Nje kontraktor i Benz rrezikon ne Shqiperi por vendos:1200 vende pune fabriken...

Nje kontraktor i Benz rrezikon ne Shqiperi por vendos:1200 vende pune fabriken e re

589
0
Shares

Kur Serbia dhe Maqedonia po tregohen agresive me stimujt fiskalë, duke tërhequr investitorët e huaj, një kompani gjermane, që prodhon pajisje kabllore për autobusët e Benz Mercedes, e ka gjetur Shqipërinë si bazë për të ushtruar aktivitetin e saj.
Planet e Forschner për një njësi të re prodhuese prej 30 mijë metrash katrorë në zonën e Spitallës në Durrës, që do të hapë edhe 1200 vende të reja pune. Pse Shqipëria ka avantazh në regjimin e përpunimit aktiv në prodhimin e sistemeve kabllore për automjete. Interes, edhe nga kompani të tjera

Kutia postare në oborrin e kompanisë Forschner në Vaqarr të Tiranës është përditë e mbushur me CV-të e banorëve të zonës, apo dhe më gjerë. Prej dy vitesh, kompania gjermane, që ka aktivitet në fushën e regjimit të përpunimit aktiv në prodhimin e sistemeve kabllore për automjete, kryesisht autobusët e Benz Mercedes, ka qenë një alternativë e mirë punësimi për banorët e periferisë së Tiranës, sidomos femrat.

Bledar Mankollari, drejtor i Forschner, thotë se nga viti 2015, kur u hap, numri i punonjësve është rritur vazhdimisht për të arritur në rreth 400 aktualisht. 90% e të punësuarve janë femra. Vetëm vitin e fundit janë rekrutuar më shumë se 160 persona. Mbizotërojnë të rinjtë e të rejat dhe kjo është e dukshme në një vizitë në ambientet e fabrikës. Më shumë se 60% e të punësuarve kanë një moshë maksimale deri në 30 vjeç. 70% e të punësuarve janë me arsim të mesëm, sipas të dhënave zyrtare të kompanisë.

Ka punë, por s’ka profesionistë?!

Bledari thotë se nuk e kanë pasur problem gjetjen e punonjësve. Proceset e punës nuk janë të komplikuara. Kompania punon me sistem regjim të përpunimit aktiv, duke e marrë materialin nga Gjermania dhe në Shqipëri bëhet montimi. Avantazhi, që shfrytëzohet, është kosto e lirë e fuqisë punëtore. Shoqëria i trajnon vetë punonjësit, pasi “nuk ka universitet që i bën ato që duam ne”. Teksa kostot më të mëdha janë trajnimet, Bledari thotë se një ndihmë për ta do të ishte që të mos ishin të detyruar të regjistronin punonjësit gjatë periudhës së trajnimit.

Punonjësit shqiptarë janë vlerësuar si shumë të shpejtë, në krahasim me vendet e tjera ku Forschner ka fabrika. Edhe pagat janë më të larta se në industrinë tekstile e të këpucëve, që punon me të njëjtin regjim të përpunimit aktiv. Paga mesatare është 360 euro, ndërsa minimalja fillon nga 26 mijë lekë. Ambientet e kompanisë janë të ndriçuara mirë, nuk ka materiale të dëmshme, proceset e punës janë të mirëpërcaktuara, me një saktësi gjermane. Përdoret sistemi Toyota i menaxhimit të prodhimit. Por, njohuritë (Knoë hoë) janë transferta më e madhe, thotë Bledari.

Projekti i zgjerimit

Suksesi me fabrikën e parë, transfertat brenda grupit dhe kontratat e reja bëri që brenda dy vitesh, menaxherët e Forschner të bënin planet e zgjerimit të aktivitetit në Shqipëri. Kompania ka në plan zgjerimin me ndërtimin e një fabrike të dytë me një sipërfaqe prej 25-30 mijë metrash katrorë (për vetë proceset e punës kërkohen ambiente të mëdha). Investimi pritet të jetë në total rreth 13.5 milionë euro (7.5 milionë euro për ambientet dhe pjesa tjetër për pajisjet), që do të hapë edhe 1200 vende të tjera pune.

Forschner ka aplikuar për skemën 1 euro. Nga qeveria janë dhënë alternativa për zonat e Koplikut, Spitallës, Shëngjinit, Azotikut në Fier, në Korçë e Elbasan, por kompania ka zgjedhur zonën e Spitallës, për shkak të popullsisë më të madhe, që do të mundësojë gjetjen e fuqisë punëtore.
Punimet pritet të fillojnë së shpejti, por ndërkohë Forschner ka marrë me qira një sipërfaqe prej 4500 metrash katrorë po në zonën e Spitallës, ku për 6 muaj do të punësojë 200 persona. Kjo njësi do të shërbejë njëkohësisht dhe për trajnimin e punonjësve deri në momentin që do të hapet fabrika e re, që pritet të përfundojë brenda dy vitesh.
Aktualisht, kapaciteti i kompanisë me fabrikën e Vaqarrit është 50 mijë njësi kabllo në muaj, ndërsa pas investimit në Spitallë, ai do të trefishohet në 150 mijë njësi.monitor.al

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY