Ministrja Karabina merr nën kontroll bordin e mjekësisë pas urdhërit të fundit

Ministrja Karabina merr nën kontroll bordin e mjekësisë pas urdhërit të fundit

359
0
Shares

Nga shtatë anëtarë që duhet të ketë, Bordi i Administrimit të Universitetit Mjekësor ka të emëruar sot 12 të tillë. Me dy urdhra të njëpasnjëshëm, ministrja teknike e Arsimit ka zëvendësuar katër përfaqësuesit e saj në bord.
Në harkun kohor të pesë ditëve, këta të fundit janë mbledhur dy herë duke shqyrtuar pika me rëndësi si buxheti dhe caktimi i administratorit të universitetit. Kjo nuk është pranuar nga anëtarët e tjerë dhe vetë rektorati, i cili ka vendosur ta pezullojë deri në një vendim të dytë.
Ndërkaq, anëtarët e bordit në UMT, jo vetëm të zëvendësuarit, por edhe tre të tjerët që përfaqësojnë universitetin brenda pak ditësh t’i adresojnë të gjitha instancave për zgjidhjen e kësaj problematike.
“Ka shpërdorim të rëndë të detyrës dhe janë shkelur të gjitha ligjet sikurse ligji i arsimit të lartë, ligji i organeve kolegjiale, rregullorja e Bordit e aprovuar nga senati akademik, shpërfillja e vendimeve të senatit, anashkalimi i instancave, trajtimi i njerëzve jashtë procedurave ligjore sipas Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë, si dhe statutit të Universitetit të Mjekë- sisë së Tiranës, Kodi i Procedurave Administrative etj. Kjo bëhet për motive mediokre interesash të ngushta të individëve të caktuar, të cilët kanë organizuar këtë ngjarje, e cila duhet të na shqetësojë të tërëve”,- sqaron një prej anëtarëve të Bordit të administrimit i zgjedhur nga Universiteti i Mjekësisë, Prof. Edvin Prifti.

PËRPLASJET
Me një letër urgjente drejtuar rektorit të UM, Arben Gjata, më datën 13 korrik, ministrja Karabina urdhëron fillimisht zëvendësimin e dy anëtarëve të bordit, Ardiana Berberi dhe Linda Pustina me Daniela Nikën dhe Arben Pilacën.
Zëvendësimi i dytë, që duket të jetë përfundimtari, daton përpara një jave, më 9 gusht, kur me një tjetër urdhër kërkohet zëvendësimi i jo dy, por 4 emrave: Adriana Berberi, Zamira Gjini, Migena Drushku dhe Djana Ristani me Hari Mulla (Artan Mullaj), Albana Fico, Andrea Koxhaj dhe Daniela Nika. Për të prezantuar anëtarët e rinj, brenda asaj dite njoftohet mbledhja e datës 11 gusht në të cilën morën pjesë vetëm ata të emëruar rishtazi ku emëruan në krye të bordit Artan Mullaj.
Në cilësinë e kryetarit, ky i fundit lajmëron mbledhjen e radhës, e cila u zhvillua dje, vetëm pas katër ditësh nga mbledhja e parë. Në e-mailin drejtuar anëtarëve ku kërkon konfirmimin e pjesëmarrjes në mbledhje u diskutuan katër pika shumë të rëndësishme: diskutimi i buxhetit; propozimi për rivendosjen e afatit për dokumentacionit për studentët që përfitojnë përjashtim tarife; diskutim propozimi për reduktimin e tarifës së masterit dhe miratimin e listës së kandidatëve për administrator.
E gjithë kjo situatë është bërë shkak që një ditë përpara mbledhjes, anëtarët e bordit të administrimit të hartojnë një letër-ankesë drejtuar ministres Mirela Karabina në të cilën vë në dijeni edhe Kryeministrinë për paligjshmërinë e zëvendësimit të anëtarëve, ndaj të cilëve nuk ka asnjë provë për shkelje ligjore.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, Plarent Ndreca, urdhëron moszbatimin e urdhrit te ministres Karabina për shkak të paligjshmërisë së tij. Në korrespondencën elektronike, rektori Arben Gjata harton një urdhër ku kërkohet pezullimi i aktivitetit të bordit deri në sqarimin përfundimtar të problematikës, gjë e cila nuk është mirëpritur nga Bordi i ri, i cili ka vijuar punën “normalisht”.

PASOJAT
Cenimi i autonomisë dhe dëmi financiar ndaj universitetit janë dy pasojat më të rënda që i bëhen UMT-së. “Karabina i ka vënë tritolin autonomisë universitare, të vetmes gjë që e ka ligji 80/ 2015.
Qëllimi i këtij pseudo Bordi është vetëm të bëjë ndë- rhyrje në buxhetin e institucionit edhe pse ne këtë e kemi miratuar në prill 2017 duke evidentuar shkelje të mëdha të stafit administrativ si dhe hapi i dytë do të jetë emërimi i administratorit, i cili do të ketë mundësinë të punësojë si dhe të menaxhojë të ardhurat e institucionit.
Shkoj në universitet dhe sekretarja teknike e bordit nuk më jep procesverbalin e mbledhjes. Po ashtu, këtij universiteti i bëhet një dëm financiar. Këta njerëz që zëvendësohen paguhen dhe nëse shkojnë në gjyq i marrin UMT 12-24 paga mujore, pa llogaritur dëmin moral që iu shkaktohet të zëvendësuarve”, sqaron anëtari i bordit të UMT, Prof. Sokol Buba.
Në lidhje me shkarkimin e anëtarëve të bordit, në nenin 50 të ligjit të arsimit të lartë citohen 6 raste kur mund të përfundojë para kohe mandati i anëtarëve të zgjedhur dhe për këtë nevojitet një procedurë e caktuar shkarkim-emërimi në statut, dhe jo zëvendësim.
Në pikëpyetje vihen edhe të ardhurat dytësore të universitetit që në 4 vite që nga krijimi i tij në janar 2013, kapin vlerën e 1,4 miliardë lekëve (10 milionë euro) dhe nuk dihet ku kanë shkuar.

Zëvendësime edhe në UT, ja emrat e rinj në bord
Pas zëvendësimit te Mjekësia, teknikja e Arsimit po ndjek të njëjtën rrugë edhe në organin më të lartë administrativ të Universitetit më të madh në vend, atë të Tiranës. Duke qenë i vetmi universitet me shumicën në bord, Karabina ka kërkuar kësaj radhe zëvendësimin e tre përfaqësuesve të Ministrisë me tre emra të tjerë.
Më konkretisht, Arbjan Mazniku që mban postin e nënkryetarit të bashkisë, Erzen Tola drejtor juridik në MAS dhe Arjan Xhelaj drejtues i rrjetit akademik shqiptar zëvendësohen me tre emra të tjerë: Mirela Milorin, Rajmond Perollën dhe Leonard Bodurin.
Shkresa mban datën 14 gusht dhe i drejtohet autoritetit më të lartë akademik, rektorit Mynyr Koni. Anëtarët e tjerë të zgjedhur nga universiteti janë Ervin Demo, kryetari i bordit dhe njëherësh zv.dekan në Fakultetin e Ekonomisë, Ferdinand Bego, pedagog në Fakultetin e Shkencave, Nada Dollani, pedagoge te Drejtësia dhe Iris Pojani në Fakultetin e Histori-Filologjisë.

Karabina: Kam marrë falënderime nga UMT
Bordi i mëparshëm nuk ka funksionuar. Duket se kjo ka qenë arsyeja kryesore që ka shtyrë ministren teknike të Arsimit, Mirela Karabina, të zëvendësojë katër përfaqësuesit e saj në bord me emra të tjerë. Në një prononcim për gazetën, Karabina thekson se bëhet fjalë për një sulm personal ndaj figurës së saj.
“Kam marrë email-e dhe mesazhe nga universiteti që më tregojnë çfarë është bërë dhe si është bërë. Është kompetencë e ministrit për mosfunksionimin e bordit. Unë jam e detyruar të dëgjoj palën e universitetit. Nuk e di kush e ka këtë target të më sulmojë. Kjo gjë po përdoret për qëllim jo të mirë”.
Ministrja shprehet e sigurt për një dezinformim, teksa thekson se të gjitha të dhënat që disponon do t’i bëjë publike ditët në vijim. “Unë kam marrë falënderime sot nga universiteti, sepse zgjedhjet janë bërë korrekte”, sqaron Karabina.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY