ANALIZA/ Nje jave e furishme e pret Britanine

ANALIZA/ Nje jave e furishme e pret Britanine

40
0
Shares

Nga Henry Ridgwell

Britania po përgatitet për një javë të mbushur me beteja politike, të cilat mund të rezultojnë vendimtare për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian. Ligjvënësit do të përpiqen të vendosin nën kontroll parlamentin dhe të parandalojnë largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje. Ka patur protesta në mbarë vendin kundër vendimit të Kryeministrit Boris Johnson për të pezulluar parlamentin. Siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, beteja tashmë duket se nuk është vetëm për Brexit-in, por edhe për vetë strukturën e një shoqërie dhe një vendi që dikur shikohej se një ndër demokracitë më të qëndrueshme të botës.

Londër, Mançestër, Birmingam, Bristol – mijëra njerëz dolën gjatë fundjavës në rrugët e qyteteve në mbarë Britaninë për të protestuar kundër pezullimit nga qeveria të parlamentit, që do të hyjë në fuqi pas një jave.

“Mendoj se është tepër tepër e rrezikshme për Britaninë”, thotë një protestuese.

Demonstratat i paraprinë javës që mendohet se do të jetë vendimtare për Brexit-in. Në njërën anë, qeveria është zotuar të largohet nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, me apo pa marrëveshje. Ajo ka përballë kundërshtarët që besojnë se dalja pa marrëveshje do të jetë një katastrofë.

“Një grup deputetësh nga të gjitha partitë, ndër ta edhe zyrtarë të lartë konservatorë, do të përpiqen të mblidhen për të marrë nën kontroll zhvillimet në Dhomën e Ulët të Parlamentit, dhe të miratojnë në vazhdim një legjislacion që do të miratohej edhe nga Dhoma e Lordëve, për të përjashtuar mundësinë e një Brexit-i pa marrëveshje”, thotë Tony Travers, i Shkollës së Londrës për Ekonominë dhe Shkencat Politike.

Ata përballen megjithatë me sfida të mëdha.

“U duhet të ruajnë këtë koalicion shumë të pazakontë, me njerëz nga e majta e largët e Partisë Laburiste dhe me njerëz nga qendra e djathtë e Partisë Konservatore”, thotë zoti Travers.

Kryeministri Boris Johnson thotë se bllokimi i daljes pa marrëveshje do t’u shërbente interesave të Bashkimit Evropian.

“Nëse BE-ja mendon se Brexit mund të bllokohet, atëherë nuk do të na japin marrëveshjen që kemi nevojë. Pra, kam merak se zhvillimet në parlament mund të dëmtojnë pozicionin negociues të Britanisë. Por sidoqoftë le të bëhen”, thotë Kryeministri Johnson.

Kryeministri Johnson ka kërcënuar deputetët e partisë së tij konservatore se nëse votojnë për të bllokuar një Brexit pa marrëveshje, atëherë do të përjashtohen nga zgjedhjet e ardhshme, të cilat mund të ndodhin shumë shpejt, nëse opozita paraqet një mocion mosbesimi për qeverinë.

“Do të duhet vetëm një grusht deputetësh konservatorë që do të vendosin për ta rrëzuar qeverinë. Megjithatë, do të ishte vërtet e paprecedent që deputetë konservatorë të votojnë kundër qeverisë së tyre”, thotë Gemma Loomes, analiste politike me Universitetin Keele.

Ndërkaq, shumë raste gjyqësore janë ngritur kundër qeverisë, në përpjekje për të ndaluar pezullimin e parlamentit. Disa vendime pritet të jepen këtë javë.

Kjo rrezikon të tërheqë në fushëbetejën e Brexit-it edhe Mbretëreshën Elizabetë, e cila në cilësinë e kreut të shtetit dha miratimin për pezullimin e parlamentit.

Që nga Pallati mbretëror Buckingham, deri tek gjykatat dhe qeveria, mbarë demokracia e Britanisë po testohet në kulm. Pesë ditët në vazhdim do të jenë vendimtare për të parë se kush do të dalë fitimtar nga kjo betejë me pasoja të mëdha.voa

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY