SPECIALE/ Të gjitha rregullat që duhen mbajtur parasysh kur shkoni për peshkim...

SPECIALE/ Të gjitha rregullat që duhen mbajtur parasysh kur shkoni për peshkim çlodhës e argëtues

106
0
Shares

Megjithëse vendet e peshkimit amator, çlodhës apo argëtues janë të shumta dhe hapësira e bregut e bollshme, organet e pushtetit qendror që mbulojnë problemet që lidhen me peshkimin kanë vendosur kufizime.

Të gjitha kufuzimet lidhen me atë që peshkimi argëtues të mos bëhet abuziv ndaj specieve detare dhe mjedisit, të mos shqetësojë pushuesit e shumtë në plazhe dhe ndërkohë të kryhet në kushte të drejta të peshkimit.

Gjatë ushtrimit të aktivitetit të peshkimit çlodhës – argëtues ndalohen: peshkimi gjatë periudhës nga perëndimi i diellit deri në agim; peshkimi me pushkë nënujore prej personave nën 16 vjeç; shitja e peshkut të kapur gjatë këtij aktiviteti, theksohet në nenin 45 të l;igjit për Peshkimin ku përcaktohene dhe kufuzimet për peshkimin çlodhës – argëtues.

Një tjetër akt nënligjor që shqyrton kufizimet në peshkimin çlodhës argëtues është udhëzimi i ministrit të Bujqësisë i datës 11 prill 2022.

Në kapitullin e rregullave të përgjithshme të këtij udhëzimi theksohet se gjatë ushtrimit të peshkimit çlodhës-argëtues përdoren në të gjitha kategoritë ujore, këto vegla peshkimi:

  1. a) jo më shumë se 2 kallama për peshkatar dhe jo më shumë se 3 grepa për kallam;
  2. b) jo më shumë se 10 grepa dore për peshkatar;
  3. c) rrjetë e vogël dore.

Udhëzimi rregullon edhe sasinë e peshkut të lejuar që një peshkatar mund të zërë. Peshkatari zë jo më shumë se 5 kg produkte peshkore në ditë dhe kjo sasi mund të tejkalohet nëse zihet një individ i vetëm me një peshë më të madhe se 5 kg.

Sasia e peshkut të zënë të lejuar është shtuar në raport me përcaktimin e ligjit apo akteve nënligjore që buronin nga “Ligji për peshkimin” i vitit 2005 i cili lejonte zënien e vetëm 3 kg peshk ose produkt peshkor.

Udhëzimi lajmëron për ato specie për të cilat peshkimi është i kufizuar. Ushtrimi  i  aktivitetit  të  peshkimit  çlodhës-argëtues kryhet në përputhje me masat e vendosura për  ato  specie  të  cilat  ndodhen  nën  një  regjim  të kufizuar  sforcoje,  si  ngjala,  toni  i  kuq  dhe  peshku shtizë. Gjatë  ushtrimit të aktivitetit të peshkimit çlodhës-argëtues nuk lejohet të zihen tufat e riprodhuesve.

Edhe për peshkimin turistik dhëzimi i mësipërm përcakton rregulla që duhen mbajtur parasysh.Sipas udhëzimit gjatë ushtrimit të aktivitetit të peshkimit turistik në ujërat detare përdoren këto   vegla peshkimi: a) jo më shumë se 3 kurthe për anije; b)plumbçe me perimetër jo më të madh se 16 metra ose me diametër më të vogël se 5 metra; c)grumbullim  me  dorë, pa përdorur vegla peshkimi dhe mjete ndihmëse, të krustaceve dhe molusqeve.

Ndërkaq një rregullore tjetër e miratuar në tetor të 2021 nga ministria e Bujqësisë ka ndaluar çdolloj aktiviteti peshkimi në zonën e mbrojtur “Parku Kombëtar Detar Karaburun–Sazan”.

Ku kryhet peshkimi çlodhës-argëtues:

Aktiviteti i peshkimit çlodhës-argëtues nuk mudn të kryhet gjithandej. Ai mund të zhvillohet në një distancë jo më të vogël se 500 m nga mjetet e peshkimit profesional.

Rregullorja përcakton se ushtrimi i aktivitetit të peshkimit çlodhës argëtues ndalohet të kryhet gjatë sezonit turistik në orarin 8:30 me 19:30, në një distancë jo më të vogël se 200 m nga plazhet dhe 100 m nga brigjet shkëmbore.

Përjashtimisht, ky aktivitet kryhet në mole dhe shkëmbinj edhe gjatë sezonit turistik në oraret e ndalimit, me kallama dhe grepa dore vetëm në mungesë të pushuesve. Me ardhjen e pushuesve aktiviteti ndërpritet menjëherë.

Ndërkaq aktiviteti i peshkimit sportiv nuk zhvillohet me mjete të peshkimit profesional.

Ndërsa për peshkimin nënujor amator ndalohen të përdoren bombola oksigjeni gjatë zhytjes; ndalohet zënia e koraleve, molusqeve;  ndalohet kalimi në zonat e frekuentuara nga turistët me pushkën e karikuar; ndalohet të ushtrohet aktiviteti në një distancë më të vogël se 500 m nga plazhet e frekuentuara nga pushuesit;  ndalohet të ushtrohet aktiviteti në një distancë më të vogël se 100 m në plazhet shkëmbore.

Të gjitha masat mbrojtëse dhe menaxhuese, që zbatohen për peshkimin tregtar në det dhe ujëra të brendshme, janë njësoj të zbatueshme edhe për peshkimin çlodhës – argëtues.

Gjobat kur shkelen ligji dhe udhëzimet:

Ligji për Peshkimin ka parashikuar edhe sanksionet që mund të konsiderohen nëse shkelen dispozita të caktuara nga ky ligj.

Inspektorati i peshkimit, krahas gjobës, vendos dënime plotësuese dhe merr masat urgjente të nevojshme në përputhje me këtë ligj dhe ligjin për inspektimin.

Referuar tek ky ligj disa nga kundërvajtjet administrative të cilat prekin edhe peshkimin çlodhës argëtues dhe turisitik janë:

  1. Hedhja e mbeturinave të lëngshme apo të ngurta që krijojnë efekte negative në cilësinë e mjedisit ujor,
  2. Lëshimi i llojeve të peshkut joindigjenë dhe/ose organizmave të tjerë ujorë, llojeve të peshkut të modifikuara gjenetikisht ose organizmave të tjerë ujorë, në kundërshtim me dispozitat e shkronjës “b” të nenit 7 të këtij ligji, në hapësirën detare dhe në ujëra të brendshme, dënohet me gjobë, nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë.
  3. Aktivitetet nënujore, që synojnë peshkimin në vende ku nuk është marrë më parë leje prej autoritetit menaxhues përgjegjës, dënohen me gjobë, nga 10 000 lekë deri në 50 000 lekë.
  4. Kapja e të vegjëlve, llojeve të peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë të paarrirë për t’u riprodhuar ose me përmasa përtej atyre të parashikuara në aktet nënligjore, në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë.
  5. Ushtrimi i aktivitetit të peshkimit dhe marrja ose shkatërrimi i faunës dhe florës në zonat e mbrojtura ujore, dënohen me gjobë, nga 200 000 lekë deri në 1 000 000 lekë.
  6. Kapja e peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë në kundërshtim me urdhrin për ndalimin e peshkimit, jashtë sezonit apo në zonat ku nuk lejohet peshkimi, dënohet me gjobë, nga 200 000 lekë deri në 1 000 000 lekë.
  7. Zënia e peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë me eksplozivë, substanca kimike ose çdo mënyrë tjetër që vret, intoksikon apo helmon, dënohet me gjobë nga 1 000 000 lekë deri në 5 000 000 lekë.
  8. Mbajtja në bord apo në breg e eksplozivëve apo substancave kimike që vrasin, helmojnë apo intoksikojnë peshkun dhe organizma t e tjerë ujorë, dënohet me gjobë nga 500 000 lekë deri në 2 500 000 lekë.
  9. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit çlodhës – argëtues në kundërshtim me dispozitat e nenit 38 pika 2 të këtij ligji (Në asnjë rast dhe për asnjë arsye, ushtrimi i peshkimit çlodhës – argëtues nuk duhet të ndërhyjë, të pengojë, të rrezikojë apo të vështirësojë peshkimin tregtar), dënohet me gjobë, nga 5 000 lekë në 10 000 lekë.
  10. Mbledhja dhe/apo tregtia e peshkut dhe organizmave të tjerë ujorë të zënë me eksplozivë, substanca kimike ose çdo mënyrë tjetër që vret, intoksikon apo helmon, dënohet me gjobë, nga 100 000 lekë deri në 500 000 lekë.
  11. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit amator, pa qenë i pajisur me autorizimin përkatës ose në kundërshtim me dispozitat e neneve 40 e 42 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 500 lekë deri në 1 000 lekë.
  12. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit turistik, pa qenë i pajisur me autorizimin përkatës ose në kundërshtim me dispozitat e neneve 40 e 42 të këtij ligji, dënohet me gjobë, nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë.
  13. Ushtrimi i veprimtarisë së peshkimit çlodhës – argëtues në kundërshtim me dispozitat e nenit 45 të këtij ligji, dënohet me gjobë: a) nga 5 000 lekë deri në 10 000 lekë pa mjet lundrues; b) nga 50 000 lekë deri në 100 000 lekë në rast se për kryerjen e shkeljes përdoret mjet lundrues. s.n, a.b

Ky artikull eshte pergaditur nga Qendra per Transparence dhe Informim te Lire ne kuadrin e projektit “Identification and promotion of recreational and tourist fishing destinations in the coastal area of Durres and Lezha counties”, mbeshtetur nga PNUD Albania.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY