Presidenti Nishani: Mazhoranca qëndrim politik në rrëzimn e dekreteve, hetim mbi trupën...

Presidenti Nishani: Mazhoranca qëndrim politik në rrëzimn e dekreteve, hetim mbi trupën gjyqësore që liroi Arben Frrokun

86
0
Shares

Presidenti Bujar Nishani e quan qëndrim politik rrëzimin e dekreteve të tij nga mazhoranca. Në një intervistë për TV “Klan”, duke ju referuar rrëzimit të dy kandidaturave të fundit për anëtarë të Gjykatës ssë Lartë, Nishani shpreson që kjo situatë të ndryshojë. Për Presidentin, dekriminalizimi përbën një prioritet dhe një nga kërkesat dhe ndjeshmëritë më të mëdha në radhë të parë të shoqërisë shqiptare.
Duke folur edhe për reformën së Drejtësi, Presidenti e quan atë si “një domosdoshmëri, që nuk ka alternativë tjetër”.
Presidenti i Republikës i përgjigjet edhe ineresimit për vendimin e gjykatës për lirimin e Arben Frrokut, për të cilin paralajmëron se do ti kërkojë KlLD-së mbështetje për një inspektim mbi trupën gjyqësore që liroi të akuzuarin për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.
“Pa dyshim që në rastin konkret dhe prej ankesave që më janë drejtuar si President i Republikës do t’i kërkojë Këshillit të Lartë të Drejtësisë të më mbështesë mbi një propozim timin për të bërë një inspektim të bazuar në procedurë dhe në ligj mbi trupën gjyqësore, e cila e shqyrtoi dhe gjykoi këtë çështje, për të parë sesi janë respektuar procedurat, si është respektuar e drejta dhe si është respektuar ligji”, shpreht Nishani

Zoti President, mazhoranca ka rrëzuar dy dekretet për anëtarë të Gjykatës së Lartë në Parlament? Si e shihni këtë qëndrim të shumicës parlamentare?
Është një qëndrim i qartë, një qëndrim tërësisht politik, një qëndrim që bie ndesh me Kushtetutën e vendit, bie ndesh me praktikën e konsoliduar ligjore dhe institucionale të së drejtës që ka Presidenti i Republikës për të dekretuar anëtarët e Gjykatës së Lartë, një proces që jo vetëm është futur tashmë përfundimisht në një ngërç institucional, por dhe të vetërespektimit të sistemit politik që kemi. E shoh si një shenjë të fortë shqetësuese të degradimit të pjesëve të caktuara të sistemit politik që Kushtetuta e Shqipërisë ka paraparë dhe shqiptarët kanë vendosur të implementojnë në vendin dhe shoqërinë e tyre. Për mua, por besoj edhe për shqiptarët është e qartë që tashmë po shohim që në Gjykatën e Lartë të vendit janë duke u gjykuar çështje të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejtë me deputetë që lidhen me përfaqësues të mazhorancës qeverisëse, ndaj, unë gjykoj që edhe shqiptarët e besojnë dhe e konsiderojnë këtë qëndrim si një qëndrim të mazhorancës për të intimiduar dhe për të pasur nën kontrollin politik Gjykatën e Lartë, e cila është e vetmja trupë që gjykon dhe vendos për shkeljet ligjore, për fajësitë apo pafajësitë e përfaqësuesve të lartë të politikës, të deputetëve apo të qeverisë. Ndaj, e shoh me shumë shqetësim pa diskutim, por kjo do të thotë një vijimësi e aktivitetit të Presidentit të Republikës bazuar pa diskutim në këtë realitet që ai ndodhet në mbrojtje tërësisht të prerogativave të tij kushtetuese, të adresimit të shqetësimit të opinionit publik. Shpresoj që ky deformim i sistemit që, tashmë, po ndodh për gati dy vitesh kur Presidenti nuk po lejohet të bëjë emërimin e asnjë gjyqtari në Gjykatën e Lartë të ndryshojë nga mazhoranca e ardhshme parlamentare dhe të rikthehet në hullitë e sistemit normal dhe në respekt të plotë të sistemit politik dhe jo vetëm, të sistemit të drejtësisë që ne kemi.

Zoti President, Brukseli ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes së dhjetorit 2014 për dekriminalizimin e institucioneve shtetërore dhe të Parlamentit. A mendoni se është e vonuar në këtë pikë klasa politike? Si e shihni këtë qëndrim të Brukselit dhe a duhet të fillojë ky proces që nga përzgjedhja e kandidatëve për zgjedhjet e 21 qershorit?
Dekriminalizimi përbën tashmë një prioritet dhe është një nga kërkesat dhe ndjeshmëritë më të mëdha në radhë të parë të shoqërisë shqiptare. Nuk mundet kurrsesi qytetarët shqiptarë, shoqëria jonë në tërësi, të vijojë të pranojë që në piramidën e administratës shtetërore nga zyra më pak e angazhuar deri tek zyrtarët më të lartë të procesit të vendimmarrjes të jenë të përfshirë njerëz dhe individë, të cilët kanë rekorde kriminale, ndaj, ky proces me çdo kusht dhe pa asnjë lloj alternative tjetër duhet të shkojë drejt zhvillimit, drejt realizimit në radhë të parë si një detyrim ligjor kushtetues në raport me shoqërinë shqiptare, pa dyshim edhe si një çështje e respektimit të marrëveshjes të arritur midis mazhorancës dhe opozitës në Parlament dhe si një detyrim në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. E vlerësoj shqetësimin e ardhur nga Bashkimi Evropian, nga Brukseli, i cili i adresohet shoqërisë shqiptare, shtetit shqiptar, institucioneve shqiptare dhe unë besoj dhe uroj që institucionet shqiptare, në radhë të parë, klasat vendimmarrëse, institucionet vendimmarrëse ta marrin me shumë seriozitet këtë detyrë, këtë përgjegjësi në mënyrë të tillë që të fillojë, të fillojë sa më parë ky proces, që do t’i hapë më pas rrugën një procesi që është më i gjerë se sa penalizmi i disa individëve me rekorde, tashmë publike kriminale. Një proces që duhet të çojë në një konsolidim të një kulture tjetër të sjelljes institucionale, politike, në mënyrë që shoqëria shqiptare si një shoqëri brenda kontinentit evropian, si një shoqëri me ideale dhe parime drejt zhvillimit evropian, si një shoqëri ka që vuajtur kaq shumë në të shkuarën dhe që meriton një respekt, një mundësi reale zhvillimi për të ardhmen, të ndihet një shoqëri jo vetëm e hapur, të ndjehet një shoqëri normale, të ndihet një shoqëri e emancipuar, por që udhëhiqet në procesin e vendimmarrjes dhe menaxhimit qoftë të resurseve ekonomike, ato njerëzore në tërësi, potencialin zhvillimor të vendit nga njerëz, individë, grup komuniteti vendimmarrës, që përfaqëson dhe rrezaton parime, vlera, profesionalizëm, dashuri për vendin, por mbi të gjitha ndershmëri dhe vetëpërmbajtje e atij ideali që në tërësi qytetarët e thjeshtë, shoqëria shqiptare e mbart në vetvete, por që duhet ta shoh të realizuar përmes delegimit tek përfaqësuesit që ajo ka bërë. Është testi i parë dhe më i rëndësishëm që të gjitha partitë politike dhe aktorët vendimmarrës të reflektojnë këtë vullnet; që në përzgjedhjet e kandidaturave për zgjedhjet lokale jo vetëm të kandidatëve për kryetarë të bashkive, por edhe të kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë, që do të jenë pjesa vendimmarrëse. Unë besoj që është plotësisht e mundur, jo vetëm për shkak të një mundësie njohëse dhe reflektuese që ka në tërësi mjedisi dhe komuniteti në çdo bashki, në çdo zonë të Shqipërisë, por mbi të gjitha dhe një lloj bashkëpunimi të ngushtë të aktorëve vendimmarrës në institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, të cilët duhet të koordinojnë në mënyrë të tillë që të prezantojnë tek qytetarët shqiptarë, nëse vërtetë ai vullnet i deklaruar ekziston, unë besoj që  ai duhet të ekzistojë, ta përkthejnë në praktikë përmes një procesi vendimmarrës transparent dhe që të rrezatojë këtë shqetësim që ne po diskutojmë dhe që qytetarët shqiptarë kanë.

Reforma në drejtësi është jetike për rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Si e shikoni propozimin e bërë për rishikim të kompetencave të Këshillit të Lartë të Drejtësisë?
Është një domosdoshmëri, që nuk ka alternativë tjetër. Realizimi i reformës në sistemin e drejtësisë në tërësi, në gjyqësor në veçanti, por dhe në aktorë dhe operatorë të tjerë të sistemit të drejtësisë. Kush mendon që do ta anashkalojë, do të deformojë pikërisht rëndësinë dhe aktualitetin që ka nevoja e kësaj reforme, bën një gabim dhe nuk do të mundet dot që të jetë i suksesshëm në këtë tentativë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është pa diskutim një nga aktorët e rëndësishëm. Unë besoj që është një target dhe një objektiv i rëndësishëm i reformës në sistemin e drejtësisë. Në tërësi, për fat të keq, nuk shoh një vullnet real për të ndërmarrë dhe realizuar reformën në sistemin e drejtësisë. Kjo për shkak të ngarkesave të mëdha të interesave politike të aktorëve vendimmarrës në tërësi të proceseve reformuese. Kemi parë tendenca për të okupuar institucionet apo aktorët e sistemit të drejtësisë me njerëz me ngarkesa të mëdha politike dhe me rekorde aspak pozitive në funksion të vet institucionit. Ka një informacion, një direktivë të rëndësishme dhe një këshillë shumë të vlefshme nga ana e Bashkimit Evropian që lidhet me reformën në Këshillin e Lartë të Drejtësisë ku u kërkohet institucioneve vendimmarrëse në Shqipëri që ai ndryshim i paargumentuar, i gabuar, që iu bë ligjit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë ku detyrohej Presidenti i Republikës që ta zgjidhte nënkryetarin vetëm nga tre anëtarët që vijnë nga Parlamenti, të ndryshojë, pra është quajtur i papranueshëm dhe ka një kërkesë të drejtëpërdrejtë nga ana e Bashkimit Evropian për vendimmarrësin politik në Shqipëri për ta ndryshuar këtë handikap që vendosën në ligjin për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Unë do të mbështesja dhe duhet parë çdo ndryshim i formulës së organizimit dhe përfaqësimit në institucione të ndryshme në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Duhet të krijohet, me çdo kusht, një institucion i cili të jetë sa më i larguar nga interesat individuale të komunitetit të gjyqtarëve të cilët janë objekt i vlerësimit dhe gjykimit nga ky instrument, nga ky këshill, dhe nga ana tjetër besoj që ka ardhur koha që çështjet e inspektimit të lihen si një çështje që i takon vetëm Këshillit të Lartë të Drejtësisë, sepse praktika e deritanishme kur mjaft çështje janë bllokuar për gjykim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për shkak se inspektimi nga Ministria e Drejtësisë, apo Ministria e Drejtësisë duke pasur atributin e të vetmit institucion propozues për masën penalizuese, ndëshkuese apo gjykuese ndaj gjyqtarit, e ka kthyer në një çështje imediate rregullimin e kësaj problematike. Por që, duke elaboruar praktikat më të mira që kanë vendet e tjera evropiane, të gjendet mënyra më e mirë qoftë e kompozimit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e mënyrës së përzgjedhjet së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e mandatit të tyre, e mënyrës sesi ata do ta implementojnë këtë mandat, mënyra sesi do të punojnë dhe çfarë statusi do të ketë. Por, përtej Këshillit të Lartë të Drejtësisë reforma në sistemin e drejtësisë është një reformë e cila duhet të prekë shumë faktorë dhe ende nuk kemi parë hapin e parë, i cili ka të bëjë me marrjen e ekspertizës, së eksperiencës së praktikave më të mira duke filluar me thirrjen zyrtare menjëherë bërjen pjesë e grupit të punës dhe komisionit parlamentar të  përfaqësuesve të Komisionit të Venecias. Ndaj, unë u kërkoj dhe u bëj thirrje përfaqësuesve në këtë komision të dërgojnë menjëherë kërkesën për të përfshirë në komisionin përkatës dhe në proces përfaqësuesit e Komisionit të Venecias. Ne jemi një vend aspirant për në Bashkimin Evropian, një vend prej shumë vitesh anëtar i Këshillit të Evropës, një vend që ka detyrë dhe përgjegjësi, kryesisht institucionet, t’u ofrojnë qytetarëve standarde ndërkombëtare të lirisë, të së drejtës dhe shtetit ligjor. Kështu që, kushdo që mendon që mund t’u ikë këtyre standardeve, ose mund t’i  anashkalojë këto standarde, unë besoj që bën një gabim dhe që jo vetëm që s’ka bërë zgjedhjen e duhur, por që nuk do të ketë sukses. Jam i bindur që nuk do të ketë sukses dhe në fund të fundit shoqëria shqiptare është futur në një proces pa kthim të zhvillimit dhe emancipimit.

Një çështje që ka pasur një impakt të madh ditët e fundit ka qenë edhe ajo e trupës gjyqësore me vendimin e dhënë për Arben Frrokun. A do të kërkoni si Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë për t’u informuar mbi vendimin e dhënë nga kjo trupë gjyqësore?
Vendimi është një çështje e një trupe gjyqësore, jo vetëm e një gjyqtari të caktuar. Së dyti, vendimet gjyqësore janë vendime që në përmbajtjen e tyre shqyrtohen nga gjykatat e nivelit më të lartë dhe unë jam njohur me angazhimin e Prokurorisë së Shtetit për të ndjekur procedurën e ankimimit në gjykatën e një niveli më të lartë. Pa dyshim që në rastin konkret dhe prej ankesave që më janë drejtuar si President i Republikës do t’i kërkojë Këshillit të Lartë të Drejtësisë të më mbështesë mbi një propozim timin për të bërë një inspektim të bazuar në procedurë dhe në ligj mbi trupën gjyqësore, e cila e shqyrtoi dhe gjykoi këtë çështje, për të parë sesi janë respektuar procedurat, si është respektuar e drejta dhe si është respektuar ligji. Pa dyshim që do t’ia kërkoj dhe shpresoj që Këshilli i Lartë i Drejtësisë të më mbështesë në këtë kërkesë dhe propozim në mbledhjen e ardhshme të këtij Këshilli.

Faleminderit!
Kënaqësi!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY