Presioni i opozitës anullon tenderat

Presioni i opozitës anullon tenderat

44
0
Shares

Presioni i opozitës anullon tenderat, Basha: Të kthehet menjëherë në vendim të qartë qeverie . Çdo fond duhet të shkojë vetëm për situatën.

Prej më shumë dy javësh i kam kërkuar qeverisë të anullojë çdo procedurë prokurimi që nuk lidhet me emergjencën dhe me menaxhimin e situatës së krijuar nga COVID -19. Sot mësuam jo zyrtarisht nga faqja e Agjencisë së Prokurorimeve Publike, APP, që qeveria ka vendosur anullimin e prokurimeve.

Së pari, dua të uroj që ky të jetë një lajm i vërtetë. Ndonëse një vendim i vonuar, më mirë vonë sesa kurrë.
Së dyti, dua t’i kërkoj qeverisë, që bën njoftime zyrtare për çështje shumë më të vogla se kjo që, këtë njoftim të APP, ta kthejë menjëherë në vendim qeveritar të qartë dhe të prerë.

Sot emergjenca është dedikimi i çdo fondi për të menaxhuar situatën shëndetësore dhe ekonomike, e cila sa vjen dhe rëndohet. Kërkesa e opozitës që mori mbështetjen e shmicës së shqiptarëve sot është kthyer në një njoftim të Agjencisë së Prokurimeve Publike dhe thirrja ime është që të kthehet menjëherë në një vendim qeveritar.

Tenderat e panevojshëm, tenderat abuzive të cilat nuk shkojnë në drejtim të shëndetësisë, të mbështetjes së familjeve në nevojë dhe të mbështetjes së ekonomisë shqiptare duhet të anullohen me një vendim të qartë dhe të prerë qeverie.

Pjese nga intervista:

Basha: Anullimi i tenderave kursen 200 milionë euro. Transparenca për çdo qindarkë të shqiptarëve do të jetë fokusi i opozitës.

Ndonëse i vonuar, duke përshëndetur këtë hap, i cili nëse zbatohet ashtu siç është shpallur do t’u kursejë shqiptarëve afro 200 milionë euro të tyret, të cilat ishin planifikaur për të tenderuar dhe për një pjesë të madhe tenderat kishin filluar, dua të kërkoj dy gjëra të qarta dhe të thjeshta:

• Së pari, transparencë totale në zbatimin e këtij vendimi. Opozita dhe ftoj edhe median, do të monitorojë në mënyrë të përditshme që të mos ketë asnjë hapësirë për abuzuesit të harxhojnë paratë e shqiptarëve në tendera qesharakë dhe të pafalshëm, si ato që janë shpallur ditët e fundit.
• Së dyti, çdo procedurë prokurorimi duhet të jetë transparente. Prej 24 orësh shqiptarët janë njohur me skandalin e tenderit të ushqimit, i cili i është dhënë një kompanie në Maqedoni, e cila, vetëm 6 ditë para tenderit ka ndërruar objektin e punës. Nga kompani kompjuterash ka shtuar në objektin e saj blerjen e mallrave ushqimore. 35 mijë kompani shqiptare që ofrojnë këtë shërbim në Shqipëri dhe për arsye që deri më sot Kryeministri, Ministrja e Mbrojtjes dhe zyrtarë të shtetit kanë refuzuar t’ua shpjegojnë shqipatrëve, kanë zgjedhur një kompani kompjuterash në Maqedoni për t’i dhënë tenderin prej 1.5 milionë euro ushqime.

Ndaj, transparenca në çdo procedurë tenderimi është dhe do të jetë fokusi ynë për të mbrojtur çdo qindarkë të taksapaguesve shqiptarë për t’u ardhur në ndihmë mjekëve, infermierëve, pacientëve, shëndetësisë, familjeve në nevojë dhe ekonomisë shqiptare.

“Fjalët boshe dhe batuatat kundër opozitës nuk sjellin ushqim”, Basha: Rama të mos harxhojë kohë duke sulmuar opozitën, nga njëra anë, dhe, duke i pranuar propozimet e saj me vonesë, nga ana tjetër. Është koha për të reflektuar dhe për të ndihmuar njerëzit.

Pyetje: Ka një argument të maxhorancës se të gjitha propozimet e PD pa doganë, pra nuk llogariten efektet që ato kanë në buxhet, një përgjigje për këtë ju lutem. Dhe e dyta: Pse Partia Demokratike nuk e detajon paketën e saj për përballimin e kësaj situate me kosto reale, ju keni deklaruar rreth 90 milion euro në muaj, pse nuk ka një llogaritje dhe një dokument publik?

Lulzim Basha: Dokumenti është bërë publik prej dy javësh dhe në mënyrë të përsëritur është edhe shpallur publikisht. Nga kjo zyrë kam shpallur publikisht koston e përllogaritur për të gjitha masat që kemi propozuar dhe është mbledhja e kësaj kostoje që ka çuar në shifrën prej 90 milion euro në muaj që kemi propozuar si pjesë e paketës për të ndihmuar të gjitha kategoritë, njerëzit në nevojë, ata që kanë humbur të ardhurat, ata që janë në shtrëngesë ekonomike, pavarësisht janë në listën e ndihmës ekonomike apo jo, por edhe sipërmarrja. Gjithçka është bërë me transparencë, me përllogaritje, të cilat, po kështu, janë shpallur publikisht.

Ndaj, nuk është momenti për të harxhuar kohë duke sulmuar opozitën, nga njëra anë, dhe, nga ana tjetër, duke i pranuar propozimet e saj me vonesë, por është koha për të reflektuar dhe për të ndihmuar njerëzit. Asnjë nga propozimet tona nuk bëhet as për fushatë, as pa doganë. Të gjitha propozimet do t’i zbatonim dhe do t’i vinim në jetë, nëse sot do të ishim në drejtim të vendit. Ky ka qenë kriteri mbi të cilin është hartuar paketa jonë e propozimeve. Deri më sot janë adoptuar një pjesë e tyre në letër, akoma presim të zbatohen në terren, ndërkohë që i bëjmë thirrje të zbatojë edhe pjesën tjetër.

Edhe njëherë: është fare e thjeshtë. Nëse Shqipëria me një buxhet dy herë më të madh se Kosova ka destinuar një shumë tre herë më të vogël se Kosova në ndihmë të njerëzve në nevojë dhe sipërmarrjes, atëherë çdokush e kupton se po bëhet tepër pak, tepër vonë. Nuk po kërkojmë asgjë më shumë, asgjë më shumë, por nuk mund të pranojmë asgjë më pak se sa Shqipëria të ngrihet të paktën në nivelin e Kosovës. Mendja ta do që mund të kërkonim dyfishin, meqë kemi dyfishin e buxhetit, por ne po kërkojmë minimalisht atë që Kosova ka shpallur dhe po ekzekuton për qytetarët e vet. Plani ynë është realist, është i zbatueshëm dhe duhet menjëherë të adoptohet dhe të vihet në funksion të njerëzve, sepse sot ka nisur një muaj edhe më i vështirë se ai që lamë pas, në veçanti sa i përket pasojave ekonomike për njerëzit.

Ndryshe nga kryeministri që ka kohë të merret dhe të sulmojë opozitën dhe që e këshilloj që të gjithë këtë kohë, energji dhe pasion ta përdorë për t’u shërbyer njerëzve sipas detyrës që ka, unë nuk kam për të bërë asnjë koment dhe nuk kam për të hyrë në asnjë debat politik me kryeministrin, por do t’i uroj sa më shumë shëndet, forcë dhe energji për të bërë detyrën që ka. I kërkoj miqësisht që të mos harxhojë kohë me opozitën ose, në qoftë se e ka të pamundur, të harxhojë kohë, të paktën, të njëjtën kohë dhe pasion për t’i shërbyer shqiptarëve, sepse, po ta bëjë jam i sigurt që shqiptarët nuk do të jenë në atë gjendje që janë sot, ku një numër shumë i madh familjesh janë pa të ardhura, të pasigurtë, të papunë dhe pa ushqimet bazë. Ky është shqetësimi im, ky është shqetësimi i opozitës. E gjithë vëmendja jonë do të mbetet këtu dhe jo te retorika boshe, lojrat e fjalëve, të cilat nuk sjellin ushqim. Batutat ndaj opozitës nuk sjellin ushqim në tavolinat e shqiptarëve. Retorika, propaganda dhe telefoni, puna me telefon zbulon falimentimin e administrates, por nuk është zgjidhje për krizën që sa vjen e thellohet.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY