Ndahet nga jeta akademiku dhe fizikanti i nivelit evropian, Artan Boriçi

Ndahet nga jeta akademiku dhe fizikanti i nivelit evropian, Artan Boriçi

431
0
Shares

Ndahet nga jeta në moshën 56-vjeçare fizikanti, profesori i talentuar dhe njeriu i shkëlqyer akad. asoc. Artan Boriçi. Lajmi është bërë i ditur nga Akademia e Shkencave.

Postimi i Akadenisë:

Është ndarë nga jeta sot më 25 mars në moshën 56-vjeçare fizikanti dhe njeriu i shkëlqyer, profesori i talentuar i Universitetit të Tiranës, akademiku i asociuar Artan Borici, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Është një humbje e madhe dhe e papritur në botën e shkencës ndarja nga jeta e akad. asoc. Artan Boriçit, pas një beteje të vështirë të javëve të fundit me COVID-19.
Akad. asoc. Artan Boriçi ishte i vlerësuar në rrethin e kolegëve të ASH dhe të Universitetit të Tiranës si një shkencëtar, i cili ia ka dalë të jetë pjesë e komunitetit shkencor ndërkombëtar me kontributin e tij të veçantë në shkencën e fizikës, duke hyrë në panteonin e elitës intelektuale.
Artan Boriçi u bë anëtar i Akademisë së Shkencave në vitin 2020.
Kryesia e Kryesia e Akademisë së Shkencave e tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të akad. asoc. Artan Boriçit, i shpreh ngushëllimet familjes dhe të afërmve, anëtarëve të Akademisë së Shkencave, trupës së profesoratit të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku ai ushtroi veprimtarinë e tij akademike dhe universitare, brezave të studentëve që u formuan me dijet dhe etikën e tij, që i la në pikëllim.
I njohur në botën shkencore në botën e teorisë rrjetore të fushës për “fermionet Boriçi-Creutz”, akad. asoc. Artan Boriçi bashkëpunoi ngushtë me institucionet shkencore si Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe me institucione të tjera prestigjioze si Akademia Mbretërore e Shkencave të Suedisë (për propozimin e çmimeve Nobel në fizikë), Qendra e Kërkimeve Bërthamore Evropiane CERN, Qendra e llogaritjeve intensive në Jylih të Gjermanisë etj.
Së bashku me këto institucione dhe personalitete të shquara të fizikës dhe matematikës botërore ka marrë pjesë në organizimin e konferencave ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit.
Ai ka mbrojtur gradën doktor i shkencave matematike në ETH, Zurich, Zvicër, më 1996. Titullin profesor e ka marrë në Universitetin e Tiranës, në vitin 2010. Punoi në drejtimet kërkimore të fizikës teorike dhe llogaritëse dhe në fushën e financës llogaritëse në Institutin Paul Scherrer të Zvicrës; në shkollën e lartë politeknike federale të Zyrihut e në Universitetin e Ediburgut (1996-2003).
Akad.asoc Artan Borici ka 64 artikuj, të cituar 531 herë (ResearchGate), me 34 artikuj të indeksuar në SCOPUS, me indeks H = 9.
Ka botuar në revistat e mirënjohura të fizikës, si Physical Review D dhe Journal of Computational Physics. Është pjesëmarrës me referime në 49 konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit, në 11 prej tyre si referues i ftuar.
Artan Boriçi punoi mbi 20 vjet si pedagog në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Ka shërbyer si zëvendësdekan i këtij fakulteti (2012) dhe si anëtar i këshillit shkencor. Që prej vitit 2012, ai drejtonte grupin e fizikës llogaritëse dhe të energjive të larta në departamentin e fizikës. Ka udhëhequr dy teza doktorale në fushën e fizikës së thërmijave elementare.
U prehsh në paqe miku dhe kolegu ynë i shtrenjtë, i paharruari Artan Boriçi!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY