“Teatri si monumenti i fundit i qytetit dhe lirive tona”

“Teatri si monumenti i fundit i qytetit dhe lirive tona”

76
0
Shares

ANDI BUSHATI/ Përpjekja e pak zërave cilësorë dhe autoritarë, po fatkeqësisht të pakët në numër, në mbrojte të godinës së Teatrit kombëtar, është një nga betejat më të rëndësishme që po zhvillohen për të ardhmen.

Ajo nuk mund të shihet vetëm si një çështje aktorësh lapangjozë që shiten dhe blihen.

Ajo nuk mund të paraqitet vetëm si një debat mes atyre që duan të renë apo të vjetrën.

Ajo nuk mund të ketë vetëm dimensionin e një ndeshjeje mes mbrojtësve fanatikë të trashëgimisë dhe kundërshtarëve të tyre. Ajo nuk mund të pasqyrohet vetëm si pezëm i nostalgjikëve që duan të përjetësojnë nostalgjinë për Naim Frashërin, Sandër Prosin, Violeta Manushin dhe së fundi Bujar Lakon.

Pro apo kundër saj, nuk mund të jesh vetëm nëse admiron aftësinë prej sekseri të paskrupullt të Veliajt, as se mbështet delirin e ndërthurur me grykësi të Edi Ramës, as se nuk honeps dot Lulin apo Saliun e 21 janarit, apo se s’ke shpresë tek blloku i Ilirit apo Monikës.

Përtej këtyre dasive apo bindjeve, qëndron historia e një grabitjeje të madhe. Pas tyre qëndron vjedhja e afro 200 milionë eurove nga një kompanie private, kliente e kryeministrit, me anë të një ligji antikushtetues të parlamentit. Pas saj qëndron vjedhja, ditën për diell, e një trualli publik, pa garë dhe pa tender dhe ngritja e një mostre pa konkurencë dhe pa konkurs ndërkombëtar.

Kushdo që do ta dëgjonte këtë argument, mund të ngrinte supet i çuditur: e pse duhet të na revoltoka një vjedhje më shumë? A nuk ka ndodhur e njëjta histori në rrugën e kombit, në Gërdec, në privatizimin ne ARMO-s dhe të CEZ?

A nuk ka ndodhur kështu me inceneratorët, me lojrat e fatit, me Check Up-in, me sa e sa koncesione dhe PPP skandaloze?

Edhe ky cinizëm esktrem, sado i përligjur të duket për mëkatet që konsumohen përpara syve tanë, nuk është i mjaftë për të justifikuar indiferencën në betejën për teatrin.

Sepse sado i rrënqethshëm të duket krimi ekonomiko- kulturor i shembjes së tij, ai është edhe më shumë sesa kaq.

Sepse godina e dikurshme e rrethit italo- shqiptar “Skanderbeg”, është barrikada e fundit për të ndalur shkatërrimin përfundimtar të kryeqytetit.

Nëse Teatri shembet, pas tij do të bien njëri pas tjetrit sheshi Nënë Tereza, që do të mbushet me dyqane dhe kulla të larta përkrah universitetit, hapësira e gjelbër pas ish Sheratonit dhe pylli që ka pas, diga e liqenit që do të jetë e pafuqishme të mbajë presionin e grataçielave e, në fund, edhe hapësira përreth sheshit “Skënderbej”, që është konceptuar që tani si shfyrje për rokaqiejt e oligarkëve.

Ky skenar ouruellian nuk do të përfundojë vetëm me vdekjen e Tiranës së jetueshme. Ai do të sanksiononjë njëkohësisht fundin e zbatimit të ligjit prej pushteteve në këtë vend, ai do të farkëtojë një aleancë kriminale mes kryeministrit dhe biznesmenëve që janë të gatshëm të bëjnë çmenduri nën mbrojtjen e tij, ai do të kalçifikojë në një të vetme (ashtu siç janë të gjitha lidhjet e ngjizura në krim) pushtetin e parasë dhe atë të politikës.

Shembja e atij monumenti, për të cilin kanë 20 vjet që i parathonë shembjen, që e kanë shpallur vdekjeprurës dhe kanceroz, përtej çdo dasie, është një test për shoqërinë tonë.  Nëse ai bie, gjithçka nga kryeqyteti i vjetër që konceptuan italianët do të zhbhet me shpejtësi, por më shumë sesa godinat, një nga një do të rrëzohen njëra pas tjetrës edhe garancitë që na mbrojnë nga lidhja fashistoide mes biznesit dhe politikës./Lapsi.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY