RRËFIMI/ “Si u vodh muzeu arkeologjik, kërkuam armë ta mbronim”

RRËFIMI/ “Si u vodh muzeu arkeologjik, kërkuam armë ta mbronim”

86
0
Shares

Profesor doktor, Fatos Tartari hedh paralele të drejtpërdrejta e të ngjashme sipas tij, midis ngjarjeve të vitit 1997, kur më 14 mars u grabitën nga persona ende të paidentifikuar mbi 80 objekte të periudhës ilire në muzeun arkeologjik të Durrësit dhe asaj se çfarë po ndodh aktualisht sot në sheshin “Veliera” të këtij qyteti, përballë Torrës Venciane.

Ai pohoi dje se pasuria arkeologjike, e cila është pasaporta e trashëgimisë prej fiseve ilire deri në ditët tona, po shfaroset në mënyrën më përçudnuese nga mafiozët dhe politika që po e drejton këtë vend prej 25 vjetësh.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Tartari kujton vitin 1997, kur iu lut ish-kryebashkiakut të asaj kohe Arqile Gorea të pajiste me armë punonjësit e muzeut arkeologjik për të mbrojtur pasurinë e çmuar që identifikon kombin dhe të shkuarën tonë me prejardhje ilire.

“Me armë nuk na pajisi, ashtu sikundër bëri me disa ndërmarrje të tjera dhe brenda natës së 14 marsit 1997, nga muzeu në mënyrë të organizuar u grabitën mbi 80 objekte që i përkisnin periudhës ilire. Aktualisht po ndodh e njëjta gjë. Politika dhe drejtuesit e Bashkisë së Durrësit janë të lidhur me mafiozët e ndërtimeve, duke shkatërruar të shkuarën e qytetit, i cili identifikon Shqipërinë në sytë e botës dhe të turistëve.


Profesor, muzeu arkeologjik i Durrësit është vjedhur tri herë, a janë kthyer më aty objektet e vjedhura?
Megjithëse Interpoli ka gjurmuar dhe ka gjetur shumë herë ku kanë përfunduar objektet e vjedhura herët e tjera të arkeologjisë shqiptare që nga Japonia dhe në Gjermani, nga muze të ndryshme tek koleksionistët privatë, nga ana e qeverisë nuk u bë asgjë për vjedhjen e ’97-ës. Ata që i mbajnë duhet t’i kthejnë.


Si i kujton ngjarjet e ’97- ës dhe pse në atë kohë, kur ishit drejtor i muzeut ju kërkuat që të pajiseshit me armë?
Më datë 13 mars të ’97-ës, ne punonjësit e muzeut arkeologjik të Durrësit (ishim 32 vetë) takuam kryebashkiakun e asaj kohe, Arqile Gorea dhe i kërkuam që të na pajiste me armë. Kishte pajisur disa ndërmarrje, si kantina e verës dhe ndërmarrje të tjera që ishin në proces privatizimi. Ndërmarrjet, punonjësit e të cilave u pajisën me armë shpëtuan pa u dëmtuar, pa u djegur, ndryshe nga të gjitha ndërmarrjet e tjera.


Çfarë ndodhi më 14 mars të vitit 1997?
Më 14 mars u dogj porti. Të gjitha anijet u dogjën. Më pas u bë nami në të gjithë qytetin. Në të dyja krahët e shëtitores “Taulantia” ishin vendosur mitralozat nga porti deri tek muzeu arkeologjik. Vala e vjedhjeve përfshiu dhe muzeun, ku gjendej fondi më i madh i veprave të dokumentuara që i përkisnin periudhës ilire. Ndërsa, ne kishim pritur që në Durrës të ngrihej Instituti i Arkeologjisë.


Si e morët vesh vjedhjen e muzeut?
Më lajmëruan shokët dhe pronarët e lokaleve që kanë vjedhur muzeun. Unë kam dalë në orën 06:00 të mëngjesit dhe kam shkuar në muze mes plumbave të mitralozëve që derdhnin plumba nga të katërta anët.


Po policia erdhi në muze?
Jo. Policia ishte shpërbërë. Nuk kishte njeri në komisariat atë ditë. Kush do të vinte? Cili polic do të vinte të rrezikonte jetën?


Objektet që u vodhën ku ishin?
Të gjitha të ekspozuara. Hynë në fonde dhe prishën disa objekte me keqdashje. Ata vodhën vetëm objekte të periudhës ilire. Aty kishte vazo që shkonin në 50 mijë dollarë copa, por nuk i morën. Nuk morën asgjë përveç objekteve të periudhës ilire. Morën një qelq mozaik, që ishte i periudhës ilire, që është shumë i rrallë. Vjedhja u bë jashtë orarit të punës, pas orës 17:30. Ishte e mirorganizuar nga specialistë mund të them. Vjedhja ishte e organizuar nga brenda, kjo është e padiskutueshme. Nuk morën monumente e objekte të kulturës së periudhës greke, që kushtojnë shumë në treg. Përkundrazi, hoqën e grabitën atë pasuri, e cila në treg nuk është e kushtueshme, por në studimet arkeologjike dhe në identitetin tonë si pasardhës të qytetërimit dhe kulturës ilire ishte me vlera të jashjashtëzakonshme. Janë marrë objekte të periudhës paraqytetare, objekte që i përkasin kohës para ardhjes së grekëve. Durrësi ka kulturë para qytetërimit grek. Këto sende të grabitura janë enë prej balte, armë prej metali, bronzi, hekuri… tipare këto të kulturës ilire. U morën figurina e skulptura. Një e tillë është skulptura Klejkja (busti saj) me veshje ilire. Emër të tillë nuk e kanë as grekët, as sllavët. Të shohësh atë skulpturë, vëren kulturën e krehjes së flokëve, mjeshtërinë e punimit të metalit.


U evidentuan ku përfunduan këto objekte?
Askush nuk bëri hetime, asnjë as instituti dhe as prokuroria. Unë shkova bëra denoncim në prokurori, por askush nuk bëri zë. As sot e kësaj dite nuk dihet ku janë, kush i mori, sepse asnjëherë nuk u zhvillua një hetim për vjedhjen e madhe të muzeut. Muzeu i Durrësit është vjedhur tri herë, por ajo ishte vjedhja më e madhe.


Si e keni perceptuar Durrësin profesor?
Si një ishull, si Korfuzin. Mjafton të zbatohej plani urbanistik Venecian. Shumë e thjeshtë, do ndërtohej një kanal nga Ura e Dajlanit deri në Porto-Romano dhe brenda hapësirës prej 110 hektarësh krijohej ishulli.


Duke e pasur një model, çfarë donim ne që të eksperimentonim një Durrës ndryshe nga qytetet e tjera të Mesdheut?
Kujt i shërbeu ky plan tjetër me ndërtime 20, 30 e 40-katëshe. Brenda një viti, gjatë periudhës 1960 e deri në 1980 në Durrës zbuloheshin 5 ose 6 objekte çdo vit. Deri në vitin 1990 kishim 30 monumente të shkallës së parë, që ruheshin e mbroheshin nga shteti.


Profesor, çfarë ka ndodhur me Durrësin gjatë 25 viteve të fundit?
Krimi më i madh u bë nga politika, sepse braktisi arkeologjinë në Durrës, duke u marrë me votat e me blerjen e tyre, duke shkatërruar kulturën, identitetin e vlerat e këtij qyteti. Ishte një politikë shkatërrimtare, që na solli në këto ditë.


Çfarë i ka mbetur Durrësit tani?
Vetëm këndi arkeologjik tek Torra Veneciane. Të gjitha ligjet që formuan statusin e veçantë të Durrësit u shkelën për t’i lënë vend këtij ndërtimi kaotik e rrënues, që po përjeton qyteti nga dita në ditë e nga viti në vit. Politika nuk mund ta bënte këtë pa bashkëpunuar me krimin e organizuar dhe mafien e fushës së ndërtimit. Duke u nisur nga fitimet marramendëse, Durrësin e kthyen në një qytet fshatarësh, ose me urbanizim fshataresk. Durrësi në vend që të ishte qytet model i turizmit arkeologjik, është kthyer në një qendër fshatareske, që nuk i shërben më askujt.


Këto ditë keni qenë në ballë të protestave që po zhvillohen për sheshin “Veliera”. Deklaruat se u prish këndi i fundit arkeologjik i Durrësit.
Është porta e detit e “Jallisë”, kjo dëshmohet edhe nga fotografitë që disponojmë. Gjurmët e vërteta e rrënojat e vërteta, bashkia po i prish me duart e veta.
Cili është apeli juan profesor? Marr shkas nga protesta e fundit që bëri një grup qytetarësh dhe i përshëndes. U bëj thirrje qytetarëve të nderuar durrsakë, që e duan me gjithë mend qytetin e tyre, të marrin në dorë fatet e tij dhe ta mbrojnë atë që mund të mbrohet. Ka ardhur një moment që nuk mban më. Po humbim qytetin tonë të mrekullueshëm. Po e humbim me të gjitha vlerat e tij. Po e humbëm, nuk ka Zot që ta rikuperojë më, në atë famë e stimë që ka pasur gjatë kohërave.

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY