Presidenti Nishani vizitë në Bullgari për bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen e Kosovës

Presidenti Nishani vizitë në Bullgari për bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen e Kosovës

53
0
Shares

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishani dhe delegacionin zyrtar nisi sot vizitën shtetërore në Bullgari me ftesë të homologut të Tij, Presidentit bullgar Rosen Plevneliev.
Kryetari i Shtetit shqiptar pasi u prit me ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes në Sheshin “Aleksandër Nevski” të Sofjes, ku u ekzekutuan dy himnet kombëtare respektive, vendosi një kurorë me lule në shenjë nderimi para Monumentit të Partizanit të Panjohur.
Të dy Presidentët zhvilluan fillimisht një takim kokë më kokë të pasuar nga bisedimet dypalëshe në krye të delegacioneve zyrtare respektive. Një nga temat kryesore të bisedimeve zyrtare ishte mbështetja e palëkundur nga ana e Bullgarisë ndaj Kosovës për përfshirjen e saj në nisma dhe projekte rajonale, ashtu edhe në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sidomos për anëtarësimin e saj në UNESCO.
“Për sa i përket bashkëpunimit rajonal, shpreha rëndësinë që Shqipëria i kushton këtij bashkëpunimi, duke theksuar se politika e fqinjësisë së mirë do të mbetet e pandryshuar.
Në kontekstin rajonal, solla në vëmendje nevojën e implementimit të projektit multimodal të Korridorit 8, i cili do t’i japë mundësi të reja zhvillimit të marrëdhënieve si në nivel rajonal ashtu edhe atyre dypalëshe mes Shqipërisë dhe Bullgarisë.
Ndërsa, në kontekstin ndërkombëtar, një vend të rëndësishëm zuri bashkëpunimi, veçanërisht në kuadrin e NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara, kontributet dhe angazhimet konkrete që Shqipëria dhe Bullgaria kanë në funksion të ruajtjes së paqes dhe forcimit të sigurisë në vende e rajone të ndryshme të globit”, u shpreh midis të tjerave në konferencën  epërbashkët për shtyp me homologun bullgar, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, në kuadrin e vizitës zyrtare në Bullgari, u takua edhe me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, Boyko Borissov, me të cilin bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh mes dy vendeve në frymën e miqësisë tradicionale që ekziston.
Kreu i Shtetit i shprehu edhe Kryeministrit bullgar ndjenjat e mirënjohjes së shqiptarëve për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Shqipërisë në procesin e Integrimit Evropian, duke evidentuar edhe besimin se kjo ndihmë nuk do të mungojë edhe për hapjen e negociatave të aderimit për në BE. Gjithashtu, Presidenti Nishani, duke iu referuar eksperiencës më të fundit bullgare të anëtarësimit në BE u shpreh se, “eksperienca që ju keni fituar gjatë anëtarësimit në Bashkimin Evropian do ta ndihmonte shumë Shqipërinë që të ecte më shpejt në këtë drejtim”.
Nga ana e tij, Kryeministri Borissov u shpreh i gatshëm për të ndihmuar me ekspertizë, veçanërisht në kuadrin e hartimit të projekteve zhvillimore që mund të mbështeten nga Bashkimi Evropian, domen ku Bullgaria është shumë efiçente dhe e suksesshme.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY