë plotësuar kushtet për të përfituar subvencione nga shteti dhe organizmat ndërkombëtare vetëm 113 fermerë, ndërkohë që dy vite më parë, kur nuk kërkohej kjo certifikatë, kërkesa ishte për 2600 fermerë në shkallë qarku.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY