VIDEO/ Pas vdekjes së Ardit Gjoklajt, bashkia rigjallëron biznesin e plehrave në...

VIDEO/ Pas vdekjes së Ardit Gjoklajt, bashkia rigjallëron biznesin e plehrave në Sharrë

139
0
Shares
Duart e vrara e një prej punëtoreve në Sharrë që foli me BIRN | Foto nga : Ivana Dervishi
Një kompani riciklimi me aksioner kryesor biznesmenin që ndërmjetësoi marrëveshjen midis bashkisë së Tiranës dhe asaj të Veronës për krijimin e kompanisë së pastrimit ‘Eco Tirana,’ prej muajit shtator ka rifilluar operacionet e përpunimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës në kushte thuajse të ngjashme me ato që shkaktuan vdekjen tragjike të 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në gusht 2016.

Lida*, nënë e dy fëmijëve dhe banore e një lagjeje periferike në Tiranë iu drejtua bashkisë së Tiranës në kërkim të një pune në muajin shtator. Një punonjës i ndërmarrjes së pastrimit i sugjeroi të paraqitej në Sharrë, ku një kompani riciklimi mbetjesh sapo kishte filluar punë në landfill.

“Unë shkova u interesova në bashki për punë. Atje më thanë se në Sharrë është hapur landfilli dhe po të paraqitesha aty mund të me merrnin në punë. Erdha takova përgjegjësin që është Genci dhe më tha të filloj direkt,” tregon ajo, duke shtuar se i ishte premtuar një pagesë prej 800 lekësh në ditë.

“[Procesi i punës] është i vështirë, gjithë ditën në këmbë dhe për 8 mijë lekë është shumë pak,” shtoi ajo.

Lida nuk është punëtorja e vetme në landfill. Kompania e re e ricklimit ka rreth 20 punëtorë dhe intervistat e BIRN me disa prej tyre dëshmojnë se e kanë filluar punën e rrezikshme të patrajnuar dhe pa sigurime shoqërore.

Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se operacionet e riciklimit në Sharrë kanë rifilluar nga kompania Meg Albania sh.p.k-një kompani e themeluar në vitin 2008 në Këlcyrë.  Në shkurt 2017, kompania ka hapur një adresë dytësore në landfillin e Sharrës ndërsa në muajin korrik ajo është pajisur me leje mjedisore të Tipit B nga Ministria e Mjedisit për operacionet e veta të riciklimit.

Aksioneri kryesor i kompanisë Meg Albania është biznesmeni Vladimir Fezga, i cili më parë ka qenë ndërmjetësi i marrëveshjes midis bashkisë së Veronës dhe bashkisë së Tiranës për themelimin e kompanisë së pastrimit të kryeqytetit ‘Eco Tirana’ në maj 2016.

BIRN e pati të pamundur të verifikonte marrëveshjen kontraktuale që e çoi kompaninë Meg Albania në landfillin e Sharrës. Por në korrik 2017 rezulton se Meg Albania hyri në ortakëri me kompaninë publike “Eco Tirana” dhe të dyja së bashku themeluan një kompani të re të quajtur “Eco Recycling”.

Ekstraktet në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKB tregojnë se “Eco Tirana” dhe “Eco Recycling ndajnë të njëjtën zyrë në katin e shtatë të ‘Gjergji Center’ në Tiranë, ndërkohë që Meg Albania është e regjistruar në të njëjtën godinë, në katin e tetë.

BIRN iu drejtua me një kërkesë për të drejtë informimi bashkisë së Tiranës për kontratën me anë të së cilës Meg Albania operonte në landfill, por bashkia mohoi se një kontratë e tillë ekziston. Në përgjigje të një kërkese të ngjashme, kompania ‘Eco Tirana’ tha se nuk kishte kontratë me ‘Meg Albania’ për përdorimin e mbeturinave në Sharrë, por sipas saj,  dy kompanitë kishin themeluar një kompani të përbashkët të quajtur ‘Eco Recycling.’

E pyetur për akuzat se kompania që drejtonte fabrikën e ricklimit në Sharrë nuk i kishte trajnuar punëtorët dhe nuk i kishte siguruar ata, bashkia e Tiranës në fillim u shpreh se do të përgjigjej ‘shpejt’, por më pas nuk ktheu përgjigje.  Bashkia gjithashtu nuk komentoi nëse krijimi i kompanisë “Eco Recycling’ me aksioner  Meg Albania dhe administrator Vladimir Fezgan përbënte konflikt interesi, pasi ky i fundit kishte negociuar marrëveshjen me bashkinë e Veronës.

Përpjekjet e BIRN nëpërmjet vizitave në zyrë, email-it dhe telefonit për të marrë shpjegime nga Meg Albania dhe aksioneri i saj Vladimir Fezga nuk morën përgjigje. I kontaktuar nga BIRN nëpërmjet telefonit, administratori i Meg Albania, Kamber Elezi në fillim mohoi që kompania e tij punonte në Sharrë. Pasi BIRN i përmendi lejen mjedisore dhe adresën në QKB, Elezi pranoi se Meg Albania drejtonte fabrikën e riciklimit në landfill.

Biznesi i rrezikshëm i Sharrës

Meg Albania nuk është kompania e parë që menaxhon fabrikën e mbetjeve në Sharrë. Më shumë se 1 vit më parë, kjo fabrikë ishte nën pronësinë e kompanisë ‘3R,’ ku një numër i madh punonjësish ishin rekrutuar në të zezë dhe punonin në mungesën totale të kushteve të sigurisë. Në gusht 2016, mungesa e trajnimit dhe e sigurisë së punës në fabrikë krijoi kushtet për aksidentin tragjik që i mori jetën njërit prej punonjësve të saj më të rinj- 17 vjeçarit Ardit Gjoklaj.

Trupi i Ardit Gjoklajt u gjet i masakruar në landfillin e Sharrës mesditën e 7 gushtit 2016. Sipas dëshmisë së familjarëve, 17 vjeçari ishte punësuar në impiantin e seleksionimit të mbetjeve të kompanisë “3R” shpk në Sharrë, me shpresën se do të mblidhte paratë e nevojshme për të blerë librat e shkollës, pa rënduar familjen, që mbahej vetëm me rrogën e kryefamiljarit polic.

Një vit pas vdekjes së Arditit, situata në Sharrë nuk ka shumë ndryshime. Punëtorët e fabrikës që tani menaxhohet nga Meg Albania ankohen se puna është e vështirë, ata janë të patrajnuar dhe se pagesa bëhet sërish në të zezë.

“Por çfarë kualifikimi? Mua më kanë marrë se kam punuar një vit tek kompania tjetër. Ndërsa sot filluan punë dy burra të rinj dhe Genci më tha mua që t’u tregoja se si punohet. Unë u thashë pse duhet ta bëj unë dhe ata më thanë se ti ke eksperiencë dhe duhet t’u  tregosh punën të tjerëve,” tregon Alma, nënë e tre fëmijëve.

“Jemi rreth 20 veta dhe na kanë thënë se shumë shpejt puna do të fillojë me dy turne, se do të merren dhe punonjës të tjerë. Për këtë na mbajtën pas pune dhe bëmë mbledhje. Genci na tha që të ulnim kokën të punonim ose nëse nuk na pëlqen, të iknim. Këto ishin kushtet. Ç’të bëjmë, unë jam hallexhie dhe dua punë,” shtoi ajo

Mungesa e trajnimit të punëtorëve pranohet dhe nga punonjës të tjerë në fabrikën e riciklimit.

“Unë shkova sot për të punuar dhe fillova direkt. Një shoqja ime më tha se është hapur puna në Sharrë ndaj dhe u paraqita që në 9 të mëngjesit,” tregon Majlinda, nënë e 5 fëmijëve.

“Shkova tek dera, i thashë rojes se dua të punoj dhe ai më dërgoi tek Genci. Gencin e njoh mirë sepse tek ish kompania e vjetër punonte si roje, ndërsa tani e kanë bërë përgjegjës. Më dhanë ca rroba me mbishkrimin e bashkisë së Tiranës, maskë dhe një dorezë dhe fillova punë direkt,” shtoi ajo.

Majlinda tregoi se puna është shumë e lodhshme dhe punëtorët keqtrajtohen nga menaxherët e kompanisë.

“Unë po punoja dhe vjen Genci dhe më bërtet sikur të isha një plehrë. Ulëriti aq shumë vetëm pse  mua më shpëtoi një bidon. Ia ktheva dhe u zumë keq. Në atë moment ndërhyri përgjegjësi tjetër dhe më tha që të kisha kujdes se do të fluturoja nga vendi i punës. Më tha [se] nëse nuk do bindesha s’kisha më vend aty,” kujtoi ajo.

Alma, e cila ka punuar gjithashtu në kompaninë ‘3R’, tha se kushtet tani janë më të mira por sjellja e përgjegjësve të turnit “është çnjerëzore”.

“Me thënë të drejtën sa i përket ambienteve janë më mirë, ka ndriçim dhe ka kushte më serioze, por ama sjellja e këtyre që  na drejtojnë është  ordinere. Bërtasin  çdo sekondë dhe as një moment nuk mund të rrish. Nëse të shohin një sekondë që rrimë ulërasin. Nuk janë njerëz, por ne jemi hallexhinj. Në shtëpinë time burri është pa punë, fëmijët i kam të vegjël. Duam të hamë,” tha ajo.

Administratori i Meg Albania, Kamber Elezi hodhi poshtë ankesat e banorëve në një bisedë telefonike me BIRN si dhe dëshmitë e tyre se vazhdojnë të punojnë në të zezë.

“Nuk është e vërtetë … ata punojnë normalisht. Ne nuk u kemi siguruar kondicioner, por kushtet minimale të punës si doreza, përparëse dhe maska i kanë. Sigurisht që i kanë. Në kompaninë tonë askush nuk  mund të futet në ndërmarrje nëse nuk është i siguruar 24 orë më parë. Unë ju garantoj ju se janë të gjithë të siguruar,” tha ai.

Elezi e ftoi BIRN të vizitonte fabrikën për t’i treguar dokumentet, por kur gazetarët u paraqitën në landfillin e Sharrës, ai deklaroi nëpërmjet telefonit se nuk ishte aty dhe se nuk ishte i detyruar të jepte dokumente.

“Ju mund të shkoni të pyesni tek sigurimet shoqërore dhe  atje do të gjeni të gjithë informacionin,” shtoi ai.

Në muajin tetor, një burim brenda Institutit të Sigurimeve Shoqërore i tha BIRN se kompania Meg Albania kishte zero të regjistruar, ndërsa Eco Recycling kishte 20 punonjës të regjistruar. Është e paqartë nëse kompania e drejtuar nga Elezi ka aktualisht punonjës të regjistruar në sigurime shoqërore.

Ricklimi i kompanive të riciklimit

Në grafit në Sheshin Nënë Tereza në Tiranë paraqet imazhin e Ardit Gjoklajt, 17 vjeç, i cili humbi jetën në një aksident në punë në landfillin e Sharrës. Lajmi për vdekjen e tij nuk u transmetua nga shumë media shqiptare: Foto: Facebook

Pas aksidentit që i mori jetën Ardit Gjoklajt, bashkia e Tiranës e pezulloi punën e kompanisë ‘3R’ në landfillin e Sharrës, ndërkohë që Prokuroria filloi një hetim.  Gjashtë muaj pas nisjes së hetimit, Prokuroria e Tiranës dërgoi në gjyq një fadromist dhe një përgjegjës turni të kompanisë “3R”, ndërkohë që hetimi për përgjegjësitë e bashkisë Tiranë u nda më vete dhe më pas u pushua.

Vetëm pak javë pas mbylljes së hetimeve kundër ‘3R’, me 22 shkurt 2017, kompania me qendër në Këlcyrë, Meg Albania regjistroi një NIPT sekondar në landfillin e Sharrës, që përkon me të njëjtën fabrikë që më parë ka menaxhuar kompania ‘3R.’

Në muajin prill, kompania Meg Albania aplikoi për leje mjedisore të tipit B dhe e mori atë më 13 korrik 2017. Në dokumetin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis i bërë publik nga Ministria e Mjedisit, shpjegohet dhe aktiviteti i saj në landfill. [Kliko këtu për dokumentin]

“Objekti i Grumbullimit dhe Diferencimit te Mbetjeve te Ngurta Urbane është planifikuar të ndërtohet në fshatin Sharrë, Njësia Administrative Vaqarr, Bashkia Tiranë, zona kadastrale 3321, indeks harte K-34-100-(25-C). Projekti do të zhvillohet nga shoqëria “Meg Albania” sh.p.k,” thuhet në dokumentin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis.

Sipas këtij dokumenti, kompania parashikon që sipas kontratave me furnizuesit të përpunohet 1 ton në ditë mbetje të ngurta urbane nga të cilat planifikohet të merren 40% mbetje të riciklueshme- kjo në varësi të materialit që vjen në impiant. Sipas kompanisë, toka ku është ndërtuar impianti i është dhënë në përdorim nga Bashkia e Tiranës.

“Toka ku është ndërtuar impianti ndodhet në pikë strategjike pasi është larg zonës së banuar, lehtësisht e aksesueshme nga automjetet dhe trualli është i rrafshët,” shkruhet në VNM. “Kjo sipërfaqe toke i është dhënë në përdorim shoqërisë Meg Albania Sh.p.k nga bashkia Tiranë,” shton dokumenti.

BIRN iu drejtur bashkisë së Tiranës me nje kërkesë për të drejtë informimi, mbi marrëdhënien juridike që kjo e fundit kishte me kompaninë MEG Albania. Bashkia i tha BIRN se juridikisht ajo nuk mund të jepte tokë në përdorim të tretëve, dhe kjo mund të kryhej vetëm nga Këshilli Bashkiak.

“Bazuar në nenin 54. shkronja ‘e’ e ligjit nr.139/2015, datë 17.12.2017 “Për vetëqeverisjen vendore” përcaktohet se: Këshilli Bashkiak miraton tjetërsimin dhe dhënien në përdorim pronave të tretëve,” tha bashkia Tiranë.

BIRN kontrolli të gjitha vendimet e Këshillit Bashkiak gjatë vitit 2016 dhe 2017, por nuk gjeti asnjë vendim që i jepte kompanisë Meg Albania tokë në përdorim në landfillin e Sharrës.  I vetmi vendim i Këshillit Bashkiak Tiranë që lidhet me këtë kompani është marrë me datë 6 qershor 2017, i cili i jep të drejtën kompanisë publike të pastrimit të qytetit “Eco Tirana” që të krijojë shoqëri të tjera tregtare.

Sipas të dhënave në Qendrën Kombëtare të Biznesit, QKB, me datë 20 korrik 2017, “Eco Tirana’ dhe “MEG Albania’ kanë krijuar një kompani të përbashkët të quajtur “Eco Recycling” me administrator Z. Vladimir Fezga. Kompania ‘Eco Recycling’ zotërohet në 51 për qind të aksioneve nga  ‘Eco Tirana’ dhe 49 për qind ‘Meg Albania’.

‘Eco Tirana’ është kompania e pastrimit e krijuar në bashkëpunim nga bashkia e Tiranës dhe ajo e Veronës. Në këtë kompani, 51% e aksioneve zotërohen nga bashkia e Tiranës dhe 49 % e aksioneve nga Holding AGSM Albania Sha- e cila është në pronësi të kompanive publike të lidhura me bashkinë e Veronës AGSM Holding dhe AMIA Verona.

Ndërkohë, kompania që operon në Sharrë, Meg Albania është në pronësi 15 % të Vladimir Fezgës, 45 % të italianit Stefano Cecotto dhe 40 % të MEG Srl, e cila ka si president të këshillit administrativ sërish Z. Fezga.

Fezga ka pasur një rol qëndror në negociatat midis bashkisë së Tiranës dhe kompanisë AMIA Verona, pjesë e grupit AGSM holding për themelimin e “Eco Tirana’. Kompanitë e tij Meg Albania Sh.p.k dhe Meg Srl., që nga viti 2013 kanë ndërmarrë negociata me autoritet shqiptare, për të arritur objektivin që ishte marrëveshja me bashkinë Tiranë.

Sipas një dokumenti të AMIA Verona, një kopje e të cilit është siguruar nga BIRN,  Meg Albania sh.p.k është paguar 33 mijë euro nga AMIA Verona për negociatat e saj me autoritetet shqiptare. [kliko këtu për dokumentin]

Duke qenë se negociatat dhe përfaqësimi i AMIA Verona në marrëveshjen me bashkinë Tiranë për krijimin e ‘Eco Tirana’ është bërë nga z. Fezga dhe kompania e tij, krijimi nga kompania e përbashkët publike italo-shqiptare i një kompanie të tretë si ‘Eco Recycling,’ ku Fezga është administrator dhe Meg Albania aksionere, ngre shqetësime për konflikte të mundshme interesi.

E pyetur nga BIRN mbi këtë konflikt interesi në dukje, bashkia e Tiranës dhe ‘Eco Recycling’ nuk u përgjigjën. Kur gazetarët e BIRN vizituan zyrat e kompanive në ‘Gjergji Center’ në Tiranë, recepsioni u shpjegoi se të tre kompanitë, ‘Eco Tirana,’ ‘Eco Recycling’ dhe ‘Meg Albania’ ndanin një zyrë të vetme, duke e bërë dhe më të paqartë pikën e ndarjes midis kompanisë publike italo-shqiptare dhe asaj private të Z. Fezga dhe italianit Cecotto

*BIRN ndryshoi emrat e punonjësve të landfillit të Sharrës, të cilët janë intervistuar për këtë shkrim për të shmangur çdo pasojë të mundshme që mund të rëndojë mbi ta.

Autor: Lindita Çela, Besar Likmeta | BIRN | Tiranë

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY