NDRYSHON ADMINISTRATORI/ Albpetrol drejt shkrirjes, fushat e naftës do të jepen me...

NDRYSHON ADMINISTRATORI/ Albpetrol drejt shkrirjes, fushat e naftës do të jepen me koncesion – Çfarë do ndodhë me 2300 punonjësit

221
0
Shares

Kompania shtetërore e prodhimit të naftës, Albpetrol,  në mbledhjen e fundit Këshilli Mbikëqyrës ka miratuar ndryshimin e administratorit. Lajmi është bërë i ditur në faqen e internetit të kompanisë.

Ing. Kastriot Bejtaj, i cili momentalisht mbante postin e Drejtorit Teknik në Albpetrol sh.a., është emëruar administratori i ri i shoqërisë ndërsa drejtuesi i deri më tanishëm, z. Endri Puka, është larguar për t’u angazhuar në një tjetër detyrë.

Sipas njoftimit, ky ndryshim është bërë në kuadër të procesit të ristrukturimit në të cilin është futur tashmë shoqëria shtetërore e naftës Albpetrol sh.a.

Aktualisht, një grup ndërministror është ngritur me urdhër të Kryeministrit dhe po studion skenarët më të mirë për ristrukturimin e shoqërisë. Zoti Bejtaj do të jetë pjesë e grupit ndërministror për ristrukturimin e Albpetrol sh.a si dhe do të udhëheqë të gjithë procesin e ristrukturimit në Albpetrol sh.a, thuhet në njoftim.

“Monitor” ka mësuar nga burime pranë Ministrisë së Energjisë dhe Infrastrukturës se skenarët janë që Albpetrol të mbetet vetëm në një njësi të vogël, e cila do të menaxhojë kontratat ekzistuese koncesionare me kompanitë private. Ndërsa pasuritë e tjera të Albpetrol do të privatizohen, apo do të jepen me koncesion. Synohet që ky proces të mbyllet deri në fund të këtij viti.

Albpetrol ka aktualisht 2300 punonjës. Vlerësohet që një pjesë e atyre që do të shkurtohen do të trajtohen me pagesa afatgjata, ndërsa një pjesë do të kalojnë tek kompanitë që do të merren në menaxhim nga privati.

Sipas burimeve zyrtare, Aktiviteti i shoqërisë Albpetrol sh.a është kryerja e Operacioneve Hidrokarbure në përputhje me Ligjin Nr-7746, date 28.08.1993 për Kërkimin , Zhvillimin, Prodhimin, Trajtimin, Transportin, Magazinimin dhe Shitjen e naftës Bruto, Gazit dhe rërave Bituminoze brenda dhe jashtë Republikës së Shqipërisë .

Aktualisht Albpetrol menaxhon vetë vendburimet e Cakran-Mollaj; Gorisht-Kocul  dhe Amonice, Ballshi dhe një pjesë të fushave të kucovës. Kompania ka marrëveshje hidrokarbure me Bankers Petroleum Albania Ltd (që ka vendburimin më të madh të Patos-Marinez);  Transoilgroup sh.a.;  Phoenix Petroleum sh.a.;  Fin-Pek Petroleum sh.a.: Delvina Gas Company Ltd. Nga këto kompani Albpetrol merr sot një pjesë të prodhimit, si pagesë (royalty) dhe diskutimet janë që kjo pagesë të mos bëhet më në naftë, por në para cash.

Sipas bilancit të rishikuar të vitit 2016, Albpetrol ka përmirësuar ndjeshëm përfitueshmërinë. Fitimet nga aktiviteti në vitin 2016 arritën në rreth 1 miliardë lekë, si rrjedhojë e konjukturës më të favorshme të tregjeve ndërkombëtare, ku çmimi i naftës ishte në rritje. Në bilancin përfundimtar të miratuar së fundmi nga Këshilli Mbikëqyrës, fitimi total i deklaruar është 1.5 miliardë lekë, pas rishikimit të bilanceve të viteve paraardhëse. Monitor

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY