Edi Rama, frikë nga përgjimet e shërbimeve të huaja, makth edhe për...

Edi Rama, frikë nga përgjimet e shërbimeve të huaja, makth edhe për bashkëpunëtorët e tij

186
0
Shares

Frika nga përgjimet e shërbimeve të huaja, të cilat kanë qenë mjaft të shqetësuara për rritjen e krimit të organizuar në Shqipëri dhe nivelin e lartë të korrupsionit, duket se ka mbërthyer kryeministrin Edi Rama, i cili kohët e fundit ka evituar në maksimum shoqërimin apo bisedat me persona deri dje shumë afër tij.
Rasti Tahiri ishte sinjali i parë i alarmit për kryeministrin, i cili nuk e priste që materialet komprometuese për ministrin e tij më të besuar të dilnin në publik. Pasiguria dhe ankthi i Ramës u lexuan qartë gjatë qëndrimeve që ai mbajti për ish ministrin e Brendshëm. Në fillim e shiti plotësisht, pastaj u detyrua ta marrë në mbrojtje, me një fjalim para grupit parlamentar, ku më shumë dallohej përpjekja për të dalë vetë i larë nga kjo histori se sa shqetësimi për fatin e ish krahut të djathtë të tij.
Edi Rama nuk është i sigurt se çfarë informacionesh, provash apo faktesh kanë shërbimet e huaja për njerëzit e tij dhe deklaratat e ambasadorit amerikan se në janar do të ketë arrestime të forta, e kanë bërë t’i shohë me dyshim të gjithë bashkëpunëtorët e tij. Duke nuhatur emrat e disa individëve, ndonjë deputeti, kryetari bashkie apo dhe ministri, të cilët qarkullojnë në kuluaret e politikës dhe medias, burime të lapsi.al thanë se kryeministri ka ndërprerë çdo komunikim me ta.
Kjo ndërprerje e papritur komunikimi ka shtuar ankthin tek personat në fjalë, por nuk është se ka lehtësuar kryeministrin. Distancimi i tanishëm prej tyre, sipas rekomandimeve nga këshilltarët e tij që pretendojnë se janë të afërt me qarqe diplomatike, nuk është se anullon ndonjë implikim të mundshëm në të shkuarën. Po ashtu sikurse përpjekja për të zhvendosur vëmendjen e opinionit publik nga tema e nxehtë e luftës kundër krimit, nuk e shpëton dot nga përgjegjësia politike (ndoshta dhe ligjore) kreun e mazhorancës.
Njerëzit deri dje të besuar dhe të afërt të Ramës, sot po shprehin hapur habinë dhe zhgënjimin e tyre për bojkotimin e papritur që u ka bërë i pari i qeverisë. Disave u mungojnë udhëtimet gazmore të fundjavave, disa të tjerëve darkat në restorantin e kryeministrisë e disa të tjerëve telefonatat dhe SMS e përnatshme para se të flinin gjumë. Por Edi Rama nuk ka faj, atij ia kanë vrarë gjumin dhe nuk mund të shqetësohet për pagjumësinë e të tjerëve.
Historia i lidhjeve të politikës me krimin sapo ka nisur dhe kryeministrit do t’i duhet t’i lërë me radhë shokët, me shpresë se radha nuk do të mbërrijë deri tek ai.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY