Durrës, mblidhen kritikët e Bashës, ja 11 pikat e lëvizjes së re

Durrës, mblidhen kritikët e Bashës, ja 11 pikat e lëvizjes së re

58
0
Shares

Kritiket e Bashës janë mbledhur sot në pallatin “Aleksandër Moisu” në Durrës për të diskutuar për lëvizjen opozitare brenda PD-së.
Në këtë mbledhje janë të pranishëm figura si Bensik Mustafaj, Astrit Patozi, Leonard Olli dhe Julian Deda.
Në fjalën e tij, Besnik Mustafaj tha se demokratët nuk mund të rrinë duarkryq duke parë se si Edi Rama e merr PD-në, siç tentoi edhe në vitet 90.
Ndërsa, Patozi, në fjalën e tij ai tha se PD-ja nuk arriti dot që të ngjallte shpresën e demokratëve dhe as nuk u bë dot e keqja më e vogël.
Patozi tha se Basha po bën një garë farse dhe garon vetëm dhe se Selami eështë thjesht për formalitet.
Ish-deputeti i PD-se tha se Basha i hoqi nga lista që ta kishte partinë për vete.
Ish-nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi i ka bërë thirrje ish-kreut të partisë, Sali Berisha që të veprojë sa më shpejt për situatën në PD, në të kundërt gjërat do të përkeqësohen për të djathtët. Duke folur nga takimi me lëvizjen e re anti-Basha në Durrës, Patozi tha se edhe demokratët duhet të veprojnë.
“I bëj thirrje, Sali Berishës dhe të gjithë demokratëve, që të flasin tani me fjalë dhe me vepra. Ka ardhur një moment që heshtja është rreshtim me të keqen. Ju duhet të mbroni partinë dhe të ndalni farsën e 22 korrikut. Dhe nëse kjo nuk ndodh, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi Bashën, por edhe mbi ne. Dhe ne s’do meritojmë më shumë se një humbës si Basha”, tha ai.
11 pikat e Astrit Patozit

Çfarë kërkojmë ne sot?
Reflektim për humbjen dhe pastaj garë të drejtë dhe të pandikuar.
Asgjë më shumë se kaq.
Si e mendoj unë vetë Partinë Demokratike të së nesërmes, në rast se do të më jepej mundësia të shpallja alternativen time.
Sipas meje;

1-Partia Demokratike ka nevojë që të riparojë me shpejtësi të gjitha defektet e rënda dhe efektet negative, që ka sjellë drejtimi i personalizuar. Në partinë tonë duhet të jenë aksionerë të gjithë anëtarët, për shkak të investimit të tyre të gjatë në vite. Vlera e aksioneve të gjithësecilit duhet përcaktohet nga meritokracia. Kryetari mund të jetë aksioneri më i madh, por kurrë pronari i vetëm.

2-Duhet të shndërrojmë me shpejtësi autoritetin e fortë te kryetarit në vendimmarrje të forumeve. Të kalojmë pa humbur kohë në drejtim me ekip ose në udhëheqje sa më kolegjiale të partisë. Dhe kjo të sanksionohet në statut, që të mos i lihet ta ndajë kryetari. Duhet zvogëlim i kompetencave të tij dhe kufizim i mandateve.

3-Përfaqësimi politik duhet të kthehet realisht në dorë të anëtarësisë dhe forumeve të PD. Ai duhet të përcaktohet strikt nga kriteret, kontributet dhe performanca. Por kurrë nga humori një njeriu apo qoftë edhe pak njerëzve. Kjo duhet të jetë e vlefshme për të gjitha nivelet, që nga seksioni e deri në parlament dhe më vonë kur të vijë dita edhe në qeveri.

4-Shenjtërimi i statutit. Duhet ta bëjmë me urgjencë. Askush dhe për asnjë arsye nuk mund të shkelë, qoftë një nen të vetëm të tij. Duhet të shndërrohet në biblën dhe kuranin e demokratëve. Arsyeja pse njerëzit qëndrojnë bashkë në një parti. Për shkak të anashkalimit të tij kemi mbërritur në këtë pikë. Asgjë nuk ka ndodhur ditën e fundit, por zullumi ka ardhur duke u trashur.

5-Përcaktimi në statut i dorëheqjes së kryetarit në rast humbjeje. Kurrë më në diskrecionin e tij. Mjaft kemi hequr me këtë punë. Kryetari nuk mund të shndërrohet në stres për partinë. Përkundrazi, të jetë gjenerator i shpirtit të saj, që e con drejt fitores.

6-Shndërrimi i Partisë Demokratike në një model për shoqërinë. Për demokracinë e brendshme dhe për respektimin e rregullave. Nesër në pushtet të kthehemi në shembull të sjelljes me ligjin dhe kushtetutën.

7-Rikthim tek respekti për kontributet dhe vlerat e PD në vite. Historia e saj është krenaria jonë. Simbolet, flamuri dhe shenjat dalluese, gjithashtu. Por ajo të mos shikohet si nostalgji, por si një instrument për të arritur fitoren. Duke respektuar gjithcka kanë bërë të tjerët deri më sot, ne projektojmë PD e së ardhmes.

8-Bashkimi i demokratëve, që nga viti 90 e deri më sot. Ftesë e sinqertë për ta. Jam i bindur se do të kthehen vetëm, kur të kuptojnë se partia e tyre ka ndryshuar për mirë. Por sidomos për ata 200 mijë votues, që i humbëm së fundi për shkak të gabimeve tona të rënda.

9-Por mbi të gjitha, bashkimi i Partisë Demokratike sot. Askënd për të humbur dhe gjithëkënd për të fituar. Kjo duhet të jetë deviza jonë. Nëse alternativa jonë do të votohet nga demokratët, dora e bashkëpunimit do të drejtohet në fillim nga Lulzim Basha dhe kushdo tjetër, që mendon si ai ose është i lidhur me të. Sepse, pavarësisht përgjegjësisë për humbjen e 25 qershorit, askujt nuk mund t’i mohohen kontributet e mëparshme apo ato që mund të vijnë në të ardhmen.

10-Partia Demokratike, të jetë shtëpia e lirisë e së djathtës shqiptare. Marrja e përgjegjësive për një riorganizim të saj, si nevojë e brendshme sociale e Shqipërisë, për shkak të zhbalancimit në krijuar në vite, por sidomos pas zgjedhjeve të fundit.

11-Partia Demokratike të shndërrohet shumë shpejt në tempullin e opozitës në Shqipëri, duke qenë se i takon të jetë forca udhëheqëse e saj. Pa asnjë paragjykim të ftojë cdo faktor edhe aktor të madh apo të vogël politik, që ka zgjedhur të refuzojë qeverinë, pa asnjë kompleks dhe me kurajo. Ne duhet të bëhemi zëri i fuqishëm i popullit të opozitës, në bashkëpunim dhe koordinim me cdo forcë tjetër politike që zgjedh të jetë kundërshtare e qeverisë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY