Trageti ku mund te helmohesh pa mberritur ne Durres

Trageti ku mund te helmohesh pa mberritur ne Durres

329
0
Shares

Nga Altin Bamllari

Pershtypje udhetimi plot drama ne tragetin adria qe vjen nga brigjet italiane ne Durres.

Ora 23:00. Ndërkohë që në sallën e barit Ronaldo gjuan penalltinë, nga restoranti një britmë e gjatë gati sa nuk theu xhamat e tragetit. Ca italianë shqyen sytë, unë po ashtu, të tjerët sa kthyen kokat. Bëra të nisem të shoh, por një patriot, që po shihte ndeshjen me mua, më kap nga krahu e më thotë: -Ndonjëri do ketë humbur skedinën në minutën e fundit. Popull budalla! Ç’pret? Mos shko kot!
Megjithatë unë s’e degjova. Futem në restorant dhe shoh një burrë rreth të 60-ave, fjalët e të cilit shpërndaheshin në ajër si gëzhojat e një kallashnikovi që qëllon pa ditur ku ndodhet objektivi. Fjalë-sharje në gjuhën e re dhe të bukur italoshqiptare. Merda, qelbësira, fëlliqsira, cazzo, tre volte më keni helmuar, plehra! Çohej, lëvizte për nga banaku, ulej në tavolinë. Çohej prapë, mbushte karrikatorin me të tjera sharje dhe bam-bam-bam.


S’ishte e vështirë të kuptoje që zotërisë dikush i kishte rënë më qafë. S’pata hiç mëdyshje dhe u drejtova direkt e nga ai. Kur e pyeta me kë e kishte, ai më pa me dyshim, uli disi zërin dhe ma ktheu: Po me këta plehrat, me kë ta kem?! Na shesin ushqim derrash e s’iu vjen fare turp. Tre herë jam helmuar prej këtyre. Vetëm këtë javë u kam paguar 3 mijë Euro. Po ku dinë këta! Racistët e mutit! Qelbësirat! As skllevërit nuk trajtohen kështu.

Pastaj mori për nga recepsioni i tragetit. -Dua kapitenin! Ma sillni kapitenin urgjent! Kush do më përkthejë pak, iu drejtua disa shqiptarëve indiferentë.
Ç’rastësi, mendova. S’kisha as 30 minuta që kisha postuar disa foto për ushqimin skandaloz të tragetit Adria dhe ja.., del një burrë pa Facebook e bën namin live.
Vjen kapiteni. Në fillim serioz. Bën sikur dëgjon. Niset me ne në kuzhinë. Mos! Siç u nis me tërsëllëmbë, thashë se do pushonte ndonjë të gjorë. Por ai shkon të trazojë makaronat e na tregon se qenkëshin për marshalla.

Burri ngre zërin më fort. Pastaj na nxehet dhe kapiteni. Nxehem edhe unë si Çakshiri tek “Shi në plazh”. Na rrethojnë ca patriotë. Nga ana tjetër vijnë ca italianë të sigurisë. Duket si revoltë. “Skllevërit” këtej, italianët më atë anë. Kërcënime me dorë. Një shqiptar futet në mes e na lutet të qetësohemi. “Skllevërit” përreth bëjnë sikur flenë gjumë. Kapiteni largohet me nerva. Një tjetër shqiptar, si Judë, e ndjek nga pas e i lutet të qetësohet. Ne ulemi në një tavolinë. Jemi 7 vetë, 6 shoferë maunesh edhe unë. Dhe ia nisim një muhabeti të gjatë. Revolta ka mbaruar, por nëse jeni kuriozë dhe s’mërziteni të dini ç’thamë, jua kallzoj me pako fjalë:
Shoferi që bëri revoltën ankohej vazhdimisht që s’e mbështeti njeri, duke na tregusr ilaçet e barkut që mbante me vete. Të tjerët binin dakord 1 mijë përqind me të, por argumentuan që nuk zgjidhim dot gjë. Unë ngula këmbë që të nxit ndonjë gazetar të shkruajë për problemin e ushqimit në traget. Por edhe mua u rrekën të më bindin se e kam të kotë.

Më thanë që tragetet janë monopol, mafie që fitojnë miliona duke paguar autoritetet nëndorë e jo më mediat, që doja të nxisja unë. Ushqimi, sipas tyre, s’është asgjë në raport me çmimet e kripura që janë te detyruar të paguajnë. Askush, përveç “rebeluesit”, nuk më tregoi emrin e vet, nga dyshimi se mos bëja ndonjë shkrim e i merrja në qafë. Kur i pyeta, si? -më thanë që tragetet nuk do t’i lejonin më të udhëtonin me to. Kurse ata që ishin të punësuar diku, do të largoheshin nga vetë boss-ët e tyre sepse s’mund të rrezikonin ta kruanin me tragetin.

Nje shofer nga Durrësi, një burrë i qetë e fatalist, ngulte këmbë tek e tija. “E pranoj! S’kam bythë të revoltohem. Kush do m’i ushqejë fëmijët po më nxorrën në rrugë?!”
Më kot solla si shembull grekët dhe shpirtin e tyre rebelues. Një tjetër mburri kuksianët. Pastaj loja u hap. Nuk ngeli shofer në tavolinë dhe të tjerë që erdhën më pas, të mos i sulej qeverisë, të tallej me doganat e të përqeshte policinë. Histori mbas historie, secili u bë aktor i tragji-komedisë ku jetojmë të gjithë.
Ora 01:00. Koha për një sy gjumë. Burri i revoltës më thotë që më mirë ta lija fare atë punën e shkrimit. -Se mos do ta çajë kokën njeri. Po e bëre, mos ma permend as mua emrin. U ndamë.
Në tragetin e “skllevërve” ra qetësia.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY