Erdogan ul koken para presionit amerikan, pezullon sulmet ne Siri

Erdogan ul koken para presionit amerikan, pezullon sulmet ne Siri

70
0
Shares

Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë pajtuar që të pezullohet ofensiva turke në veri të Sirisë, sipas REL.

Lajmin e bëri të ditur nënpresidenti amerikan Mike Pence, i cili tha se marrëveshja u arrit pas pesë orë bisedimesh me presidentin turk, Reccep Tayyp Erdogan, në Ankara.

“Turqia është pajtuar që të pezullojë operacionin për 120 orë, në mënyrë që lejojë tërheqjen e forcave kurde”, deklaroi Pence.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara janë duke punuar me forcat kurde për tërheqje nga zona kufitare.

Pence tha se Turqia dhe SHBA-ja janë pajtuar për “qëllimin e përbashkët për të shkatërruar grupin militant Shteti Islamik”.

Forcat e udhëhequra nga kurdët kanë qenë një aleat kryesor i SHBA-së në luftën kundër grupit militant, Shteti Islamik.

Të dyja vendet janë pajtuar për një rezolutë paqësore për zonën e sigurt në veri të Sirisë, tha nënpresidenti Pence.

Krijimi i kësaj zone ka qenë edhe arsyetimi i Turqisë kur e filloi, nëntë ditë më parë ofensivën në veri të Sirisë. Ankaraja tha se synon t’i dëbojë luftëtarët kurdë në atë rajon, të cilët i konsideron si terroristë, dhe të mundësojë kthimin e miliona refugjatëve sirianë që gjenden në territorin turk.

Para konferencës për media të nënpresidentit Pence nga Turqia, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar marrëveshje me Turqinë sa i përket armëpushimit në veri të Sirisë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, ai ka falenderuar presidentin e Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, duke thënë se miliona jetë janë shpëtuar.

“Lajme të shkëlqyera nga Turqia. Faleminderit president Erdogan. Miliona jetë do të shpëtohen!”, ka shkruar Trump.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Turqisë, Hulusi Akar, deklaroi se SHBA-ja dhe Turqia janë pajtuar që të shkatërrohen pozicionet e kurdëve. Ai tha se operacioni vetëm do të pezullohet për të mundësuar largimin e “terroristëve” nga rajoni.

Turqia e filloi ofensivën në Siri pas tërheqjes së trupave amerikane nga veriu i vendit, të cilat bashkë me forcat kurde, kishin luftuar kundër grupit ekstremist Shteti Islamik.

Pasi vendosi të tërhiqet, SHBA-ja i bëri thirrje Turqisë të ketë kujdes me veprimet e saj.

Por, presidenti Erdogan i injoronte thirrjet e vazhdueshme amerikane dhe të Bashkimit Evropian për të ndalur operacionin.

E, shqetësimet ndërkombëtare u rritën për shkak të mundësisë së një krize të re humanitare dhe ringjalljen e grupit militant ekstremist, Shteti Islamik. /REL/

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY