BUJAR NISHANI/ Detyra dhe misioni opozitës, të mbështesë dhe të vihet...

BUJAR NISHANI/ Detyra dhe misioni opozitës, të mbështesë dhe të vihet në krye të këtij reagimi qytetar

82
0
Shares

Protesta e banorëve të Kukësit ka hyrë tashmë në simbolikën e fortë të revoltës popullore. Revoltë si reagim për padrejtësinë ndaj të drejtave të qytetarëve.

Si reagim ndaj korrupsionit që po varfëron çdo ditë e më shumë familjet shqiptare.

Si reagim ndaj fyerjes perverse që megalomania e madhështisë virtuale ju adreson dinjitetit të qytetarëve.

Si reagim ndaj perspektivës kërcënuese të jetës së fëmijëve të shqiptarëve.

Reagim ndaj disproporcionalitetit taksa-të ardhura, detyrime-shërbime, resurse-administrim, përgjegjësi-të drejta.

Reagim ndaj diskriminimit !

Protesta e zjarrtë e banorëve të Kukësit është indikatori më i saktë se çfarë mendojnë sot qytetarët shqiptarë, duke ju treguar metodologjinë e saktësisë sondazhistëve të milionave korruptive.

Qytetarët e kryen një pjesë të punës së tyre.

Ajo nuk ishte aspak një lëvizje lokale, nuk ishte një duf anti-biznes, nuk ishte thjesht një përleshje anti-sistem, siç duan ta kufizojnë, analizuesit e oborrit.

Reagimi i tyre padyshim ishte politik !

Politika nuk është vetëm një konotacion partiak.

Politikë është çdo dimension i jetës sonë.

Sjelljet brutale ndaj qytetarëve dhe dimensionit shoqëror janë mirëfilli politike. Ndaj dhe reagimi, logjikisht që është politik.

Opozita e ka për detyrë dhe mision që ta mbështesë këtë reagim dhe protestë qytetare dhe të vihet në krye të saj.

Opozita kurrsesi nuk duhet të kompleksohet nga zërat e sponsorizuar se “protesta është qytetare dhe partitë politike të qëndrojnë larg”. !!!

Ky është një diversion i ulët, i sponsorizuar nga pushteti me qëllimin që protestën e qytetarëve ta izolojë dhe ta lërë pa infrastrukturën e nevojshme.

Infrastrukturën për një reagim të suksesshëm publik e kanë vetëm entet organizative që në rastin konkret janë veç partitë politike të mëdha.

E ashtuquajtura “shoqëri civile” në Shqipëri është deformuar dhe ndrydhur me platforma korruptive prej dekadash në këtë vend.

Zërat antikonformist janë margjinalizuar dhe margjinalizohen çdo ditë. Nuk kanë kurrë mbështetje financiare, hapësira komunikimi, akses trajnimi apo ndër-koordinim.

Ndaj opozita e ka dyfish më të madhe sot përgjegjësinë për ta koordinuar dhe prirë revoltën qytetare.

Opozita duhet të deklarojë publikisht, institucionalisht dhe seriozisht se të burgosurit e protestës së “Rrugës së Kombit” dhe çdo të përndjekur tjetër për shkak të protestuarit, ajo sapo të vij në pushtet, do ti konsideroj dhe trajtoj si të përndjekur politik.

Opozita duhet të deklarojë publikisht, institucionalisht dhe seriozisht se sapo të jetë mazhorancë në Parlament, ajo do të miratoj legjislacion hetimor për të gjithë ata prokuror dhe gjyqtarë që kanë marrë vendime politike kundër qytetarëve.

Qytetarët e burgosur të Kukësit dhe familjet e tyre janë vënë nën kërcënimin dhe shantazhin ekonomik.

Burgosja e tyre ka qëllim lënien pa bukë të fëmijëve të tyre. Vetëm ashtu nënshtrohet një nënë dhe një baba.

Opozita duhet të shpalosë një aksion solidariteti social duke ndihmuar financiarisht familjet e të gjithë të burgosurve politik dhe atyre që mund të përndiqen për shkak të protestës me ndërgjegje të tyre.

Askush sot nuk mund të fshehë apo injorojë dot, as realitetin dhe as përgjegjësinë e vet.

As individi dhe as grupimi!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY