SPECIALE/ Të peshkosh i izoluar nga të tjerët, ja disa nga pikat...

SPECIALE/ Të peshkosh i izoluar nga të tjerët, ja disa nga pikat e peshkimit ku takon vetëm peshqit

95
0
Shares

Përgjatë bregdetit më të banuar të Shqipërisë, atij të Durrësit dhe të Lezhës mund të gjenden megjithatë edhe disa pika të izoluara ku mund të peshkosh i vetëm, larg zhurmave dhe njerëzve, ndonjëherë edhe duke shkuar mjaft vështirë deri në breg.

Këto pika mund të mbeten për pak kohë të tilla. Sidomos në verë ato mund të tjetërsohen shpejt në pika të zhrumshme për shkak se pushuasit zënë pjesnë më të madhe të bregdetit ku nuk është e mundur të peshkosh, për shkak të kufuzimeve të peshkimit me grep brenda plazheve apo pranë tyre deri në një distancë 200 metra.

Më poshtë kemi zgjedhur disa prej tyre të cilat janë publikuar edhe në guidën e pikave të peshkimit çlodhës argutues për Durrësin dhe Lezhën. Guida është e publikuar në Facebook në shqip dhe anglisht, në Instagram në shqip dhe anglisht si dhe në You Tube dhe ju mund të gjeni atje gjithcka nevojitet të dini për këto ambiente peshkimi, peshqit dhe speciet e tjera, shtigjet si shkohet deri edhe afate apo kufizime në peshkim.

1.Currila afër ‘My heaven BBR’ bar 

Ndodhet në veri të Durrësit dhe për të shkuar atje duhet të ndiqni rrugën e Currilave në drejtim të kodrave bregut të detit dhe pikërisht aty ku është ‘location’ do të ktheheni majtas. Është një rrugë e hapur e shkurtër deri në breg të detit jo më shumë se 15 metra.

Në të dy anët nuk ka lokale dhe ai më i afërti është ‘My Heaven BBR’, një bar i këndshëm dhe i thjeshtë pranë të cilit është edhe një plazh me pak zhezlonge. Do të shijoni qetësinë dhe peshkimin mes zhurmës së vogël të valëve penguar herë pas here nga shkëmbinjtë e vecuar që kanë nxjerë vetëm pak kokat e tyre mbi ujë.

Mund të peshkoni me grep apo me rrjeta të vogla si prezevol. Ndërkohë është një vend ideal për mbledhjen e guackave, midhjeve të zeza që mund të gjenden të kapura në shkëmbinjtë e shpeshtë të zonës.

Largësia nga Durrësi është 6.5 km dhe përshkohet me makinë për 21 minuta. Por mund të kryhet edhe me bicikletë apo në këmbë, duke ndjekur gjithnjë rrugën automobilistike.

Largësia nga Tirana është 44 km dhe përshkohet për 59 minuta. Ndërsa largësia nga Rinasi është 34 km dhe përshkohet për 42 minuta.

Nëse përshkoni rrugën e Currilave në këmbë në muajin gusht është e mundur të ngopeni me manaferra që janë përgjatë gjithë rrugës dhe të bollshëm.

Peshqit që mund të bien në grep janë levreku, koci, barbuni, por edhe ndonjë sir apo skorfon.

Nëse jeni i fiksuar pas peshkimit të oktapodit mund ta bëni edhe këtu përmes disa tubave plastike rreth 50-80 cm që shëbejnë për rehatinë e oktapodit dhe ndillen me këmbë pule ose sardele.

Oktapodi zë vend atje edhe për ushqim e vënë por edhe si pozicion të preferuar për tu fshehur spo gjuajtur. Më pas tubat merren dhe nxirren prej aty oktapodët.

2.Pika Shpresimi, Bishti I Palles

Edhe ky ëhstë një destinacion i izoluar por megjithatë mund të takoni peshkatarë të tjerë që e njohin mirë zonën. Destinacioni i peshkimit ndodhet 11.3 km nga Durrësi dhe përshkohet me makinë për 24 minuta. Ndërsa nga Tirana është 48.5 km dhe përshkohet për 1 orë. Nga Rinasi është 39 km dhe përshkohet me makinë për 45 minuta.

Ai ndodhet në Bishtin e Pallës, në fund të rrugës që kalon bri hotel Shpresimi. Rruga është e pasfaltuar dhe kalon përmes shkurreve të shpeshta. Është një breg me gurë, fare pak rërë, jo tipik për plazhet e Adriatikut. Aty mund të peshkoni në qetësi ndërkohë që pak varka peshkatarësh e përdorin stacionin për të ankoruar varkat e tyre kur kthehen nga peshkimi. Pastrimi i rrjetave aty e bën të pëlqyeshëm për peshqit atë zonë.

Ndërsa peshkoni përballë keni një lagunë që ndryshe thirret ‘Gropat e Bishtit të Pallës’, ku mund të vëzhgoni rosa të ndryshme, zogj por ndonjëherë edhe pelikanë.

Gjatë peshkimit mund të ndodhë që peshkun që keni zënë ta ketë kafshuar në të njëjtën kohë një gaforre blu. Gaforrja është mjaft e përhapur në ujërat e cekëta të bregut të detit. Ajo shtohet shpejt dhe ka pak armiq në ujërat e Adriatikut apo edhe në kenetat që lidhen me detin përgjatë bregdetit, për shkak se është e ardhur vetëm vitet e fundit në mënyrë aksidentale nga Amerika e Veriut dhe shpërndarë më pas në të gjithë Mesdheun.

Gjatë peshkimit mun të zini levrek, koc, barbun, por edhe ndonjë sir apo skorfon, barrakudë, korb dhe natyrisht edhe oktapod përmes tubave..

2.Perballe rruges Shtodheri (ne majen e malit-Bishti I palles)

Është një ndër pikat më to sekrete të peshkimit në zonën jugore të Bishtit të Pallës. Në ndërsa po gjurmonim për një shteg për të peshkuar arritëm të gjejmë me dron pak metra lag të vetmit shteg për të zbritur nga kodra në breg të detit, një grup të rinjsh prej katër vetash që rrinin në një cadër të vogël pushimi.

Për të shkuar deri atje duhet të merrni një rrugë të parregulluar makine përmes një lëndine të sheshtë dhe më pas të ngjiteni në kodër. Në krye të kodrës duhet të lini makinën dhe të ecni në këmbë përmes një shtegu të hapur lehtë mes shkurreve dhe barit të lartë sic duket në foto. Më pas duhet të zbrisni poshte po përmes një shtegu të tillë. Në të dy anët e pikës së peshkimit ka hapësirë për të qëndruar në breg të detit.

Jeni i vetmuar dhe rrallë mund të shikoni ndonjë peshkatar ndërsa ndodheni përballë portit të naftës Porto Romano dhe Currilave, një pamje tërheqëse.

Për shkak se është vështirë të lëvizet prej aty llogarisni se do të qëndroni disa orë, ose edhe një ditë të tërë. Duhet të keni me vete ujë, ushqime dhe pajisje të tjera të nevojshme.

Mund të bjerë në grepin tënd levrek, koce, cafërr, gjuhëz, spalcë e kuqe etj.

4.Argjinatura ose Gropat e Bishtit të Pallës

Në këtë pikë mund të zgjidhni vetë qetësinë dhe izolimin mes një natyre të rrallë përgjatë argjinaturës rreth rreth 2 km që nis në të djathtë të rrugës Shën Pali në Bishtin e Pallës.

Largësia nga Tirana është 47.2 km dhe përshkohet për 51 minuta, ndërsa nga Rinasi është 37.4 km dhe përshkrohet me makinë për 40 minuta.

Nga Durrësi largësia është 9.7 km dhe përshkohet për 19 minuta.Mund të peshkohet koc, qefull, levrek, çafërr, gjuhëz por edhe gaforre blu.

Pamja e lagunës është mbresëlënëse ndërsa shtrihet deri disa kilometra më në veri të Sektorit Rinia ose Fllakës.

Një numër zogjsh shtegtojnë apo qëndrojnë në këtë lagunë. Ndërsa peshkoni mund të kundroni dhjetra e dhjetra shpend ujorë që lëvizin pa fund përgjatë kënetës.

Ato janë cafka, dallëndyshka e detit, kojliku i madh, gjelëzi, shqipja e kënetës, zogu gushëbardhë, kllinza e vogël, gjelaçi i verdhë etj.

5.Grykederdhja e lumit Erzen

Ky destinacion është në skaj të kënetës së Jubës, disa qindra metra përtej pyllit me pisha, në një deltë ujore ku bashkohet lumi Erzen që përshkon fshatrat e Tiranës dhe Durrësit për tu derdhur më pas në detin Adriatik.

Largësia nga Tirana është 42.6 km dhe përshkohet për 47 minuta, ndërsa nga Rinasi është 34 km dhe përshkrohet me makinë për 42 minuta. Për të ardhur nga Tirana dhe Rinasi duhet të ndiqni autostradën Tiranë-Durrës dhe të marrësh më pas mbikalimin e Rrashbullit.

Largësi nga Durrësi është 17 km dhe përshkohet me makinë për 22 minuta.

Është i lokalizuar në një zonë mjaft të bukur dhe me një peisazh që mbulohet përgjatë dredhave të lumit afër bregdetit me rrjeta të mëdha peshkimi tendosur në ajër, bilance që vijojnë përgjatë lumit Erzen disa qindra metra.

Është ndër vendet më të preferuara të peshkimit edhe me grep, por ndërkohë edhe kërkimit për guackorë, vecanërisht vongola. Po ashtu aty kapet edhe karkalec përmes disa rrjetave në formë tubi.

Ndërkohë zona është e populluar me peshq si qefulli, levreku, koca, barbun, gjuhëz, çafërr, gaforre blu, rombo, raxhë e rajë etj.

Rreth e rrotull nuk ka pushues pasi në këtë pjesë bregu nuk ëhstë asnjëherë i sigurtë varësisht nga shirat ku lumi merr përpara rërën ndërkohë që pjesë të ligatinës më në jug e bëjnë atë të papëlqyer për vendasit por jo për ata që e vizitojnë rrallë.

Kur fillojnë shirat dhe niveli i ujit të lumit ngrihet, një pjesë e shtigjeve që të cojnë në grykëderdhje përmbyten dhe duhet siguruar pajisje si kostume kundër ujit përmes të cilave mund të ecni përgjatë zonës që ka rreth 20-30 cm ujë.

Zona ku ndodhet destinacioni është e izoluar dhe duhet të përgaditeni të keni me vete ujë dhe ushqim nëse do të qëndroni gjatë në peshkim. Gjithnjë duke patur parasysh se peshkimi natën është i ndaluar në breg të detit.

6.Kepi i Rodonit, afer market Rodoni

Ky destinacion ndodhet në periferi të fshatit Shetaj që është edhe pika e fundit e banuar e Kepit të Rodonit, rreth 1 km nga resorti Prive i sapondërtuar në kurriz të kodrës veriore të Kepit në periferi të fshatit Shetaj.

Ju mund të shmangeni nga rruga kryesore që kalon përtej fshatit Shetaj disa dhjetra metra në breg të detit. Prej aty mund të zhvendosni në të dy krahët përgjatë bregut dhe të shijoni peshkimin pa dëgjuar dhe parë asgjë urbane.

Largësia nga Tirana është 56.1 km dhe përshkohet për 1orë e 10 minuta, ndërsa nga Rinasi është 46.1 km dhe përshkrohet me makinë për 1 orë. Për të ardhur nga Tirana dhe Rinasi duhet të ndiqni autostradën Tiranë-Durrës dhe të marrësh djathtas në Maminas, drejtimi për në Gjirin e Lalzit. Më pas vijoni në rrugën bri gjirit të Lalzit në drejtim të Kepit të Rodonit, duke mbajtur majtas në fshatin Drac në drejtim të fshatit Shetaj.

Largësia nga Durrësi është 47.3 km dhe bëhet me makinë për 1 orë duke ndjekur autostradën Durrës Tiranë dhe të kthehesh më pas në nënkalimin e Maminasit në drejtim të Manzës dhe më pas Gjiri i Lalëzit drejt Kepit të Rodonit.

Ky destinacion ka një vijë uji të cekët, ujë të kthjelltë dhe shkëmbinj të shperndarë, ndërkohë që në kohë shirash derdhet në det një përrua që gjatë verës është i tharë. Destinacioni është ndërkohë edhe stacion për varkat e peshkimit të peshkatarëve të zonës.

Është një vend i përsosur për të kërkuar vongola ndërkohë që pranë shkëmbinjve mund të gjeni midhje dhe dater (molusk i mbrojtur dhe ndalohet kapja).

Po ashtu mund të gjeni edhe iriq deti të kapur në shkëmbinj.

Peshku që kapet këtu është levreku, çafërr, barbun, bishtzezë, koc, gjuhëz, shojzë por mund të hasni edhe në raxhë, megjithëse rrallë.

7 .Grykederdhja e Ishmit

Grykëderdhja e Ishmit është destinacioni më verior i peshkimit në qarkun e Durrësit, nëse vërtet vendosi të peshkoni atje, megjithëse ne nuk e sugjerojmë. Ai ndodhet në përfundim të kepit të Rodonit dhe është edhe në kufi të qarkut të Lezhës prej ku nisin një sërë parqesh natyrore me laguna njëra pas tjetrës.

Largësia nga Tirana është 44 km dhe përshkohet për 1orë e 27 minuta, ndërsa nga Rinasi është 24.8 km dhe përshkrohet me makinë për 45 minuta. Për të ardhur nga Tirana dhe Rinasi duhet të ndiqni rrugën e Vorës dhe të merrni majtas  tek Ura e Bubqit në drejtim të Bubq dhe Ishëm.

Kur nisesh nga Tirana apo Rinasi rruga të shpie deri në breg, por sapo kalon fshatin Muzhaq rruga është e pasfaltuar dhe e pa mirëmbajtur. Sa më thellë futesh në pyll aq më e vështirë bëhet rruga ndërsa vende vende ka pellgje dhe baltë që rrezikojnë të mos kalohen me makinë.

Kjo rrugë mund të bëhet vetëm kur është toka e tharë. Nëse ka shi, mos provoni të shkoni pasi makina juaj mund të mbetet në baltë papritur. Po ashtu në periudhë shirash lumi Ishëm ngrihet dhe merr edhe pjesë të rrugës në afërsi të bregut të detit.

Pavarësisht se pritet të ketë peshk mjaftueshëm për peshkim për shkak të mbeturinave që sjell Ishmi, një degë e të cilit është lumi Lana që mbledh të gjitha mbeturinat e Tiranës me afro 1 milionë banorë, nuk rekomandohet për peshkim për shkak të ndotjes së ambinentit, ujit të ndotur, çfarë mund të sjellë edhe kontaminimin e produkteve të detit.

Është destinacioni më i ndotur në vend në breg të detit. Pothuajse nuk ka lëvizje banorësh, fshatrat janë larg dhe shpesh edhe komunikimi me telefon funksionon dobët ose nuk funksionon fare.

Pylli është i ulët prej shkurresh të dendura, të pakalueshme. Vëzhgimet e fundit kanë gjetur se në to lëvizin edhe ujq, ndërsa cakallë, dhelpra, lepuj janë të pranishëm. Prania e zogjve është e kufizuar dhe shpesh një erë e rëndë mbulon zonën si rezultat i mbeturinave.

Në vizitën tonë atje gjetëm edhe mbeturina spitalore si dhe kuti me ilace të skaduara që i kishte nxjerrë në breg lumi.

Atje gjenden peshq si levreku, çafërr, bishtzezë, koc, spalc etj.

8.Patok, grykederdhja e lumit te Drojes

Nëse ndiqni deri në breg të detit kanalin ku ndodhet hidrovori i Fushë Kuqes në bashkinë e Lacit, do të ndodheni në skajin jugor të luginës së Patokut ose sic njihet ndryshe grykëderdhja e lumit të Drojës. Atje jeni i vetmuar, bile ndjeheni i vetmuar edhe nëse nuk jeni vetëm.

Rruga nga hidrovori deri në fund është e parehatshme dhe është vështirë të shkohet me makinë. Shpesh këneta rrëmben edhe kufijtë e rrugës dhe mbulon me ujë trasenë, prandaj sugjerohet qe ajo të bëhet me këmbë ose bicikletë.

Për të shkuar atje nga Tirana duhet të ndiqni rrugën Tiranë-Lac që kalon përmes autostradës Thumanë-Lac. Distanca nga Tirana në afërsi të derdhjes së Drojës është 59.1 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 6 minuta. Nga Rinasi është 3.2 km dhe bëhet për 45 minuta.

Tek grykëderdhja mund të shkoni më lehtë nga laguna e Patokut me një varkë që e merrni kundrejt pagesës bashkë me drejtuesin e saj për rreth 20-25 euro, që është pagesa e rrugës për t’ju dërguar në grykëderdhje dhe për t’ju marrë pastaj kur ju përmbyllni peshkimin.

E gjithë zona në grykëderdhje është perfekt për të peshkuar kryesisht qefull, ngjalë, levrek, çaffër, gjuhëz etj. Ndërkohë mund të kapni edhe gaforre blu , gjithnjë duke pasur kujdes nga kafshimet e saj.

Laguna mbyllet nga shtatori deri në shkurt kur është e mundur edhe gjuetia dhe më pas nga shkurti në shtator hapet. Kjo është një periudhë kur nuk gjuhet në lagunë.

Nëse jeni me fat përvecse rosave, zogjve shtegtarë mund të shikoni edhe pelikanin kacurrel, një specie e rrallë e mbrojtur e cila folezon në Patok. Ndërkohë nga janari deri në prill shpesh herë pushojnë në lagunë edhe flamingot.

9.Patok grykederdhja e lumit Mat (peshkim me varke)

Është një destinacion i fshehur përtej dunave të Lagunës, në një prej vendeve më të bukura në Shqipëri, destinacioni arrihet vetëm me varkë. Sapo të arrini në Lagunën e Patokut zgjidhni të parkoni makinën tuaj tek restoranti Royal blu ku ka parkim të bollshëm. Afër tij janë të parkuara shumë varka dhe peshkatarët janë gjithmonë rrotull. Dikush nga restoranti do ju ndihmojë për të marrë një varkë bashkë më një drejtues që do t’ju çojë në një pikë peshkimi në afërsi të grykëderdhjes së Matit.

Por ndërkohë udhëtimi deri aty do të jetë ndër më mbresëlënësit. Pamja është e rrallë, me kanali uji, brigje të izoluara mbushur me barishte dhe shkurre ndërsa shpesh lundroni nën rrjetat e bilanceve apo zogjtë e shumtë ujorë që nga rosat deri tek pelikanët.

Këtu mund të ndiqni edhe një prej mënyrave më të vecanta të përdorimit të teknikës në kushtet kur nuk ka energji elektrike që të vëjë në punë çikrikët e rëndë të bilanceve të gjera ndonjëherë edhe më shumë se dhjetë metra.

Në këtë zonë mund të gjuhen të gjithë peshqit e Adriatikut që preferojnë edhe ujërat e ëmbla afër bregut si levreku, koca, çafërr, bishtzezë, spalc, barbun, karkalec, ngjalë etj.

10.Lagune Kune Vain, stacioni i peshkimit, Pika panoramike

Janë dy destinacione pranë njëri tjetrit në një distancë jo më shumë se 200 metra brenda lagunës së Vainit e cila është një zonë e mbrojtur ndërsa peshkimi kryhet me ndërmarrje private peshkimi e kontraktuar apo përzgjedhur me garë nga ministria e Bujqësisë.

Distanca nga Tirana në këtë destinacion është 58.8 km dhe bëhet me makinë për 1orë e 2 minuta. Nga Rinasi është 44.8 km dhe bëhet për 42 minuta.

Nga Lezha është  13 km dhe bëhet me makinë për 24 minuta.

Për të shkuar nga Tirana kalohet përmes plazhit të Tales, hidrovorit dhe kthehesh majta në një rrugë të parrahur. Ecën drejt kësaj rrugë që ndan lagunën nga kanali i ujërave të larta duke vijuar deri në një shesh pak më të gjerë të bregut të kanalit, ku mund të lini makinë dhe të peshkoni ndanë kanalit. Nuk do të takoni për shumë orë asnjë njeri. Ndërkohë rruga është e pashkelur dhe kjo shquhet qartë nga tufat e barit që janë rritur mes saj.

Ndërkaq për afro 200 metra me makinë arrini në një stacion peshkimi. Ky është edhe skaji i rrugës nga ana e plazhit të Tales. Me pjesën tjetër të lagunës mund të lidhesh vetëm përmes një ure për këmbësore për të dalë në rrugën që lidh lagunën me Ishull Lezhë dhe më pas me Lezhën.

Ngjitur me stacionin është një pikë panoramike ku mund të shijoni hapësira të mrekullueshme të lagunës, ngastra pyjore dhe detin, kombinuar kjo me tufat e zogjve ujore shpesh mes tyre edhe flamingot.

Pamja është mbresëlënëse dhe një shëtitje me varke ose peshkimi nga varka që lundron do të ishte një tjetër atraksion për të shijuar po aq sa peshkimin dhe natyrën e një prej vendeve më tërheqëse të Shqipërisë.

Peshqit e lagunës së Vainit janë qefull vere, cumër, vijoshi, qefulli i vjeshtës, levrek ngjalë, koc, vope, shpalcë, gjuhëz, shojze.

11.Rana e hedhun, Shkami i Marka Nikës

Këtu ndodheni rrëzë një shkëmbi drejt të cilit mund të shkoni vetëm përmes një shtegu që kapet në rrugën kryesore ndërsa mundësia tjetër është të vijoni bregun e detit nga plazhi më i afërt Alba nga njëra anë.

Destinacioni ndodhet 3.1 km larg Shëngjinit në të majtë të  rrugës që shkon drejt Ranës së Hedhun dhe bëhet për 8 minuta me makinë. Nga Lezha është 10.4 km dhe bëhet me makinë për 22 minuta.

Ju mund të peshkoni në këtë destinacion koc, levrek, qefull, korb, barbun, burdullak, barrakudë (peshk-shtizë) etj.

Ndërsa ju peshkoni keni përpara një det të gjerë pa pengesa, nga jugu shikoni një pjesë të  plazheve përgjatë rrugës Shëngjin-Kune, Merxhanin ndërsa në veri plazhet e shumta të Velipojës.

Duhet të përgaditeni për peshkim në thellësi por ndërkohë mund të provoni edhe vetë zhytjen në ujin e kaltër dhe të pastër. Pika është mes dy plazheve po me mundësinë për të peshkuar edhe gjatë stinës së verës për shkak se pushuesit ndodhen më larg nga pjesa e shkembit që bie direkt në ujë.s.n, a.b

Ky artikull eshte pergaditur nga Qendra per Transparence dhe Informim te Lire ne kuadrin e projektit “Identification and promotion of recreational and tourist fishing destinations in the coastal area of Durres and Lezha counties”, mbeshtetur nga PNUD Albania.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY