OKB/ ‘Fitorja’ e Moldavisë për Transnistrinë e lë Rusinë të palëkundur

OKB/ ‘Fitorja’ e Moldavisë për Transnistrinë e lë Rusinë të palëkundur

138
0
Shares
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të premten e kaluar mbështeti një rezolutë moldave që i bën thirrje Rusisë të tërheqë trupat nga Transnistria e shkëputur, por ta bësh Rusinë t’i bindet kësaj është tjetër çështje.

Pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë që kërkon tërheqjen e menjëhershme të trupave ruse nga rajoni i shkëputur i Transnistrisë, ekspertët thonë se ka shumë pak gjasa që Moska ta përmbushë këtë.

Megjithatë, ata gjithashtu thonë se rezoluta të paktën e ka bërë konfliktin në Transnistri më të dukshme në nivel ndërkombëtar, edhe nëse nuk e detyron Rusinë të ndërmarrë ndonjë masë.

Qeveria e Moldavisë shpalli një fitore diplomatike më 22 qershor, kur Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën që ajo paraqiti me 65 vota pro, por 86 abstenime. Rezoluta nuk është detyruese.

Votimi erdhi 26 vjet pasi Moska dërgoi paqeruajtës për t’i dhënë fund luftimeve midis separatistëve pro-rusë dhe forcave moldave.

Ai pason vite të tëra bisedime të pafrytshme dhe refuzimin e Rusisë për të hequr dorë nga rajoni separatist, i cili ndodhet strategjikisht midis Moldavisë dhe Ukrainës.

“Është hera e parë që komuniteti ndërkombëtar diskutoi në këtë nivel një konflikt të ngrirë në Organizatën GUAM për Demokraci dhe Zhvillim Ekonomik – Gjeorgjia, Ukraina, Azerbajxhani dhe Moldavia,” tha për BIRN Igor Munteanu, drejtor i institutit IDIS me bazë në Kishinau.

Rezoluta vjen pas prishjes së marrëdhënieve

Moldavia e paraqiti rezolutën në tetor 2017, pasi Gjykata Kushtetuese e vendit vendosi në maj të atij viti se parimi kushtetues i Moldavisë për neutralitetin ndalonte praninë e “trupave pushtuese” në territorin e saj.

Ajo gjithashtu e paraqiti rezolutën pasi marrëdhëniet e saj diplomatike me Moskën u dëmtuan gjithnjë e më shumë.

Qeveria pro-perëndimore e ish-republikës sovjetike i ka ndaluar zyrtarët e saj të udhëtojnë në Moskë pasi disa hetues të një skeme pastrimi parash thanë se ishin ngacmuar kur kishin hyrë në Rusi në aeroportin e Moskës.

Në maj të vitit të kaluar, Moldavia dëboi pesë diplomatë rusë, duke akuzuar disa për spiunazh.

“Rezoluta e sapo miratuar përforcon vendosmërinë e Republikës së Moldavisë për të vazhduar përpjekjet e saj për të siguruar tërheqjen e plotë dhe të pakushtëzuar të forcave ruse nga territori i saj dhe përforcon besimin tonë se kauza jonë është e drejtë dhe e ligjshme,” tha ministri i jashtëm i Moldavisë, Tudor Ulianovschi, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB më 22 qershor.Gushtin e kaluar, Moldavia refuzoi hyrjen e zv/kryeministrit të atëhershëm të Rusisë, Dimitry Rogozin, i cili ishte caktuar të takohej me presidentin pro-rus të vendit, Igor Dodon, përpara se të nisej në Transnistria për të festuar përvjetorin e misionit paqeruajtës rus së bashku me autoritetet separatiste.

“Sot është një ditë e madhe për popullin e Republikës së Moldavisë, të cilët kanë rifituar besimin që komuniteti ndërkombëtar qëndron në anën tonë dhe se drejtësia mund të arrihet,” shtoi ai.

Me bashkëautore Kanadanë, Estoninë, Gjeorgjinë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë dhe Ukrainën, rezoluta u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së të nxisin Rusinë “të përfundojë si duhet, pa kushte dhe pa vonesa të mëtejshme tërheqjen e Grupit Operacional Rus të Forcave Ruse” në përputhje me angazhimin e saj të dakorduar në Samitin e Stambollit të OSBE-së në vitin 1999, por edhe me Kartën e OKB-së.

Megjithatë, edhe pse 65 shtete anëtare e mbështetën rezolutën dhe vetëm 15 votuan kundër, shumica e vendeve, 86, abstenuan.

Burime diplomatike thanë për BIRN se shumica e vendeve nuk pajtoheshin me sjelljen e çështjes në Nju Jork dhe donin që negociatat për zgjidhjen e konflikteve të vazhdonin nën patronazhin e OSBE-së në formatin aktual “5 + 2”.

“BE-ja kujton se respektimi i neutralitetit të Republikës së Moldavisë është një element kyç që kontribuon në përpjekjet për zgjidhjen paqësore të konfliktit Transnistrian,” thuhet në një deklaratë të Delegacionit të BE-së në OKB.

Ajo shtoi se vendet kandidate si Turqia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqipëria, si edhe Ukraina dhe Gjeorgjia, e mbështetën këtë pikëpamje, ndërsa BE-ja gjithashtu i sheh negociatat nën patronazhin e OSBE në formatin 5 + 2 si thelbësore për çdo zgjidhje.

Negociatat nuk çojnë askund

Rusia ka 440 paqeruajtës në Transnistri. Megjithatë, ajo vendos gjithashtu edhe Grupin Operacional të Forcave Ruse në rajonin e Transnistrisë të Moldavisë, që është ai që mbetet nga ish-Ushtria e 14-të Sovjetike, rreth 1,200 trupa, kryesisht të rekrutuar midis banorëve vendas që kanë pasaporta ruse.

Së bashku, Moska ka rreth 2,000 trupa në Transnistri, të vendosur atje që nga një armëpushim i vitit 1992, i cili përfundoi luftën midis separatistëve pro-rusë dhe ushtrisë moldave.

Moska premtoi të tërhiqte forcat e saj në një samit të OSBE-së në vitin 1999, por nuk e ka bërë kurrë këtë gjë.

Disa përpjekje diplomatike për të zgjidhur konfliktin kanë dështuar edhe gjatë viteve, duke përfshirë një projekt për ta kthyer Moldavinë në një federatë në vitin 2004.

Të ashtuquajturat bisedime 5 + 2, që përfshijnë Transnistrinë, Moldavinë, Ukrainën, Rusinë dhe OSBE-në  – si dhe SHBA-të dhe BE-në si vëzhgues të jashtëm – filluan në Vjenë në shkurt të vitit 2011.

Por bisedimet kanë mbetur të bllokuara nga refuzimi i palëve të përfshira në kompromis. Në mars, Franco Frattini, Përfaqësuesi Special i OSBE-së për Procesin e Zgjidhjes Transnistriane, tha se sapo Moldavia të kishte njohur targat e automjeteve të Transnistrisë, OSBE-ja mund të ishte në gjendje të hapte diskutimet me Moskën për tërheqjen e trupave.

Kishinau dhe Tiraspoli nënshkruan atë që Frattini e quajti një “marrëveshje historike” më 30 maj.

Moldavia ra dakord të lejojë makinat që i përkasin banorëve të Transnistrisë të largohen nga territori moldav, nëse kanë marrë targa neutrale, duke filluar nga 1 shtatori; deri në fund të qershorit, lidhjet telefonike do të rivendosen në mes të dy anëve të lumit Dniester.

Megjithatë, qeveria e shkëputur në Tiraspol dhe përkrahësit e saj në Moskë që nga ajo kohë e kanë dënuar rezolutën e OKB-së si një sulm ndaj procesit të paqes.

“Miratimi i rezolutës mund të dëmtojë përparimin e brishtë që po ndodh në muajt e fundit në rrugën e zgjidhjes Transnistriane,” tha ministria e jashtme ruse më 23 qershor.

“Ky veprim është shkatërrues, sepse synon të dëmtojë themelet e operacionit paqeruajtës në Transnistri. Dihet mirë se pala moldave ka punuar për një kohë të gjatë kundër operacionit paqeruajtës,” tha në një deklaratë për shtyp ministri i jashtëm i entitetit të panjohur, Vitaly Ignatiev.

Moska nuk pritet të bindet

Një analist politik në Kishinau, Rosian Vasiloi, tha se askush nuk pret seriozisht që Rusia të tërhiqet nga Transnistria bazuar në rezolutën e OKB-së të miratuar më 22 qershor.

Ai thekson se Moska nuk i ka tërhequr trupat e saj nga rajone të tjera separatiste ku ajo mban “konflikte të ngrira”, si Abkhazia dhe Osetia e Jugut, në Gjeorgji.

As nuk ka respektuar tri rezoluta të OKB-së të miratuara deri tani për Ukrainën.

“Federata Ruse do të bëjë atë që ka bërë deri tani, do të shpërfillë angazhimet ndërkombëtare që ka bërë, duke filluar me Samitin e OSBE-së në Stamboll në 1999 dhe më pas në Porto në vitin 2002,” parashikoi Vasiloi.

“Është e rëndësishme të shohim nëse Moldavia do të ndërmarrë gjithashtu hapa konkrete,” shtoi ai.

Vasiloi gjithashtu vuri në dukje dykuptimësinë e tekstit të rezolutës, e cila nuk sqaron nëse trupat ruse janë “të huaja” apo “trupa pushtuese” në territorin e Moldavisë; vendimi i Gjykatës Kushtetuese moldave referuar “trupave pushtuese”, vërejti ai.

Munteanu tha gjithashtu se dokumenti mund të ishte përgatitur më mirë nga diplomatët moldavë, në mënyrë që të përfshinte rolin e Rusisë “në mbajtjen dhe trajnimin e ndërveprimit me forcat ushtarake besnike në Tiraspol”.

Gjatë vitit 2017, trupat ruse dhe ato të Transnistrisë organizuan më shumë se 200 stërvitje të përbashkëta ushtarake, të cilat padyshim kishin për qëllim të alarmonin Kishinaun dhe ta mbanin në kontroll, tha Munteanu.

Ata do të shantazhojnë ekonomikisht, do të thërrasin ambasadorin moldav për sqarime, do të bëjnë paralajmërime përmes Dumës dhe do të përpiqen të nxisin pakicat kombëtare në Moldavi. Ky është mjeti i tyre i zakonshëm,” përfundoi ai.

Ministria e jashtme ruse thirri ambasadorin e Moldavisë në Moskë për një shpjegim më 25 qershor.

BIRN kontaktoi me ministrinë e jashtme ruse dhe atë moldave, por asnjëra prej tyre nuk iu përgjigj pyetjeve deri në kohën e publikimit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY