DRAMA E EKSPORTEVE/ bien 8.6% për tremujorin dhe 13% në mars, mbahen...

DRAMA E EKSPORTEVE/ bien 8.6% për tremujorin dhe 13% në mars, mbahen vetëm nga tekstile e këpucë

69
0
Shares

Rënia e çmimeve të naftës e mineraleve në tregjet ndërkombëtare dhe falimenti i Kurum kanë çuar në pikiatë eksportet shqiptare. Në rritje vetëm tekstilet e këpucët. Rimëkëmbja në afatin e shkurtër duket e pamundur…

Eksportet kanë shënuar një rënie të fortë prej 8.6% për tremujorin e parë të këtij viti, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, si rrjedhojë e ecurisë negative të “minerale, lëndë djegëse e energji” dhe “materiale ndërtimi e metale”. Të dy këto grupe kanë shënuar një rënie tepër të forte dyshifrore. I vetmi grupmall që po mban në këmbë eksportet shqiptare është ai i tekstileve e këpucëve që po rritet me ritme dy shifrore. Vetëm në muajin mars, tkurrja e shitjeve jashtë vendit ishte 13%.

INSTAT raportoi se eksportet për tremujorin e parë të vitit arritën në 53.3 miliardë lekë, nga 58.3 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë (rënia vjetore -8.6%).

Eksportet e “mineraleve lëndë djegëse e energji” ranë me 44% në 8 miliardë lekë, duke zënë vetëm 15% të totalit të eksporteve, nga 25% që përbënin të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ulja e çmimeve të naftës e mineraleve në tregjet ndërkombëtare kanë ndikuar në këtë tendencë negative, ndërkohë që dhe moti ka qenë i pafavorshëm për eksportet e energjisë, ndryshe nga dimri i vitit të kaluar. Ndërkohë, kompanitë e mineraleve janë duke pritur një paketë nxitëse nga qeveria.

Eksportet e materialeve të ndërtimit e metaleve ranë me 34% në 6.6 miliardë lekë. Në fund të shkurtit, Kurum, eksportuesi i dytë më i madh në vend shpalli falimentin, çka ka ndikuar në rënien e shitjeve të hekurit jashtë vendit.

I vetmi sektor që po ecën mirë në këtë periudhë është ai i materialit të porositësit, tekstile e këpucë, që u rrit me 19% me bazë vjetore për janar-mars, duke arritur në 26 miliardë lekë. Ky zë përbën tashmë 50% të totalit të eksporteve tona, duke na çuar mbrapa në kohë, kur shitja e krahut të lirë të punës, që është avantazhi kryesor i fasonit, përbënte deri në 70% të totalit të eksporteve. Gjithsesi, sektori, që ka vlerë të shtuar të ulët po e humb gradualisht dhe këtë avantazh për shkak të shtimit të kostove të energjisë e taksave, duke vënë në pikëpyetje rritjen afatgjatë të tij.

Dy grupe që ecën mirë vitet e fundit, ai i “makineri, pajisje e pjesë këmbimi” dhe “eksporte druri e letre” kanë shënuar rënie dyshifrore në tre muajt e parë të këtij viti.

Në rritje, përveç industrisë me material porositësi, janë edhe “ushqimet, pije e duhan”, që u zgjeruan me 31%, për të arritur në 4.7 miliardë lekë, por që gjithsesi mbetet e pamjaftueshme për të amortizuar rënien e grupeve të tjera.

Që në fillim të këtij viti u paralajmërua se eksportet do të ishin të dobëta si rrjedhojë e konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare të çmimeve të naftës e mineraleve, teksa vendi ynë është shumë i varur nga shitja jashtë e lëndëve të para. Këto janë probleme strukturore afatgjata që nuk zgjidhen me një të rënë të lapsit, duke paralajmëruar një vit të vështirë për eksportet tona. (Për më tepër, lexo:Alarmi i eksporteve!).

ecuria-e-eksporteve-sipas-grupeve

eks-2015

eks-2016

/Monitor/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY